Prej disa ditësh Lazarati është bërë kryelajm. Me të kaluarën dhe të tashmen e tij. Mbi të gjitha me sfidën që i ka bërë një shteti të tërë, duke e konsideruar veten ‘republikë’ brenda Republikës së Shqipërisë. Mirëpo, mjaftoi një aksion policor për t’i dhënë fund dukurisë negative të kultivimit të hashashit në Lazarat dhe një fshat arriti të bëhej kryelajm për shtypin shqiptar dhe për agjencitë më prestigjioze të botës. Tashmë që beteja mund të quhet përfundimisht e mbyllur dhe e fituar nga ana e shtetit, duket e kotë të merresh se si ndodhi e pse ndodhi. Jo se kjo nuk është e rëndësishme, por për momentin janë të të tjera gjëra më të rëndësishme.
Le të ndalemi pikërisht te këto gjëra më të rëndësishme.
Bisedoja dje me një nga mjeshtërit më të shquar të pemëtarisë në Shqipëri, Pprof. Petraq Sotirin. Për ata që nuk e dinë, po ju them se Prof. Sotiri është pa asnjë dyshim vitikulturisti më i mirë dhe më i kompletuar që ka njohur ky vend. Ai është autori unikal i teksteve të vitikulturës që studiohen në universitetet tona dhe për kontributin e tij është pranuar para disa vitesh anëtar i akademisë italiane të shkencave bujqësore. E, pra, me Prof. Sotirin bisedoja dje për… Lazaratin. Për Lazaratin e ndërkombëtarizuar si qendër e kultivimit dhe trafikut të drogës. Kishim biseduar edhe më përpara për këtë temë, të cilën ai e ka konsideruar vazhdimisht si një dukuritë më negative të shoqërisë shqiptare të pas viteve 1990. Gjithnjë, sa herë binte fjala për Lazaratin e drogës, Prof. Sotiri shprehej: Si është e mundur që shteti ta lejojë këtë? Si është e mundur që një fshat të sfidojë shtetin? Dhe binte në mendime… Në atë meditim ai linte të dyshonte se kishim një shtet që inkurajonte një Lazarat antiligjor që i bënte karshillëk vetë shtetit.
Tashmë Prof. Sotiri flet pa dorashka. Po, ka qenë shteti që e ka inkurajuar Lazaratin me njollë të zezë, pra Lazaratin e drogës. Ai përshëndet me entuziazëm aksionin e policisë në Lazarat, si të thuash rikthimin e Lazaratit në Republikën e Shqipërisë. Ndërkaq, Profesori vihet sërish në mendime… Lazarati është shqiptar, lazaratasit janë shqiptarë si ti dhe unë, më thotë. Ata kurrsesi nuk duhen trajtuar si ‘armiq’, si rebelë. Dhe nuk duhen ndëshkuar. Ata në kushtet e një qeverisjeje të mbrapshtë, sikurse ishte ajo e Sali Berishës, gjetën terren, u inkurajuan me apo pa dashje, në një veprimtari kriminale si ajo e kultivimit dhe trafikimit të drogës. Në kushtet e një amullie shtetërore, për të mos thënë se ishte vetë shteti që i nxiste, ata gjetën një mënyrë për të mbijetuar në kushtet e një shteti që nuk ishte shtet, por antishtet…
I dimë të gjitha këto Profesor, e ndërpres unë. Tashmë jemi në një etapë të re. Aksioni i policisë i ditëve të fundit tregoi se dukuria Lazarat, si një emër i identifikuar me drogën dhe krimin, i ka ardhur fundi. Më tej, çdo të bëhet me Lazaratin?
Po, Lazarati lehtësisht mund të kthehet në një emër të nderuar ndërkombëtarisht, më përgjigjet profesori. Në radhë të parë, Lazarati kërkon një qasje njerëzore. Ata janë shqiptarë dhe nëse ata gjetën si një mënyrë mbijetese një rrugë të gabuar, kjo nuk do të thotë se ata duhen trajtuar si keqbërës të këtij vendi. Unë i propozoj Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij që menjëherë pas këtij aksioni të suksesshëm, ta kthejë Lazaratin në një histori suksesi. Si, do të pyesni ju. Unë e njoh Lazaratin, njoh terrenin, kushtet klimaterike dhe tokësore të shkëlqyera të tij, njoh shpirtin punëtor të lazaratasve. Unë i kam gati projektet që në Lazarat në vend të hashashit të kultivohen vreshta me hardhi të varieteteve më të zgjedhura, të ngihen kantina të verërave që do të kenë një nam të paparë në Europë e në botë. Unë flas me bindje që ata njerëz të bëhen milionerë jo me hashash, por me rrush dhe verëra nga më të mirat në Europë. Po në Lazarat kultivohen shkëlqyeshëm gjithashtu shegët, fiku dhe një mori frutash të tjera. Shumë shpejt, ato mund të quhen ‘Vera Lazarati’, ‘Fiq lazarati’, ‘Shegë Lazarati’ etj. Po ju them: e kam gati projektin. Mjafton vullneti i qeverisë, një vendim sa më i shpejtë i saj dhe ky bëhet një realitet i prekshëm. Kështu dhe lazaratasit nuk do ta quajnë të fundbotshëm aksionin e ditëve të fundit të policisë kundër drogës. Ky aksion është në të mirë e tyre. Që ata të mos tregohen me gisht si dele e zezë. Është shansi i tyre të shndërrohen në një shembull pozitiv, me një vreshtari të modelit më bashkëkohor të vreshtarisë dhe të pemëtarisë.

Ty te lumte mendia per deshiren e mbrekullushme qe ke per popullin e Lazaratit dhe mbare kombin shqiptar.Bejuni krah qeverise ju dashamiresit e ketij populli punetor,paqedashes dhe patriot si askund ne bote.Largimi i k/kriminelit Sali Berisha dhe zagareve te tij duhet ti vere para pergjegjesise njeres si ju i dashur profesor dhe Shqiperia brenda nje pesevjecari behet nje Zvicer ne juge te europes.
Po e mori ne dore nje mendje ndritur si prof.Petraq Sotiri, nuk ka asnje dyshim qe Lazarati kthehet ne nje prodhues kulturash bujqesore “par excellence”