-Mesazh për miqësinë –
Nga Bedri Islami
Për ata që nuk e kanë njohur: Zef Prendi, kryetari më jetëgjatë i pushtetit në atë rreth verior, ishte nga Rrape e Pukës, një fshat malor, me disa lugina të gjelbëra dhe, dikur, të shkoje përmes tij , ecje në një pyll të dendur lisash dhe rrapesh. Ndoshta nga kjo edhe i kishte mbetur emri i fshatit.
Ishte njeri hokatar, i dashur, nga ata , me të cilët nuk mund të zemëroheshe kurrë dhe me të cilët do të doje të qëndroje më gjatë nga sa ishte e mundur.
Ishte në miqtë më të vjetër të babait tim, Zenelit; fillimisht,menjëherë pas luftës, kishin qenë bashkë drejtues të rinisë, e më pas, ndërsa Zeneli ishte emëruar sekretar i parë, Zefi ishte emëruar drejtues i pushtetit.
Dy miq të vjetër , të cilët, edhe kur kishte pasur kohë të vështira, e kishin mbajtur njëri tjetrin.
Unë e kam njohur vonë, fillimisht nga larg e më pas, e kam takuar disa herë.
Në dhjetorin e vitit 1975 do të martohej djali im i hallës, Man Avdia, tashmë i ndjerë, që punonte asaj kohe në ndërmarrjen komunale, shef plani, ku, pas përplasjeve të befta, drejtor ishte Zef Prendi.
Përmes borës që binte shkuam në dasmë, në fshatin e lindjes së babait tonë, pasi halla ime e shtrenjtë, me katër fëmijët e saj, pasi i kishte vdekur burri, ishte kthyer të jetonte tek vëllai i saj. Aty e gjeti nëna ime kur shkoi 20 vjeçare nuse nga shtëpia e Gjylbegave në Shkodër, tek Shkrelët e Dedajve të Pukës. Aty, halla ime e mirë, edhe mbylli sytë.
Zef Prendi ishte i ftuar në dasmë, por jo se ishte thjeshtë drejtori i ndërmarrjes, por mbi të gjitha, ai ishte aty në shtëpinë e tij, pasi ajo kishte qenë vatra ku kishte bujtur me dhjetëra herë, ku kishte qenë dasmor e krushk në dasmën e shokut të tij, Zenelit, ku kishte shkuar në gëzime dhe ku, një natë fund korriku të vitit 1961, dy javë pasi miku i tij ishte larguar nga jeta,duke marrë enigmën e ikjes dhe leçitjen e pushtetit, kishte shkuar përmes natës, megjithëse ishte funksionar i lartë, të vajtonte për mikun e tij të rinisë.
Në dhomën e madhe të katit të dytë të shtëpisë së vjetër, ndërtuar me gurë të mëdhenj dhe dërrasa me erë pishe, u takuam dhe qëndruam bri njëri tjetrit.
Ai ishte krushku i parë, rrinte gazmor në kreun e sofrës së parë, e pinte rakinë ngadalë dhe u jepte bisedë njerëzve që e pyesnin për gjithçka dhe që e donin. Kishte qenë nga të paktët vendës kryetar Komiteti, ashtu si do të ishte Zeneli i vetmi vendas sekretar i parë. Më pas, si duket, nuk besuan në veriorët dhe dërgonin të tjerë. Edhe ata, shqiptarë ishin, shumë prej tyre e kishin dashur Pukën me shpirt, por nuk kishin me vete atë erën e pishave.
Zef Prendi shpërndante cigare dhe priste në prehër cigare që ia hidhnin të tjerët. Ishte traditë asaj kohe : burrat shpërndanin cigare dhe djali që i shpërndante thonte, duke hedhur cigaren , se nga cili e kishin. Burrat merrnin cigaret, çonin dorën në zemër dhe thonin, ” T’u rritë ndera Ty dhe Atij”. Një ritual nderimi.
Në dhomën e madhe ishin thuajse 50 burra, rreth disa sofrave të mëdha dhe ,mesi i saj ishte i lirë. Në një cep qëndronte Ramë Koka, kovaçi me tupan, njeriu më i njohur i dasmave, lajmëtari i tyre. Lodra e tij e madhe, vendosur në brez, dëgjohej që larg, që kur ai fillonte të shquante çatitë e shtëpive të para të fshatit se ku bëhej dasma dhe, vetëm kur dëgjohej ai tupan, fillonte edhe dasma. Dasmë pa tupan, nuk mund të kishte. Tupanxhiu ishte Ramë Koka, i nxirë nga qymyri i farkës dhe shpirt bardhë nga gëzimi i dasmave.
E shikoja njeriun buzëgaz, që ftonte njerëzit në valle, duke i rënë me një thupër të hollë anës së tupanit, në një ritëm të veçantë, ndjellës, ftues, që ndryshonte krejt nga ritmi i valles. Ishte një e rënë e vazhdueshme, e lehtë që vinte e ndizej dhe, pastaj, kur burrat ngriheshin në valle, zakonisht dy e nga dy, ndryshonte, bëhej si ujëvarat e varura në shpatet e maleve.
Zakonisht njerëzit nuk e doravisnin tupanxhiun haptas, ai që kishte dëshirë, i vendoste në cepin e litarëve të hollë të daulles atë që mendonin dhe Rama e hiqte prej aty, jo që ta fshihte, por që të mos vinte të tjerët në siklet, kur nuk e kishin mundësinë të dhuronin.
Burrat kishin kod tjetër nderi një herë e një kohë.
Po vinte mesnata dhe Zef Prendi nuk kishte kërcyer asnjëherë dhe, për çudi, as tupanxhiu Ramë nuk e kishte ftuar. Ai, Zefi, shikonte të tjerët, lodronte me sytë e tij shprehës, thonte pas çdo valleje, ” ju lumshin këmbët”, por vetë rrinte aty, me sytë tek njerëzit dhe me buzën në gaz.
Më pat pyetur në fillim :
– Si je, djali i Zenelit?
Në Pukë, thuajse gjithnjë, nga të njohur e të panjohur, shpesh herë edhe nga të rinj që nuk e kishin njohur babain tim, më thonin , kështu thjeshtë, “djali i Zenelit”.
Edhe kur isha krejt rinor, pra në fillimin e gjimnazit, edhe kur isha student , edhe kur u bëra burrë dhe shumë kush e dinte emrin tim.
Nuk më vinte keq, më ndillte mirësi.
Edhe Zef Prendi ashtu më thirri. Pastaj më pyeti për nënën, që ishte në dhomën e grave, se dasmat bëheshin veç e veç asaj kohe, në të ndara të ndryshme, për gjyshen, që i kishte dhënë bukë dhe i kishte shtruar ndërresa të pastra; për gjithë ata njerëz që kishte njohur në Shtëpinë e Madhe të Gjylbegajve.
Kur dasma po i afrohej mesnatës, befas Zef Prendi , si të dilte nga njëra gjendja e dasmës për të shkuar në një gjendje tjetër, më kapi nga dora dhe më tha, ” çohu, djali i Zenelit, kjo dasëm e do një valle”.
Dhe u ngrit.
Tupanxhiu Ramë i dha fort tupanit, aq fort, sa mund të mendoje se po e thyente me purtekat e tij të drunjta.
Njerëzit lëvizën nga vendi.
Nuk i dija hapat dhe as nuk mendoja se mund të kërceja.
Zef Prendi i bënte hapat e ngadaltë, shumë të ngadaltë dhe të ngulur në dërrasat e pishta; dorën e djathtë e çonte mbi kokë dhe tjetrën e kishte vendosur pas brezi, pastaj ulej mbi gjunjët e tij të fortë dhe ngrihej si shpend, duart lëviznin duke e ndërruar pozicionin e njëra tjetrës, kokën herë e ulte poshtë, si një dëshirë përulje ndaj tokës dhe herë e ngrinte lart si thirrje ndaj qiellit; i bënte shenjë tupanxhiut të shtonte ritmin dhe lëvizte duke u sjellë rreth vetes si në një çast furtune, buzëgazi i shndërrohej në thirrje dhe pastaj qetësohej; e gjitha ishte një mrekulli që nuk do të mund ta harroja.
Kisha parë në shtëpinë tonë një foto, ku, im atë dhe Zefi, ulur mbi bar, kishin veshur kostumet popullore të zonës, por ajo që po shihja ishte diçka krejt tjetër, ndoshta kishte të bënte edhe me shpirtin.
Befas ai u ndal. U ndal dhe më mori dorën. Njerëzit kishin mbetë dhe nuk e dinin se çfarë të bënin. Mrekullia kishte përfunduar befas, po aq befas sa edhe kishte nisur.
-Eja, djali i Zenelit, më tha. Kisha mall për një valle.
Njerëzit mbajtën frymën, tupanxhiu e la tupanin. Në një çast , dasma u hesht.
-Eja, më tha përsëri. Kam 14 vite pa hedhë një valle. 14 vite. Që kur vdiq babai yt. Me atë e kam hedhë vallen e fundit, me ty po e nis vallen e parë. Me hajr!
U ul në sofrën e parë dhe ngriti gotën.
– Të pimë për atë që nuk është dhe që na ban dritë edhe sot e kësaj dite. Man Avdia, ai iu drejtua dhëndrit, e gëzofsh nusen dhe u mbushtë kjo shtëpi me djem e çika, nipa, mbesa, stërnipa dhe stërmbesa të Zenel Islamit!
Kaq ishte.
Shpirtin e jap për një valle si ajo e Zef Prendit , në dhjetorin me borë të vitit 1975.
E kam njohur nga afer zef Prenin ne vitet 1958-1964 kur ai ne ate kohe u emeruabKryea Komiteti Ishte nje malesor i zgjuar i dashur i thjeshte qe ne ato vite ka dhene nje kontribut te madh ne zhvillimin e asaj zone teje e vafer por me mikepritje dashuri te pa shembullt per ne jabanxhijte.Perulem me nderim para emrit te Zef Prenditshpetim Gjebrea
O more Bedri , ne cfare kujtimesh na fute.
Foto e bukur. Zef Prendi , drejtor i Komunales, Ndue Frroku, sekretar i byrose se partise se Komunales. Te dy njerez te mire. Zefin e kam njohur nga afer e kam punuar me te. Ishte njeri i drejte e punetor. Ishte organizator i afte edhe ne detyra shume te thjeshta, si pergjegjes grupi shoferash te parkut. I pa komprometueshem e dhashamires. Punonjes partie , me zemer te madhe, jo godites pas shpine. I pranoi pa fjale e qef-mbetje, te gjthe uljet ne detyre, e duke i leshuar vendin njerezve te shkolluar.
Ruaj kujtimet e respektin me te madh per Zef Prendin.
Ne jabanxhinjeve , na respektonte
Ai ne fund,mos eshte Zija Cela?