Një mënyrë e re për të diagnostikuar sëmundjen e Parkinsonit. Sëmundja që në gjuhën popullore njihet si sëmundja e dridhjes së duarve, e që shpesh ngatërrohet me pleqërinë, mund të diagnostikohet nëpërmjet një analize të gjëndrës së pështymës. Testi në fjalë është ideuar nga Charles Adler i klinikës “Mayo” në Arizona, SHBA, dhe do të paraqitet në takimin e përvitshëm të Akademisë së Neurologëve Amerikanë , që mbahet në San Diego gjatë muajit mars.
Deri më sot, sëmundja e rëndë e sistemit nervor është provuar vetëm nga analiza e indeve të trurit. Por pas analizave që u kryen tek kufomat e pacientëve u vërejt një përbërje jonormale e disa proteinave në gjëndrën e pështymës, gjë që çoi në përfundimin e studiuesit Adler.