Sot mbasdite po përpiqesha të zbardhja listën e protestuesve kundër familjes Basha (jo Lulëzim Bashës) në Tiranë dhe u ndjeva i lehtësuar. Kur më erdhi e-maili nga zyra e PD-së, i cili për shkak të idiotësisë së zëdhënëseve sqaronte se si PD-ja po organizonte një protestë tek shtëpia e Bashëve në Tiranë, u ndjeva keq që një parti që lindi si parti e vlerave të lirisë në këtë vend 22 vite më parë, të katandiset në një parti anti-mitingjesh dhe të sillet në pushtet sikur është një parti rrugëve.
Por zbardhja e listës ma hoqi këtë shije të keqe për PD dhe ma forcoi mendimin se ai që po degradon me shpejtësi është Sali Berisha dhe familja e tij. Dy nga “protestueset’ ishin vajza e xhaxhait të Sali Berishës dhe vajza e tezes së Liri Berishës. Më tej të tjerët ishin kunetër e kunata të rrethit mafioz të drejtorit të Qytetit Studenti, i cili u ka vënë syrin pronave të familjes Basha në Qytetin Studenti, duke filluar procese privatizimi dhe koncesionesh nga ato që Berisha dhe studioja e tij ligjore i bëjnë brenda natës. Ishte kjo krye-arsyeja që ma hoqi shqetësimin për PD dhe ma forcoi besimin se Sali Berisha është reduktuar aq shumë dhe ka degraduar aq keq, sa besnikë të vetëm të tij janë vetëm rrethi familjar dhe një tufë hajdutësh që duan të grabisin pronat e të tjerëve.
Them që ky është një lajm i mirë për PD-në, pasi e gjej pozitiv faktin që asnjë militant i PD-së, dhe nga ata të flaktit, nuk iu përgjigj një akti që përmban brenda jo vetëm mentalitetin zaptues të Sali Berishës në politikën shqiptare, por dhe hakmarrjen e tij të verbër ndaj kundërshtarit. E shikoja çudinë dhe zemërimin në portretin e xhaxhait të Linda Bashës që shpjegonte me qetësi historinë mbi 100- vjeçare të pronës së tij, që disa tropojanë të zbritur në pronat e tij të tjera e kërconin që t’ia prishnin. Kam parë skenë të tillë të ngjashme kur po ky njeri i çmendur, Sali Berisha, çoi fadromën para shtëpisë së prindërve të mi ta rrëzonte vetëm pse unë i kisha denoncuar përfshirjen e djalit të tij në fabrikën e Gërdecit. Skena e sotme ma rifreskoi atë sjellje banditeske të tij. Por kjo e sotmja ishte më e rëndë. Ishte e rëndë pasi ndërsa kundër meje përdorte ndonjë drejtor policie ndërtimore apo tatimore, kundër familjes së gruas së rivalit të tij po përdor familjarët e tij që ka zbritur nga Tropoja dhe një rreth njerëzish të inkriminuar, të cilët i motivon duke i shpërblyer në natyre dhe duke u ndarë copa nga pronat e familjes së vjetër tiranase të gruas së kundërshtarit.
Kjo është burracakëria më e madhe e tij dhe ndoshta më historikja e ndonjë lideri në politikë në botë. I bindur se njerëzit në këtë botë jetojnë për prona dhe para, siç jeton Familja e tij, ai mendon se kundërshtarët e vet mund të thyhen po u prishi shtëpitë, po u rrëmbeu pronat, po u zaptoi ato me tropojanë të zbritur… po i rrahu rrugës, po i gjobiti, po i poshtëroi publikisht dhe perversitete të tjera si këto.
Është logjika e një njeriu që ngatërron ëndrrën dhe pasionin e tij, me misionin e të tjerëve. Është një njeri që mendon se gjithë bota komandohet nga gruaja, vajza dhe djali, të cilët vjedhin dhe shesin Shqipërinë, bile vrasin dhe baxhanakun e tij dhe ia tregojnë një ditë më pas. Është historia e një njeriu të dorëzuar në një rreth mafioz brenda Familjes së tij, që mendon se ashtu si për të, për gjithkënd fundi i botës është t’i rrëmbesh pronat dhe t’ia shkatërrosh pasuritë. Është një mentalitet më pervers dhe më shtazarak se ai i Enver Hoxhës që së paku ua merrte kundërshtarëve të vet shtëpitë në përdorim të shtetit, por nuk ua privatizonte për fisin e vet. Ky burrec mendon se me ca kushërira të tij dhe të gruas, që duhet të jenë në pikë të hallit me atë pak rrogë dhe tokë të zaptuar kodrave të Qytetit Studentit apo në Allias, mund të trembë kundërshtarët. Është mentaliteti i një njeriu të pabesë, të paburrë dhe të pagdhendur, që nuk kupton se në këtë botë ka njerëz që ia dalin dhe pa prona, dhe pa para, dhe pa pushtet, për të jetuar e vdekur të lirë dhe të qetë.
Dhe e gjithë kjo keqkatandisje e Familjes së tij dhe distancë e PD-së nga ky degradim, fundos tërësisht një Bashë tjetër, një kollovar të Familjes, i cili në fushatë u premtoi tiranasve se do respektojë pronarët e vjetër dhe kërkoi, mori dhe rrëmbeu votën e tyre, ndërsa sot fshihej si skuth ndërsa shikonte kushërirat e Saliut dhe Lirisë, zbritur nga Tropoja t’i turreshin një familjeje të vjetër tiranase vetëm se nga ajo familje ka lindur gruaja e kundërshtarit të “babait” të tij shpirtëror.
Lajmi i mirë për PD është se ajo nuk po e shoqëron Sali Berishën dhe Familjen e tij deri në skutat më të errëta të çmendurisë së tij. Por lajm i keq për ta është se pushteti i degraduar i kësaj Familje dhe rrethi mafioz që komandon atë ka për t’i çuar në humnerë.