Në këtë fillim viti, si rrallë herë, Shkodra kishte një mungesë të ndjeshme e cila, sa më shumë të shkojnë vitet, aq më shumë do të bëhet e pranishme. Ajo është tashmë pa një emër të madh të muzikës së saj popullore, më saktë, ajo është pa emrin më të veçantë të saj, pa njeriun që e simbolizonte prej dekadash emërin e saj: është pa Bik Ndojën.
Bik Ndoja u nda para disa ditësh nga jeta. Ishte i moshuar, është ndër ato rastet e veçanta kur e gjithë një jetë mbyllet ashtu si kishte rrjedhur: E qetë në thelbin e saj, e dhimbshme në largimin e tij, me ndjenjën e mungesës që fshihej pas zërit të papërsëritshëm dhe të një jete, që si zëri i tij, ishte e pastër, e ndershme deri në skajin njerëzor, dhe, do të thoja, rrallë herë e përsëritshme.
Sa herë që kemi thënë emrin e Bik Ndojës na janë përfytyruar jaret e famshme shkodrane, për të cilat, një artist tjetër i madh, Prenkë Jakova, do të thonte dikur se ata nuk janë jare, por arie.
Jaret shkodrane, apo ariet e këngës sonë popullore shkodrane, kishin gjetur tek Bik Ndoja njeriun e tyre, i cili dukej sikur kishte lindur pikërisht për të kënduar ato, ishte bërë si të thuash mishërimi i tyre, vazhdimësia e thelbit të shpirtit të popullit, derdhur në atë mrekulli notash. Nuk e di si kanë lindur ariet shkodrane, në më të shumtën e tyre ato janë krijuar nga artistë që kishin kaluar një pjesë të jetës së tyre në perëndim, sidomos në Austri, që kishin një kulturë operistike të shkëlqyer dhe të cilën, mjeshtërisht e kombinuan me thelbin e një populli që e kishte dashur artin si pak kush. Bik Ndoja i ngriti ato në një mënyrë të vetvetishme më tej, i bëri të prekshme për secilin, i solli afër nesh me pastërtinë e një zëri që shkëlqente, melodioz deri në skaj, duke krijuar kohën e tij të këngës, atë kohë që në fund të fundit e njësoi me to.
E kam takuar për herë të fundit në tetorin e vitit që sapo iku, dhe duke ikur mori me vete edhe këngëtarin brilant. Për fat të keq e kam takuar në një tjetër rast të hidhur, në familjen e këngëtarit tjetër famoz shkodran, Tonin Tërshana, kur ishim për të ngushëlluar të afërmit e tij. Kishte qëndruar në krah të Meri Tërshanës, gruas së Toninit, dukej e natyrshme që të ishte edhe ai pjesë e familjes së mikut të tij më të ri; dhe ndërsa e shikoja dhe bisedonim diçka të shkurtër, më dukej sikur kisha pranë një patriark të këngës, por edhe të jetës. Si gjithnjë – i rregullt, megjithëse nuk kishte shumë që kishte përjetuar humbjes e gruas së tij; fjalëpak, si e kisha njohur që në rininë e hershme, i dashur duke shkuar deri në dhembshuri, e kishte përjetuar vuajtjen dhe këtë e tha me zërin e tij të ngadaltë, se “nuk e kishte kohën Tonini të shkonte, isha koha ime më parë”, dhe ishte shumë i besueshëm në të gjithë fjalët e tij.
Pak herë më ka rënë rasti të qëndroj me Bik Ndojën. Ai ishte një lartësi e paarritshme për ne të rinjtë, që e donim artin ose ishim pjesë e tij, megjithëse ishte njeriu më i thjeshtë që kam njohur. Saktësisht, më i thjeshtë ndër më të talentuarit, e më njerëzori ndër njerëzorët. Nuk ishte njeri i rrëmbyeshëm, që fati i përplasej përmes emocioneve, e megjithatë një herë të vetme e kam parë aq shumë të emocionuar sa që të dukej e habitshme se ishte ai vetë. Ndodhi kur ansambli i Radio Shkodrës ishte kthyer nga Kosova, në turneun e parë të tij, para vitit 1981. Atë kohë sapo kisha filluar të punoj si drejtor i pallatit të Kulturës në Shkodër dhe u ndodha në një bisedë mes grupit që ishte kthyer i rrëmbyer nga një gëzim i parrëfyer për pritjen që u kishte ndodhur. Ndërsa të tjerët tregonin se si njerëzit ngriheshin në këmbë kur artistja Zyliha Miloti thonte fjalën e parë të hapjes, “Mirë se të gjeta, Kosova trime”; se si tek kënga “Kaçanik , o shkëmb e gur” salla tundej kur këngëtarët së bashku me njerëzit në sallë këndonin, “Për flamurin e Skënderit, luftojnë djemtë e Idriz Seferit”, tek rrija afër Bik Ndojës e dëgjova tek thonte se “tash më del shpirti rehat, e pashë Kosovën”.
Edhe Kosova e ka dashur fort e fort Bik ndojën. E ka dashur në të gjitha trevat e saj dhe e ka njësuar me këngën shkodrane. E ka dashur edhe kur ka kënduar lirikat e mrekullueshme të mallit e të dashurisë, edhe kur ka kënduar për Bajram Currin, edhe kur magjia e jareve ishte pjesës e pranishme e qëndresës së tyre.
Bik Ndoja nuk është më. Të duket sikur bashkë me të ikën edhe një pjesë e jareve të famshme. Rri e mendon se cili mund t’i këndojë edhe një herë, ashtu si bëri Bik Ndoja. Të duket krejt e pamundur, megjithëse jeta do të bëjë punën e saj.
Shumë e shumë vite më parë Bik Ndojës i ishte dhënë titulli “Artist i merituar”, dhe, sa herë që dilte në skenë njerëzit e dinin se kishin para vetes një artist të tillë. E njëkohësisht nuk e kuptonin përse nderimi kishte ngelur deri aty. Përse të tjerë, kudo që ishin, për shumë më pak se aq, papritmas, një mëngjez do të ishin me tituj të mëdhenj, ndërsa ai, i urti dhe i dashuri Bik, do të kishte vetëm atë titull. Edhe ai vetë kurrë nuk ëndërronte më shumë se aq. Jam i bindur për këtë. Ashtu si jam i bindur se titullin më të madh e kishte nga njerëzit që e kishin njësuar me këngën.
Edhe në dy dekadat e fundit nuk e di nëse kishte ndonjë titull tjetër. Por e di krejt mirë se askush tjetër nuk do e kishte merituar më shumë se sa ai të gjithë titujt që mund të ishin pjesë e jetës artistike të një njeriu fort të çmuar.
Tashti që nuk është më, rri e mendoj me vete se i kujt do të ishte nderi: I bashkisë së qytetit për t’i dhënë një rruge, një institucioni, një strukture emrin e Bik Ndojës, apo i këtij të fundit nëse kjo do të kishte ndodhur.
Bik Ndoja gjithë jetën e tij nuk kërkoi ndere, as në monizëm e as në pluralizëm. Nderi i tij ishte zëri, jeta, kënga, familja. Nëse do të kishim në qytetin tonë përkujtimoren e denjë të këtij njeriu të rrallë, atëherë bashkia do e kishte për nder, qoftë edhe për faktin se njerëz e artistë të mëdhenj si Bik Ndoja vijnë aq rrallë sa që kur ikin, edhe pse larg, ndjejmë dhimbje për largimin e tyre.

Bravo, Bedri Islami! Kengetarin Bik Ndoja e kane njohur dhe e kane degjuar me endje te gjithe shqiptaret! Ai sikurse te gjithe te tjeret, i takon Epokes se ndritur Shqiptare te “Diktatorit” Enver Hoxha! …
I qofte i lehte dheu i Shqiperise! Lavdi punes dhe vepres se tij!
DRENICA E KUQE
Kerkova butonin ” i impresionuar ” !
Drite past shpirti i tij.
ASHTU SI EDHE BIK NDOJES, EDHE TY , BEDRI, TE KENDON DORA DHE ZEMRA
Bik Ndoja do ngelet kengetari per mua ME ZERIN me TE JASHTEZAKONSHEM dhe BRILANT si asnje tjeter .
“Kalaja e Shkodres ” eshte per mua ,njiherit Preludi i PAFUNDME .
Bashkohem me ” fanol bardhin ” !