Një mesazh shprese dhe një satirë

Ornela

Shpresa asnjëherë nuk tretet…

Pas një loti pikëllimi,
një buzëqeshje do të ndrijë,
pas një çasti hidhërimi,
një gëzim i ri do vijë.

Pas një fjale lamtumire,
të pret sërish një takim,
pas një nate errësire,
vjen patjetër një agim.

Po u vyshk një lule zemre,
po u tret një shpresë rinie,
do çeli në zëmrën tënde,
tjetër lule dashurie.

Krejt papritur ndonjë ditë,
mund të thahen edhe detet,
po në zëmrën njerëzore,
shpresa dhe besimi mbetet.

Se pas ikjes së një plaku,
lind një foshnjëz tërë dritë,
se pas ikjes së një nate,
vjen me gaz një tjetër ditë.

Se kështu ka qënë përhera,
se pas dimrit vjen pranvera,
se pas lufte vjen një paqe,
treten lotët përmbi faqe.

“Ku ka si shtëpia?!..” .

Natë e ditë në çdo ekran,
më zë lemeria,
nga zbulimi shekullor:
” Ku ka si shtëpia!.”

Vërtet trapin na ke çarë,
ca si shumë-o plak,
të qe kështu-nuk do kishte,
arrest shtëpiak!.

Jemi qënie shoqërore,
në gjithë këtë jetë,
natë e ditë i mbyllur brënda,
dhe derri pëlcet!.

Ne e dorëzuam lirinë,
pa një e pa dy,
veç nga halli-jo nga malli,
rrimë në shtëpi!

Si ca kukulla prej lecke,
na ka qeveria,
na zbuloi dhe mrekullinë:
“Ku ka si shtëpia!.”

Meqë shkenca ra në gjunjë,
nga kjo pandemi,
në një burg të pashpallur,
kthyem çdo shtëpi!.

Shprehjen:”Nuk ka si shtëpia!.”,
mos e bëni blozë,
s’do duroja as hotelet,
më super luksozë!.

Dhe të kesh super shtëpi,
të lërohet nëna,
kur të heqin çdo liri,
dhe të mbyllin brënda!.

Do të merrja arratinë,
në shpella do flija,
vetëm mos dëgjoja shprehjen:
“Ku ka si shtëpia!..”

A. DUKA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *