Prof. Dr. Ago Nezha
Këto ditë doli nga shtypi monografia e titulluar “ Intelektuali dhe shkencëtari Hysen Çobani”, me autor Dr. Asqeri Llanaj. Kjo monografi të njeh nga afër me madhështinë e jetës dhe veprimtarisë të Profesor Hysen Çobanit, që shpalosi aftësitë e tija drejtuese dhe shkencore në gjigandin e ekonomive bujqësore, ish kooperativën e Cakranit.
Krijuesi Asqeri Llanaj, nuk rresht së shkruari e botuari libra me tematikë të larmishme duke u fokusuar kryesisht në monografi, në jetën dhe veprimtarinë e disa figurave të shquara me përmasa kombëtare, që kanë bërë emër dhe janë gdhendur në kujtesën e komunitetit si arkitekt të transformimit dhe përparimit në sektorin ku kanë punuar. Një ndër këto personalitete të shquara, që e ka pikturuar me penë doktor Asqeriu, është dhe Profesor Hysen Çobani, “Mjeshtër i Madh”, një legjendë e bujqësisë Shqiptare.
Para se të përshkruajmë paraqitjen e kronikës jetësore e profesionale të profesor Hysen Çobanit, mund të themi pa mëdyshje se jeta dhe krijimtaria e Asqeri Llanaj, birit të nderuar të Cakranit të Mallakastrës, është një romancë më vete, ku tregon dhe evidenton mjeshtërinë e autorit për të krijuar një galeri personazhesh, veçanërisht në portretizimin e monografive.
Në tërë marrëdhëniet profesionale dhe shoqërore Asqeriu, reflekton urtësi,mirësi, humanizëm, mirënjohje, modesti dhe energji për të bërë vetëm gjëra të mira. Po të bësh bilancin e jetës së tij, vëren se gjatë gjithë krijimtarisë së tij të bollshme prej disa dekadash, ka qenë një gjahtar perlash për të zbuluar dhe përshkruar shembujt pozitiv të personaliteteve të sektorëve të ndryshëm të jetës ekonomiko-shoqërore. Ky karakter dhe shpirt i pasur human, e ka përfshirë në veprimtari të shumta shoqërore duke ndërmarrë nisma me karakter patriotik, siç është rasti i themelimit të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Cakran”, ku është dhe drejtues i saj qysh nga viti 2004. Për veprimtarinë dhe aktivizimin e gjithanshëm të Asqeriut flasin qartë dhe anëtarësimet dhe nderimet e bëra nga shoqata homologe: “Me Mirënjohje” si Shoqata“Labëria”, Çamëria, Mallakastra Organizata e Veteranëve të LANÇ, Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve, Shoqata Detaria Shqiptare, e shumë shoqata të tjera. Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, Këshilli i Komunës së Çakranit e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Cakranit”. Çdo vlerësim i bërë në adresë të Tij, nuk është një rastësi, por një çmim që ai e ka fituar me punë, përkushtim dhe korrektesë njerëzore.
Doktor Asqeri Llanaj, bën një jetë tepër aktive, duke u përfshirë në veprimtari shoqërore dhe krijuese, duke mos e lëshuar darën nga dora si stomatolog dhe penën si shkrimtar e gazetar. Binomi stomatologji-krijimtari,është motua e jetës së tij. Dy anët e kësaj medalje në pamje të parë duket se nuk i ngjajnë njëra tjetrës, por nën pushtetin e mjeshtërisë së Asqeriut, këto dy parcela kanë qenë dhe janë pjellore në llojin e vet. Ai, ka themeluar dhe është drejtues i Revistës “Cakrani”. Ka me dhjetëra shkrime e publikime shkencore e publicistike në revista shkencore dhe në shtypin periodik. Ka qenë pjesëmarrës në dhjetëra simpoziume e takime të shoqatave, në promovime librash, konferenca historiko-letrare, në ekspozita pikturash e skulpturash.
Në fushën e krijimtarisë, ka plot 24 monografi e portrete për figura të njohura të LANÇ, të punës dhe heroizmit masiv. Në vargun e gjatë të tyre, mjafton të përmendim disa më përfaqësueset e krijimtarisë së tij: Dëshmorët e LANÇ të zonës së Cakranit, Vdekja nuk di të trokasë, Bektash bej Cakrani, Historia flet vetë, Karafila nga Zemuni, Kirurgu duar art Et’hem Kapllani, dhe së fundi monografinë Hysen Çobani, Kryeagronom i Kooperativës Bujqësore “Skënderbej” Cakran.
Në shumësinë e monografive që ka nxjerrë në tregun mediatik, një vend të veçantë zë monografia Hysen Çobani, Kryeagronomi i Kooperativës Bujqësore “Skënderbej” Cakran.
Kërkesa e Doktor Asqeri Llanaj, për të bërë parathënien e këtij libri, më erdhi në një kohë jo shumë të favorshme për obligimet që kisha në fushën e krijimtarisë time. Por në respekt të thellë për personalitetin e Profesor Hysenit dhe jo vetëm, por edhe për autorin e librit, e kisha të pamundur ta refuzoja këtë angazhim nderues edhe për mua. Pasi e lexova me kureshtje jetën dhe veprën e Profesor Hysenit, veçanërisht kronikën në Kooperativën e Cakranit, që për mua nuk ishte një terren i panjohur, por një vlerë e shtuar në njohuritë e mia, si një mik i dashur i imi, që e adhuroja për cilësitë e tija të rralla njerëzore dhe aftësitë e tejskajshme profesionale. Kisha privilegjin se njihja jo vetëm personazhin e librit në tërë dimensionet e tij, por njihja mirë dhe ekonominë e Cakranit, pasi kisha shkruar një broshurë mbi 50 faqe, për këtë kolos të ekonomisë bujqësore në kohën e monizmit. Ky binom njohurish ma bëri më të lehtë për të zhbiruar në pasurinë e ngjarjeve, kujtimeve, dokumenteve, treguesve ekonomik, fakteve, dëshmive të bashkëkohësve dhe bashkëpunëtorëve të vet. Ndërmarrja e Doktor Asqeriut, për të përshkruar jetën dhe veprimtarinë e Profesor Hysen Çobanit, në tërë dimensionet e tij, është një kontribut i çmuar, jo vetëm për individin por edhe për shoqërinë shqiptare. Ende tek ne nuk është bërë edukatë sociale, që për figura të shquara të përmasave kombëtare, të investohen jo vetëm individ me prirje pozitive apo aftësi rrezatuese, por edhe struktura të larta shtetërore, për t’i bërë të njohur në mjedisin e gjerë shoqëror.
Dimensioni Profesional
Në kuptimin më të gjerë të kronikave jetësore, jeta dhe aktiviteti i një personaliteti shkencor siç është dhe jeta e Profesor Hysen Çobanit, nuk mbështillet në guaskën e individit, por kapërcen në sfondin shoqëror. E tërë historia kontributive, e këtij mjeshtri të madh të punës, ka kaluar nëpër batica dhe zbatica të zhvillimeve politike, ekonomike e shoqërore në dy epoka, atë të sistemit monist dhe në vitet e demokracisë. Jeta dhe veprimtaria e Profesor Hysenit, është shëmbëlltyrë e mijëra specialistëve të bujqësisë dhe ka në thelb përfytyrimin e tablosë të bujqësisë shqiptare. Bujqësia shqiptare pas çlirimit të vendit, trashëgoi një prapambetje ekstreme,feudale. Transformimi, intensifikimi dhe modernizimi i saj erdhi si rezultat i një pune kolosale të një gjenerate specialistësh jo vetëm të aftë profesionalisht, por të përkushtuar deri në sakrifica si idealist. Ishte kjo plejadë specialistësh të bujqësisë, që për nga niveli shkencor, dijet agronomike dhe formimi si kuadër drejtues, ishte në përmasat e vendeve më të zhvilluara europiane. Profesor Hysen Çobani, kur u nderua me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”, nga Presidenti i Republikës,në fjalën e tij përshëndetëse tha se: “ Specialistët e bujqësisë shqiptare, konkurrojnë me specialistët e nivelit më të lartë të vendeve të zhvilluara europiane”. Është tjetër gjë teknika dhe teknologjia e përparuar e vendeve të zhvilluara të Europës dhe tjetër gjë kapaciteti shkencor i specialistëve të bujqësisë në vendin tonë, që bën revolucion shokues në bujqësi. Profesor Hysen Çobani, në gjigandin e ekonomisë bujqësore të Cakranit, siç e përshkruan autori në librin e tij, futi metoda shkencore në bujqësi, në të gjitha kulturat bujqësore, të arave, perimeve dhe pemëtarisë. Ai, arriti të marrë rezultate të larta në kulturën e misrit edhe mbi 100 kv/ha, të grurit mbi 50 kv/ha, po kështu edhe në kulturat e tjera bujqësore, rendimente këto, që do ja kishte zili çdo vend i përparuar i Europës. Krahas punës organizuese e drejtuese të ekonomisë me mendim shkencor, ai kryente dhe eksperimentime shkencore në kushtet tokësore dhe ekologjike të ekonomisë. Këto metoda e bënin të pavarur, autoritar dhe krijues në punën me prodhimin.
Jo vetëm në Cakran, por kudo ku ka punuar e jetuar “Mjeshtri i Madh i Punës”, Hysen Çobani, ka shkëlqyer me rezultatet e tija të larta dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ekonomitë bujqësore. Aftësitë e tija profesionale e kishin bërë triumfator në të gjitha ekonomitë ku ka qarkulluar. Modeli i rendimenteve të larta në kooperativën e Cakranit, u transferua në kooperativën e Pezës dhe Ndroqit dhe më pas në Ndërmarrjen Bujqësore Shtetërore të Vorës, ku edhe aty shënoi një kampion, mbi 100 kv/ha misër. Shembulli i tij ishte bashkëshoqërues në çdo sektor ku ka punuar. Profesor Hysenin e kemi parë si orkestrant të bujqësisë në të gjitha rolet. Pasi la gjurmë të pashlyeshme në ekonomitë bujqësore ku punoi e drejtoi, ai e ndali vrapin te Instituti i Perimeve e Patateve në Tiranë, si drejtues i këtij institucioni shkencor. Falë kulturës së tij profesionale, por jo vetëm por edhe kulturës letrare e shkencore, ai dinte të adaptohej dhe kurohej në të gjitha pozicionet që i servirte jeta. Me ndryshimin e sistemit monist në atë demokratik, ai besoi në vlerat e demokracisë, por u zhgënjye shpejtë nga pragmatizmi dhe oportunizmi i faktorit politik. Ky realitet i hidhur i politikës shqiptare, e deziluzionoi dhe e gjeti qetësinë shpirtërore te ushtrimi i veprimtarisë private në sektorin e perimeve, një nga dashuritë profesionale që kishte ëndërruar e provuar i suksesshëm para viteve 1990. Ai, e donte punën dhe nuk u nda prej saj, deri sa mbylli sytë përgjithmonë.
Dimensioni Njerëzor
Profesor Hysen Çobani, qysh në paraqitjen e parë rrezatonte mençuri, mirësi, dashuri njerëzore. Ishte intelektual i formuar me kulturë të gjerë, me horizont jo vetëm profesional, por dhe letrar, artistik e muzikor. Madhështia e trupit shoqërohej me madhështinë e shpirtit. Ishte i thjeshtë, komunikues, i papërtuar ndaj çdo kërkese të kolegëve, i gjendur pranë nevojave dhe halleve të shokëve.
Kudo që e përplasën dallgët e jetës, nuk u ankua e as ligështua para vështirësive. Dinte të ngrihej në këmbë, edhe kur kërkonin ta pengonin apo ta përgjunjin në punën e tij drejtuese. Ishte një bashkëshort e prind model që krahas përkushtimit në punë nuk e harronte përkujdesjen për familjen e tij të nderuar. Ai, mbetet specialisti shembullor, njeriu model dhe prindi virtuoz.
Dimensioni Patriotik
Libohoviti Hysen Çobani, ishte i mbrujtur nga prindërit e tij me ndjenja të thella atdhetare. Ai, u lind e u rrit në një familje me tradita të ngjizura patriotike, e me ndjenja të theksuara kombëtare. I donte me shpirt njerëzit dhe i dhimbsej varfëria që kishte pllakosur në vatrat shqiptare. E vuante shpirtërisht copëtimin e Shqipërisë dhe fliste vazhdimisht për padrejtësitë që i kishin bërë vendit tonë fuqitë e mëdha në 1913. Shprehte urrejtje për disa politikanë ekstremist, që bënin ndarjen Jug-Veri. I kujtonte me nostalgji plantacionet e pemëve frutore, ngrehinat e serrave me ngrohje dhe komplekset blegtorale, që u shkatërruan në emër të teorisë famëkeqe zero. Profesor Hyseni, ishte i zhgënjyer dhe nga qëndrimet e qeverisjes në vitet e demokracisë, që nuk mundi të rehabilitojë dhe ringrejë një bujqësi intensive. Dënonte me forcë politizimin e bujqësisë, ku shumë specialistë të zotë u flakën në rrugë për përkatësi partiake dhe nuk u shfrytëzuan dijet e tyre shkencore. Ai, e kishte gjetur veten duke u përfshirë në ekonominë e tregut. Me aftësitë e tija profesionale të trashëguara, kishte krijuar një qendër për prodhimin e farërave të perimeve. Gjatë një bisede në kafe, duke qenë se unë punoja në Drejtorinë e Informacionit në Ministrinë e Bujqësisë më tha: “Një gjë nuk kam arritur të kuptoj i dashur Ago, si nuk më thirri një ministër bujqësie për të shkëmbyer mendime, se përvoja pa para është”. E dëgjova dhe pashë se në sytë e tij plot shkëlqim shprehte pikëllim për gjendjen ku ishtë katandisur bujqësia shqiptare. Për ta qetësuar i thashë: “Profesor unë të di për burrë të mençur, përse duhet t’ju thërrasin juve, kur ata nuk mendojnë si ta rregullojnë bujqësinë. Ata, nuk thonë çfarë bëra sot, por çfarë fitova sot”. Ai, qeshi me dhimbje dhe këtu u mbyll biseda, por jo shqetësimi i tij…
Historia e jetës dhe veprimtarisë së Profesor Hysen Çobanit, është një enciklopedi më vete, që falë iniciativës së autorit Doktor Asqeri Llanaj, ka trokitur në disa detaje që i bën të njohura për lexuesin, pasi janë paraqitur me vërtetësi, qartë, bukur dhe që lexohen me kureshtje e kënaqësi.
Autorit Asqeri Llanaj, të apasionuar pas evidentimit të figurave të shquara kombëtare, i uroj të mos e ndal maratonën në gjetjen e personaliteteve që kanë lënë gjurmë në jetën shqiptare.
