I nderuar profesor Rexhep Qose
Fitim Çaushi
Historikisht, të huajt që nuk e kanë dashur të mirën e popullit shqiptar, ia kanë mohuar vlerat dhe prijësit e tij shpirtërorë, për ta ekspozuar si një popull pa kulturë, pa lashtësi e qëndresë heroike, pa legjendarë e strategë, që kontribuuan për të siguruar mbijetesën e tij. Në kushtet e reja të rivendosjes së kapitalizmit në Shqipëri, historia e shqiptarëve kundër shqiptarëve, po përsëritet! Kjo është e dhimbshme!
Labëria dhe Gjirokastra, juve ju konsiderojnë Pasuri Kombëtare, duke ju nderur me titullin! “Qytetar Nderi”. I pasur është një komb që ka intelektualë të shquar si Aleks Buda, Eqrem Çabej, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Arben Puto, Idriz Ajeti, Androkli Kostallari, Anton Çetta, Jorgo Bulo etj. etj. Me emrin dhe veprën tuaj lidhet lëvizja kulturore që merr përmasat e vazhdimësisë së veçantë të Rilindjes Kombëtare në Kosovë, pas vitit 1966, rezultat i së cilës është shkalla e zhvillimit shkencor e shoqëror që rriti qëndresën drejt realizimit të idealeve çlirimtare.
Me veprën tuaj poliedrike, mbarëkombëtare e shkencore, Ju paraqiteni një Fenomen i veçantë në kulturën shqiptare në kohën tonë, prezantoni figurën e një rilindësi të mirëfilltë. Ju jini historian i letërsisë, kritik letrar, eseist, prozator, dramaturg, mendimtar dhe veprimtar i çështjes kombëtare, jini njëri nga intelektualët më të shquar shqiptar të kohës sonë. Vepra është ajo që mbetet, vlerë e përhershme dhe dëshmia më e sigurt, për gjeneratat e ardhshme, për punën, përpjekjet, sakrificat që kanë bërë paraardhësit, për t’i sendërtuar idealet e mëdha të çlirimit dhe të bashkimit kombëtar.
Vepra juaj ka patur një ecuri të veçantë, një shtrirje e rrezatim të gjerë në zhvillimin e shkencave të albanologjisë, në krijimtarinë letrare, prandaj pa dyshim ju jeni një fenomen i papërsëritshëm i kulturës shqiptare. Si njohës i mirë i letërsisë, jini njëherësh edhe esteti me shije të hollë për vlerat artistike, çka e dëshmojnë studimet e thelluara dhe preokupimet për çështje të rëndësishme të jetës shqiptare. Do të mjaftonte vepra e shkruar me mjaft “zjarrmi”, “Morfologjia e një fushate”, si një vepër unikale e polemikës, për të dëshmuar përgjegjësinë kombëtare e qytetare.
Vepra madhore “Letërsia shqipe-Romantizmi”, me kurorën e plotë të këtij suksesi, monografinë për Naim Frashërin, “Porosia e madhe”, është modeli i përkushtimit atdhetar, sepse ishte Naimi që e ngriti në mit dashurinë për atdheun. Ju i nderuar profesor, jini karakterizuar nga kurajo qytetare dhe intelektuale e pashembullt, tek libri “Populli i ndaluar”, ku trajtoni dramën e shqiptarit, fatin e gjysmës së robëruar të kombit tonë. Për ta ndihmuar eliminimin e kësaj drame kombëtare, ju shkruat dy vepra fondamentale: “Strategjia e bashkimit kombëtar” dhe “Çështja shqiptare”, të cilat kanë në themel zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare. Ato paraqesin një sintezë historike e politike dhe informojnë opinionin e huaj me aspektet themelore të çështjes së pazgjidhur kombëtare të popullit shqiptar, duke dhënë ndihmesën tuaj për zgjimin e ndërgjegjes evropiane.
Fjala juaj në Kongresin e Shkrimtarëve të Jugosllavisë, në Novi-Sad, ishte një mbrojtje lapidare dhe plot dinjitet i çështjes shqiptare dhe kulturës sonë kombëtare. Ju jini intelektuali që i kini paraprirë kthesave të mëdha në jetën shqiptare, jini pasuri kombëtare, dhe nuk ndihem mirë, kur debatet dhe polemikat shkencore, mes prijësve shpirtëror të kombit shqiptar, devijojnë nga misioni iluminist, atdhetar e kulturor. Debate ka pasur e do të ketë edhe në ardhmen, sepse kjo i bën mirë shkencës dhe kulturës shqiptare, por, nuk duhet lejuar mbarsje e atmosferës krijuese me përçarjeve, që na i dëshirojnë të huajt.
Ajo që më nxiti t’ju drejtohem juve, si mësuesit dhe edukatorit tim, është vendosja e barazisë mes kolosit të etnomuzikologjisë Ramadan Sokolit dhe mediokrit Vasil Tole. Sigurisht ju e kini bërë këtë, jo se e njihni veprën e zezë antikombëtare të Vasil Toles, ndonëse ju kam dërguar me Ilir Shaqirin studimin “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare”, por si pozicion shkencor; Sekretar i Akademisë së Shkencave, ndërkohë që prof. Fatos Tarifa, e konsideron “akademikë anonim”.
Ramadan Sokoli ka qenë i pari, që ka bërë trajtesën e parë shkencore në Kongresin e I të Studimeve Albanologjike dhe e ka pagëzuar shumëzërëshin e Labërisë Polifoni shqiptare: “Polifonia jonë popullore me tipare origjinale, të lashta, ka lindur në vendin tonë nga puna e shumë brezave shqiptarësh” (Disa veçori të muzikës sonë popullore, Konferenca kombëtare e studimeve albanologjike. Tiranë 1965, f. 335).
Maje prof. Sokoli, në 23 tetor 2001 në ligjërata e tij në Universitetin e Bolonjës dhe të Venedikut e ripërcakton edhe djepin e kësaj polifonie: “Polifonia jonë popullore në djepin e saj dhe në shtresimet e saj më të hershme mund të duket si më e zhvilluar se në rrezatimet anësore. Nga kjo pikëpamje mund të mendohet se qendra e rrezatimeve të polifonisë sonë popullore është Labëria, aty ku kemi frakturat katërzërëshe, të cilat vijnë duke u pakësuar sa më shumë largohemi së andejmi”. (“Amëza Letrare”, Romë, 20 mars 2004)
Por prof. Sokoli, nga Bolonja, shpreh keqardhje: “Mohohen arritjet e muziktarit që parapriu në disa degë të muzikologjisë shqiptare.” Dhe kjo i drejtohej Vasil Toles, që me “iso-polifoninë”, e tij, u bë varrmihësi i të madhit Ramadan Sokoli dhe studiuesve të tjerë shqiptarë, që për 50 vjet dokumentuan Polifoninë popullore shqiptare, si kultura e hershme e shqiptarëve. Por në mënyrë tinëzare, pas vdekjes së Çesk Zadesë, Ramadan Sokolit, Beniamin Krutës, bëri manovrimin antikombëtar: “…dëshmi e lidhjes që kanë Sirenat dhe kënga e tyre, me prejardhjen dhe shtratin e vërtetë të dukurisë së jashtëzakonshme muzikore të iso-polifonisë.”
Pra i nderuar prof. Qosja, na qenka kënga e sirenave greke, (qënie mitologjike) dëshmi e shtratit të polifonisë, dhe jo Labëria, sikundër e ka dokumentuar Ramadan Sokolit. Madje pa studime dhe pa e konsultuar këtë me studiuesit e tjerë shqiptarë, Tole deklaron: “Fillesa e iso-polifonisë popullore shqiptare dhe e krijimeve artistike shpirtërore popullore në përgjithësi, një nga dukuritë më të hershme të muzikës shumëzërëshe në Europë e më gjerë.”
Pra sipas Toles, Shqipëria nuk ka më identitet kulturor, sepse Polifonia si e tillë, na qenka evropiane, jo shqiptare, ndërkohë që studiuesit e huaj e konsiderojnë kulturë ilire! Në simpoziumin e Polifonisë Ballkanike, organizuar në Tiranë në tetor 1989, muzikologu grek Nikos Dionysopoulos, në kumtesën -“Kalimeret e Karthapos – një formë tipike e polifonisë”, parashtroi të dhëna rreth dukurisë polifonike që në trevat e Greqisë së brendshme e në Epir, shtjellohet mbi bazë pentatonike, ndërsa nëpër Traki, në ishujt jonike, në Dodekanez dhe veçanërisht në ishujt Karpatur, shtjellohet mbi shkallë heptatonike. Ndryshimi është i madh, çka na provon se vetëm Epiri, i cili nga historianët shqiptar, veçanërisht nga prof. Pëllumb Xhufi përmes veprës. “Arbërit e Jonit”, ka qenë shqipfolës me autoktoni shqiptare, ka polifoni soi Labëriame pentatonin.
Për të fshehur aktin antikombëtar, Vasil Tole ka abuzuar me emrin e Ramadan Sokolit, duke e vendosur si “President Nderi” i paçavures jetëshkurtër, “Gazeta iso-polifonike”, në vitin 2006, kur ai ishte në shtratin e vdekjes, për ta kaluar si të mirëqenë krijesën e tij të shëmtuar “iso-polifoninë”. Këtë manovrim e përdori edhe me emrin e prof. Çesk Zadesë, të cilin e përdor si redaktor të librit për “iso-polifoninë”, dy vjet pasi prof. Çesku kishte vdekur!
Në simpoziumin e 25 nëntorit 2015, muzikantët dhe studiuesit shqiptarë si Limos Dizdari, Aleksandër Peçi, Pirro Miso, Roland Çene, Bajram Lapi, Pëllumb Xhufi, etj., kanë kumtuar kundër dredhisë së Vasil Toles, që pa marrë mendimin e studiuesve të tjerë e futi “iso-polifoninë” në UNESCO. Rezoluta e dënon aktin e tij antikombëtar: “Muzika tradicionale shumë-zërëshe, është një ndër pasuritë më monumentale dhe nga më të çmuarat e kombit shqiptar. Duke qenë element i rëndësishëm i kulturës etnike të popullit tonë, format e të kënduarit e të luajtur me instrumente muzikorë tradicionalë në forma polifonike, janë ruajtur dhe trashëguar nëpër shekuj, si visare identifikuese të shqiptarëve.
Studiuesit shqiptar, qysh në Kongresin e I të Albanologjisë, shkencërisht më të përshtatshëm për të karakterizuar muzikën tradicionale shumë-zërëshe shqiptare, kanë përdorur nocionin “polifoni popullore”. Vitet e fundit në fushën e etnomuzikologjisë, janë anashkaluar konkluzionet e studiuesve në fushën e etnomuzikologjisë, duke mbajtur qëndrime tjetërsuese me emërtime arbitrare të ashtuquajtur: “iso-polifoni” si dhe “iso-polifoni me vegla”, duke sjellë pështjellime të natyrave të ndryshme në këtë trashëgimi kulturore mijëra vjeçare. Ky term i tjetërsuar, pa sendërtimin terminologjik e shkencor, së bashku me aludimet antikombëtare që po i bëhen origjinës për gati një dekadë, ka sjellë mjegullime të cilat kanë krijuar shqetësime e reagime, si në radhët e bartësve tradicionalë ashtu edhe tek studiuesit e specialistët e mirëfilltë të disiplinave përkatëse shkencore të etnomuzikologjisë dhe etnoorganologjisë shqiptare.
Nocioni “iso-polifoni” dhe “iso-polifoni me vegla”, nuk individualizon semasioligjikisht strukturat e shumë-zërëshit të muzikës tradicionale polifonike, nuk pasqyron shkencërisht përmbajtjen kuptimore të termit, duke sjellë një konfuzion edhe në trajtimin e elementeve të tjera sinkretikë të zhanrit të polifonisë shqiptare. Një nocion i tillë ka cenuar e po cenon besueshmërinë shkencore të etnomuzikologjisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit.
Ndërkohë, nocioni “iso-polifoni” mendoj se nuk e karakterizon shkencërisht drejt thelbin e kulturës muzikore shumë-zërëshe të kombit shqiptar. Po ashtu, duke shkuar hapur kundër nocionit të mirënjohur tradicional “polifoni popullore,” një nocion i tillë dashur-padashur e zbeh besueshmërinë shkencore të etnomuzikologjisë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit. Mjerisht, nocioni “iso-polifoni” duket sikur është përdorur arbitrarisht, rastësisht, personalisht, thjesht për të kënaqur fantazinë e dikujt. Ne nuk njohim asnjë nocion abuziv, asnjë dualitet përveç atij të operuar në Kongresin e I të Albanologjisë në vitin 1959 dhe në simpoziumin e sipërpërmëndur”.
Dhe për ta bërë më të prekshëm, i nderuar profesor po ju sjell edhe fragment nga kumtesa e mikut tuaj, kryetarit të Shoqatës Labëria, Prof. Dr. Ago Nezha: “Këtë pasuri të lashtë, Polifoninë Popullore Shqiptare, që na e përcollën të parët tanë Kaonët, duhet ta mbrojmë nga çdo virus që kërkojnë ta infektojnë dhe tjetërsojnë për interesa komerciale. Kushdo qofshin ata që duan ta pagëzojnë apo modifikojnë polifoninë, gabojnë rëndë se nuk do mund ta divorcojnë nga realiteti historik, këtë thesar unik të trevës së Labërisë. Polemikat mediatike të autorëve, që mbrojnë polifoninë në poligonin e qitjes të disa akademikëve apo qukapikëve që dalin me tezën e iso-polifonisë, i kam konsideruar si një kontribut intelektual për të ruajtur identitetin e këtij thesari të artë, që duan ta shpërdorojnë individ të veçantë për qëllime të mbrapshta.
Polifonia është gurra jonë popullore, që buron nga shekujt dhe vjen e kristaltë deri në ditët tona pa u ndotur në rrugëtimin e saj të gjatë”.
Sikundër shihet i nderuar profesor, ju pa dashje i kini dhënë Vaso Toles një furkaçe, që të mbështete mirë në qëllimet e tij antikombëtare, ndërkohë që ne presim mbështetjen tuaj për të mbrojtur kulturën tonë kombëtare, sepse Polifonia tre dhe katërzërëshe që është futur në UNESCO, ka shtrije gjeografike në Epir, për të cilin qarqe të caktuara synojnë ta shpallin greke. Dhe para pushtimit politik, synohet pushtimi kulturor! Këtë e përforcon, se menjëherë pas “iso-polifinisë”, me djepin tek sirenat greke, Vasil Tole futi në UNESCO edhe vallen e Dropullit, valle e cila nuk gjendet në zonat e tjera të Greqisë, përveç në Dropull, i cili bën pjesë në Epir. Mundet që akademiku Tole të ishte kujdesur edhe për vallen e Lunxhërisë e cila ka shoqërim vokal dhe një kostum të rrallë, që UNESCO, do ta kishte thithur, por Tole u nxitua vetëm për krijimet që i quan me origjinë greke dhe me gërnetë, sikundër kërkon të futë në UNESKO, sazet iso-polifonike, me paramendimin se edhe ato janë greke!
Ju e vlerësoni Vasil Tolen në një rang me Ramadan Sokolin, ndërkohë që ai nuk ka asnjë vepër për të qenë, asgjë origjinale, askush nuk e referon, ndërkohë që prof. Sokolin e referojnë të gjithë muzikant dhe studiuesit. Pa dashur, ju i nderuar profesor, që kini qenë një nga shqiptarët më kombëtarë, kini mbështetur antikombëtarizmin!
Ju përshëndes përzemërsisht, dhe ju jam mirënjohës për gjithçka të mirë që kini folur për mua në Gjirokastër. Mbetem me bindjen se do ta plotësoni njohjen tuaj me dredhitë e “iso-polifonisë”.

I nderuar z. Caushi . Ju pergezoj per kete artikull me shume vlera. Me argumenta sillni bindshem vertetesine e disa fakte reale. Ju falemnderit!
E meriton katerciperisht emrin caush-karabush,vec per ate:
E vlerson shume Rexhep Qosen,vacanerisht,pasi ka mburur caushin,doren vet.
Kurse nga na tjeter e fyen keq Qosen,duke e paraqitur si medioker,pasi pasi vet Qosja,paska mburur armikun e Caushit,Tolen.
Per asgje nuk habitem,vec per ate,qe si lejon Dita,qe nje capacul si caushi,te vazhdoje te shkaravise faqet e saj.