E nderuar DITA. Gjithçka fillon si zakonisht, dihet, prej facebook-ut, aty ku frekuenton, trumbeton tashmë e gjithë shoqëria shqiptare, e në masë të madhe edhe rinia jonë. Fillon nga postimet, “llajkat”, e komentimet “pro e kundra” të miqve, miqve të miqve. Tash, në këtë realitet ku jemi, mungesa e aktivizmit qytetar, të qenurit kukulla të qarqeve të caktuara, apo më thjeshtë thënë, mbjellja e farës së keqe, është e dukshme. Por nuk duhet aspak, në asnjë mënyrë të etiketohet si sinonim i të rinjve shqiptarë.
Paria jonë politike, duhet të kuptojë se kështu nuk duhet vazhduar më, sepse me apo pa vetëdije, po ‘mbysin’ veten e tyre, duke degjeneruar rininë shqiptare. Rinia shqiptare nuk e meriton vendin ku ‘ata’ e kanë vendosur; T’i biem vetit mbas sa nuk është bërë vonë, – thotë populli. Vetëdija shoqërore, edhe përkundër gjithë këtyre shtypjeve, prapë po rritet. Rinia shqiptare nuk toleron këtë nënçmim të qenies së tyre, nënvlerësim të intelektualizmit të tyre. Të mos harrojmë se gjithë këto ndryshime të mëdha botërore, kanë ndodhur nga Rinia.
Prandaj si një këshillë për bashkëmoshatarët e mi studentë para se të mbyll Facebook-un, ju kisha lutur, sikur vëllau-vëllanë; aman VETËDIJËSOHUNI, mendoni me kokat tuaja, bëhuni SUBJEKTI/kreatorët/ideatorët/reformatorët dhe jo OBJEKTI/statuja/gravura/kukulla e shoqërisë sonë. PUNONI, STUDJONI dhe gjithmonë bëhuni ZËRI kritik, i çdo parregullsie ekzistuese politiko/shoqërore. Vetëm kështu mund të shkojmë para, drejt njohjes së vetvetes, riformësimit së vetvetes, integrimit të ndërsjelltë e mbjelljes së shqiptarizmës rilindase të pasuar nga shumë e shumë ‘rilindas’ të mëpasshëm, e që padyshim se duhet marrë si shembull i pikësynimit që i vëmë vetes. Zoti na ndihmoftë!
Letër e nënshkruar
Kastriot Osmani – Student i Mjekësisë në Universitetin ‘Shën Kirili dhe Metodij’ – Shkup.
