I dashur Ismail! Kur komunizmi mori fund në Shqipëri shumë anije, varka, kamerdare bënë rrugën e kundërt që bëre ti për të na sjellë pavarësinë, duke iu drejtuar bregut përballë. Disa prej atyre njerëzve, pleq, fëmijë, burra dhe gra, ndodhen në thellësitë e këtij deti, e do jenë atje përgjithmonë. Letra ime nuk do u shkonte kurrë. Tani thuhet se jemi në demokraci. E di? Ai sistemi i themeluar në Greqinë e lashtë nga Klistheni, ku është populli që qeveris me dëshirën e tij të lirë, përmes përfaqësuesve që zgjedh po ai. Se ç’ka një gjë që më duket e pasaktë ose në këtë përshkrim, ose në sistemin në të cilin jetojmë dhe që e quajnë demokraci, por përderisa e thonë, ashtu duhet të jetë. Si thua ti?
Nuk po të shkruaj për televizorin, internetin, për naftën, apo armët bërthamore, që ti sado largpamës, nuk besoj se ke imagjinuar ç’janë. Nuk po të shkruaj as për Sidën ose Kancerin, që kanë zëvendësuar epidemitë vdekjeprurëse të kohës tënde, sepse kemi festë sot… Në pritje të pavarësisë së madhe po festojmë këtë të voglën, që që kur e prure ti (kështu thuhet e shkruhet), askush nuk mundi ta përhapë në Shqipërinë e vërtetë.
Po e mbyll me kaq duke mos pritur përgjigje në të vërtetë. Por nëse merr mundin të më shkruash, të lutem më thuaj: Nëse do vije sot në vendin tonë dhe tëndin, a do e gjeje mes nesh lirinë?
Letër e nënshkruar: Iris Sojli