Një lis i madh që i pëlqenin edhe kallamat…

Leda Hysa

 

Xhevdet Shehu

Kur Sadije Agolli, bashkëshortja e Dritëroit, më telefonoi për idenë dhe projektin e një libri me kujtime miqsh të Dritëroit në 2-vjetorin ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe poetit të shquar, u entuziazmova. Në njëfarë mënyre, ky është një libër i pashmangshëm. Thelbi i këtij libri është i thjeshtë: Dritëroi – Njeri.

As që e vë fare në dyshim se për një personalitet shumë dimensional si Dritëroi do të shkruhen pambarimisht libra me kujtime dhe studime në vitet dhe kohët që do të vijnë. Dritëro Agolli është një nga figurat më të shquara dhe emblematike të kulturës shqiptarë, ndaj kam bindjen se brezat e ardhshëm do ta kujtojnë krahas Naim Frashërit, Fan Nolit, Migjenit dhe Ismail Kadaresë. Për Dritëroin do të shkruhet pambarimisht nga miqtë e panumërt të tij. Ai ishte një njeri i madh, një shkrimtar i madh popullor dhe një poet i shkëlqyer.

Si i tillë është i pashmangshëm.

Kam patur fatin të isha bashkëkohës i tij, ta njoh nga afër dhe të ruaj si një nga gjërat më të shtrenjta miqësinë me këtë personalitet të madh. Ruaj kujtime të rralla nga ai, të cilat më kanë bindur se me veprën që bëri, me jetën dhe marrëdhëniet që krijoi e ka të fituar betejën më përjetësinë…

***

E kam njohur Dritëro Agollin kur isha 20 vjeç. Ishte viti 1975. Sapo kisha botuar shkrimet dhe ciklet e para me poezi. Ai ishte Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe një poet shumë i njohur. Ishte fat ta njihja personalisht.

…Një takim në sallën e kinemasë të Institutit Bujqësor me më shumë se 400 pjesëmarrës la një mbresë të madhe. Me atë thjeshtësinë natyrale që do ta njihja më mirë më vonë, Dritëroi i bëri për vete të gjithë duke folur me një respekt të thellë për fshatarët, për bujqit, për blegtorët. Në atë takim Dritëroi tha se nuk ka letërsi pa fshat, pa dele, pa lopë, pa bletë dhe pa… fshatarë. Unë jam fshatar, tha Dritëroi me një natyrshmëri që atij i shkonte aq shumë për shtat. Pastaj foli për letërsinë dhe recitoi edhe vjersha popullore që i dinte përmendësh. Dritëroi ishte një adhurues i madh i folklorit, dinte përmendësh pafundësisht këngë popullore, vargjet e të cilave i përmendte shpesh. Pathosi me të cilin i përmendte kishte dhe nëntekstin për krijuesit e rinj: Doni të bëheni dikush, shkruani kështu si shkruan populli! Kjo krijimtari ka një emër të papërcaktuar apo të përgjithshëm që quhet popull. E ky popull me dekada dhe shekuj i ka latuar thepat e panevojshëm, si puna e atyre zajeve të lumit, duke u dhënë një formë të përkryer krijimeve të tij. Popullin nuk e arrini dot, por bëni një emër që t’u nderojnë, ishte mesazhi i Dritëroit.

Në një nga ato takimet e tjera, Dritëroi ndër të tjera recitoi:

“Tatëpjetë bregut vinje,/ moj leshverdha trëndelinë./ Dola duke qeshurë… / Thashë se vije tek unë, /Ti shkoje ku kishe punë…/ Ika zemëruaro”. Pastaj recitoi: U plake mike u plake,/ branë i heq ato çorape,/ u plake mik edhe tinë, / mbete si kali në brinjë…

Dritëroi nuk e bënte pa qëllim këtë. Është shpirti i popullit në ato vargje. Me vite dhe shekuj. Është një filozofi e tërë që ka bërë të shemben perandori e qeveri, të munden pushtues dhe të bëhet një art i pavdekshëm. Dritëroi e dinte çelësin e kësaj magjie. Kjo frymë popullore ndihet në gjithë krijimtarinë poetike të Dritëroit që mendoj se do të jetë një objekt i pashtershëm studimesh dhe interpretimesh. I patjetërsueshëm dhe i padyshimtë mendoj se do të jetë fakti se Dritëroi do të jetë dhe do mbetet një nga poetët më popullorë shqiptarë të të gjitha kohërave. Pikërisht për këtë frymë popullore të tij, të njëmendët dhe të cilën e nuhasnin dhe ndjenin të gjithë lexuesit e tij.

***

Ishte viti 1977. Kisha përgatitur një vëllim poetik të cilin e kisha titulluar “Klorofilë” që më vonë, po atë vit, do të botohej nën titullin “Blerimet e marsit”. Me atë entuziazmin e një 22-vjeçari vete dhe ia jap Dritëroit. Ai ia dha për redaktim redaktorit të revistës “Nëntori”, poetit Llambro Ruci. E ruaj si një nga kujtimet më të mira këtë fakt, të cilin ma përmendi Dritëroi kur kemi bërë këtë fotografi që po e botoj në shoqërim të këtij shkrimi…

Një ditë i shkova Dritëroit në zyrë dhe me rastin e muajit të letërsisë i propozova të bëja një “diskutim krijues”, sikurse quheshin në atë kohë promovimet, për vëllimin me poezi të Ismail Kadaresë “Koha” që sapo kishte dalë në qarkullim. Më kishte pëlqyer së tepërmi libri dhe duke shfrytëzuar miqësinë me kryetarin e Lidhjes, nxitova që të mos dilte ndonjë tjetër “të ma merrte stafetën” e ta bënte këtë promovim. Pasi ndezi një cigare, ashtu i menduar por me një ngazëllim të mezikapshëm, Dritëroi më tha:

“Shumë mirë! Bëje! Do e njoftojmë edhe Ismailin të vijë aty…”

Caktuam datën dhe… Ismaili erdhi me makinën “Fiat” të Lidhjes bashkë me shkrimtarin Hasan Petrela në datën dhe orën e caktuar. Gjithçka kaloi shumë mirë…

Vite më vonë mora vesh “hatanë” që kisha bërë. Nuk e dija se para vëllimit “KOHA” Ismaili kishte marrë një kartelë të verdhë a të kuqe nga lart fare! Atij i ishte bllokuar, domethënë ndaluar apo dënuar poema që tashmë njihet me titullin “Pashallarët e kuq”, por që në të vërtetë titullin origjinal e ka “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Atëherë mund të kishte pëshpërima midis shkrimtarësh, por nuk kishte njoftime publike për akte të tilla. Unë nuk e mora vesh atëherë fatin e pashallarëve…

Për promovimin e librit “Koha”, pas kaq shumë vitesh mund të them se çmoj më shumë gjestin fisnik të Dritëroit që më lejoi të bëja një promovim libri që lehtësisht mund të konsiderohej një blasfemi. E kam çmuar këtë gjest të Dritëroit si një akt fisnik dhe dashamirës ndaj Ismailit…

***

Dritëroi na bënte të befasoheshim sa herë e dëgjonim. Poet sa fshatar, aq dhe modern. Kishte përkthyer një sërë poetësh rusë, përktheu Robert Bërnsin me “Xhon Kokërr Elbin”, (sipas motiveve të cilit shkroi baladën e famshme të “Rrush Rushitit”) por ndërkohë bëri një “provokim” të madh: Përktheu Pol Elyarin, një poet modern krejt i ndryshëm nga të mëparshmit që kishte përkthyer. Këtu mendoj se poetët shqiptarë “u çoroditën”: O me Bërnsin, o me Elyarin! Dritëroi i hodhi zaret në tavolinë dhe u tha poetëve: Zgjidhni!

Ndërsa vetë në të gjitha poezitë dhe vëllimet që shkroi deri në fundin e jetës tregoi se i njihte të gjitha rrymat dhe prirjet, i pëlqente të gjithë. Por nuk e tradhtoi veveten: Mbeti Dritëro!

Në një nga takimet me lexuesit tregoi se jo më kot librat me poezi dhe me prozë të tij  kanë temë kryesore fshatin. “Unë e dua shumë fshatin, tha Dritëroi. Aty është jeta reale, aty janë njerëzit e vërtetë, të cilët unë i kam kthyer në personazhe të librave të mi. Mirëpo që ta përshkruash me realizëm atë jetë fshatare është një sakrificë. Leon Tolstoi hoqi dorë nga titulli i Kontit. Robert Bërnsi jetonte me fermerët kur bënte ato poezi të mrekullueshme. Unë i di këto fate krijuesish, ndaj i lexoj me shumë kënaqësi librat që kanë të bëjnë me bujqësinë. Shkrimtari duhet të jetë i saktë kur shkruan. Ne jemi një specie e çuditshme, tha ai për shkrimtarët. Por, jo të gjithë shkrimtarët janë të mençur. Unë mendoj se shkrimtarët që nuk e njohin fshatin janë të pasuksesshëm. E gjithë bota është një fshat i madh…”

Këtë përcaktim Dritëroi e thoshte në një kohë që ne ishim një vend komunist dhe pretendonim se ishim kërthiza e botës. Ishte një kohë kur nuk njihej interneti dhe telefonat celularë…

Dritëroi në ato vite ishte në moshën mesatare, rreth 45 vjeç.

***

Nga Dritëro Agolli kam mësuar shumë. Sidomos marifete profesionale. Sidomos për gazetarinë. Dritëroi është një nga gazetarët më të mëdhenj të Shqipërisë. Ai ka qenë një nga gazetarët më të shquar të “Zërit të Popullit”, para se të bëhej Kryetar i Lidhjes, por është mjaft domethënës fakti se ai nuk u shkëput asnjëherë nga gazetaria. Krijimtaria e tij publicistike pas vitit 1990 është një dëshmi e pakontestueshme se ai e pëlqente shumë gazetarinë dhe kontaktin e përditshëm me lexuesit. Dhe në këtë lëmë ai la një dëshmi të shquar, e cila do të vlerësohet, besoj, po aq sa edhe krijimtaria tjetër e tij.

Më thoshte Dritëroi:

“Do që të bësh gjëra të bukura? Intervistat dhe bisedat me njerëzit, qofshin këta politikanë, intelektualë, bujq apo blegtorë janë shumë të rëndësishme dhe lexohen shumë. Ato mund të të shërbejnë edhe për subjekte tregimesh e krijimesh artistike të mëvonshme. Duhet të kesh parasysh një gjë fare të thjeshtë: Të gjithë këta janë të barabartë para gazetarit. Mirëpo, sapo ti si gazetar nxjerr bllokun e mban shënime (ishim në kohën e regjimit komunist kur diktofonët ishin ende të panjohur, pa le celularët e sotëm), bashkëbiseduesi stepet dhe fillon e ligjëron si në mbledhje: Sipas mësimeve të shokut Enver dhe Partisë ne kemi arritur suksese madhështore…  Këtu fillon falsiteti. Bashkëbiseduesi tendoset dhe e kontrollon veten se mos bën ndonjë gafë që mund ta përjashtojë nga partia…

Këtë këshillë të Dritëroit e kam pasur përherë si një postulat në punën time si gazetar dhe jam bindur për këtë. Intervistat më të bukura kanë qenë ato që kam realizuar si një bisedë e lirë, pa mbajtur shënime në bllok, apo pa përdorur diktofonin.

***

Humori i Dritëroit është proverbial, i papërsëritshëm. Humori është veti e njerëzve të kulturuar. Këtë aftësi Dritëroi e ka kurorëzuar tek romani i tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Por edhe në mjaft krijime të tjera, edhe në poezinë, prozën dhe publicistikën e tij. Ai e pëlqente shumë humorin, por kishte një të qeshur të përmbajtur. Vinte buzën në gaz dhe kur i pëlqente ajo që kishte dëgjuar, thoshte “Bukur”. Sepse Dritëroi ishte serioz edhe në humorin e tij. Si në gjithë sjelljen e tij. Nuk e pashë asnjëherë të ngutet, të rendë me nxitim në rrugë, apo kur bisedonte apo fliste nëpër mbledhje. Sidomos kur fliste, ai ishte tejet serioz edhe kur bënte humor…

Dritëroi ka qenë i jashtëzakonshëm në tavolina. Çlirohej nga të gjithë skrupujt dhe i konsideronte të barabartë ata që ulte apo uleshin në tavolinë me të. Po tregoj këtu ndonjë nga episodet që i kemi biseduar në takime apo që m’i ka treguar vetë ai:

…Ka shumë vite që tregohet një ngjarje në kufijtë e barcaletës. Shkon Dritëroi në një fshat të Vlorës nga mesi i viteve ’70 dhe bujt si mysafir në një shtëpi. I zoti i shtëpisë, duke parë se i erdhi një mik i shquar, thirri gjysmën e fshatit për të nderuar mikun. Dhe vuuu, mish e raki si në Labëri. Dritëroi tregonte e bisedonte aq çiltër dhe ata kënaqeshin me mençurinë e shkrimtarit. Nga mesi i muhabetit , çohet një lab dhe propozon të pinë të gjithë një shëndet me fund, pra një gotë plot për Dritëroin, duke thënë:

-Të paçim, o Dritëro, me fund! Të na rroç sa malet!

Ia kthen Dritëroi:

– Unë nuk e pi këtë dolli. Pse do thoni ju? Sa malet të rrojë shoku Enver. Ne të tjerët le të rrojmë sa kodrat dhe luginat…

Qeshën ata që ishin të pranishëm në atë darkë në një fshat të Labërisë, por… ajo shaka mori dhenë e mbërriti deri tek Enveri. Edhe ai kishte qeshur me të madhe. Disa thonë se pasi kishte qeshur, Enveri kishte thënë “Qerrata i madh ai Dritëroi…”

E pyeta një ditë Dritëroin në shtëpinë e tij se sa e vërtetë është kjo, pasi unë e përdor shpesh këtë histori, sidomos kur ndodhem në situata të ngjashme si ajo.

Është plotësisht e vërtetë, më tha.

Pastaj shtoi: Kjo nuk është gjë para kësaj që do të tregoj tani:

Ishte një plenum i Komitetit të Partisë së Korçës. Sekretar i Parë i Korçës ishte Mihallaq Ziçishti. Unë shkova si i deleguar i Komitetit Qendror. Mbledhja si mbledhje. Parulla, fjalime dhe besnikëri e pafund ndaj partisë dhe shokut Enver. Vëreja me vëmendje se të gjithë e kishin mendjen tek pasmbledhja. Ishte një darkë ku kishte mish e raki pa hesap. Në fakt, edhe unë atje e kisha mendjen… E, vajtëm në darkën e shtruar. Unë si i deleguar isha në krah të Mihallaqit. Pasi u ngroh muhabeti, ngrihet Mihallaqi e thotë:

– Do pimë një dolli për shokun Enver! Atje ku ai vë këmbën ne të vëmë kokën…

Nuk më pëlqyen fare fjalët e Mihallaqit. Dhe, ndoshta ngaqë kishim pirë pak, u ngrita e thashë:

– Unë nuk e pi këtë dolli…

Më kthehet Mihallaqi e më thotë:

– Kujdes, Dritëro! Është dolli për shokun Enver kjo!

Unë u kthjellova menjëherë, se ata të sigurimit ishin nëpër këmbë dhe po mendoja si të dilja nga ajo situatë. I kthehem Mihallaqit:

– Unë nuk e pi këtë dolli, pasi e di që shoku Enver nuk është Baba teqeje që ne të vemë e t’i puthim dorën a këmbën, pale të na shtypë me këmbë… Mihallaq, i thashë, unë do vete e do t’ia them shokut Enver këtë…

Ka të drejtë Dritëroi…, tha Mihallaqi.

 

(vijon)

 

Share This Article
4 Comments
  • Po kur shkoi ne Kuç te Vlores: henger mishe pine raki ne darke sa munden. Ne mengjez Driteroi ishte i turullosur dhe i dridheshin duarte e nuk krihesh dot. I zoti shtepise i shqetesuar per kete, ndersa ai qe e shoqeronte, Moikom Zeqo, i thote te zotit te shtepise: jepi nje gote raki plot. AI i jep nje gote raki plote, Driteroi e piu dhe u qetesua e duarte nuk i dridheshin me. Pastaj filloi si dinte ai. Diku e kam lexuar nga Moikomi.

  • Fjala kur shkruhet-peshohet’ o “demo”
    o “demo”komentues…shume te marin per te “mencur”.. Agolli vepronte si pruralist dhe e kishte mire.,
    Tabanit nuk iu largua.;apo jo.
    Dashamiresi D

  • Sa u kenaqa me kete tregim! Te lumte dora e mendja o Xhevdet Shehu! Ke qene me fat qe jo vetem e ke njohur shpejt Driteroin, por qe edhe ai te ka afruar e te ka vleresuar… Pres vazhdimin dhe jam I bindur se do te jete nder tregimet me te goditura tek libri… Rrofsh!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *