Me zgjedhjet e fundit lokale ish-komuna e Dajtit u bë pjesë e Bashkisë së Tiranës. Ky rajon ka mjaft qytetarë që bëjnë jetën aktive në të gjithë pjesët e Bashkisë së Tiranës. Veç punonjësve që janë anë e mbanë Bashkisë së Tiranës, ka studentë, ka nxënës shkollash filloresh e të mesme, ka në çerdhe dhe në kopshte etj. Pse duhet që këta anëtarë të Bashkisë së madhe të Tiranës të jenë të diskriminuar në të drejtën për lëvizjet urbane? Mendojmë se nuk është e drejtë që linja urbane e Linzës të mos njohë abonetë e përgjithshme. Veç kësaj, për ne që udhëtojmë përditë, kjo linjë është jashtë standardeve bashkëkohore të urbanistikës, sepse nuk ka ajër të kondicionuar, dyert e autobusëve herë hapen herë nuk hapen, në kohë shiu pikojnë, ka mjaft gjëra për të dëshiruar siç është pastërtia, disiplina e lëvizjes, e respektimit të rregullores nga personeli i shërbimit po ashtu është në një nivel as rural (disa shoferë dhe fatorino ndezin duhanin si pa gjë të keq, me shoferët bëjnë muhabete sikur janë në kafene dhe e ngrenë radion në kupë të qiellit) etj. Edhe disa autobusë të “rinj” që po shohim, na duken që i kanë nxjerrë jashtë përdorimit fshatrat e shteteve të tjera. Me zgjedhjet e reja shpresojmë që Bashkia e Tiranës mos të mjaftohet vetëm me lyerjen me bojë të kazanëve tejet të vjetër të plehrave, por të vërë para përgjegjësisë kompanitë e pastrimit për të realizuar kontratën e investimeve përkatëse.
Nga disa qytetarë që banojnë në ish-komunën Dajt.
