Jozefina Topalli i “kërkon ndjesë” gjyqtares Gjinovefa Kaba? Ky do të ishte ndoshta lajmi me jo pak ngarkesë të vërtetë qytetare e institucionale për opinionin publik, por edhe për atë politik e mediatik. Lajm që do të ndikonte sadopak edhe në imazhin e saj jo fort pozitiv gjatë 2 legjislaturave të fundit.Sepse sic nënvizon një koleg e publicist i nderuar, zonja Topalli është një grua e fortë në politikë, por ajo përdor disa metra gjykimi e trajtimi; ka deficite në komunikim; është inatcore, reaguese dhe polemiste ekstreme; anon tërësisht nga njeri krah në parlamentin pluralist; tendencioze dhe partizane në mënyrën se si drejton; militante pa maskë… “Është e vetmja drejtuese e parlamentit që nga viti 1990, që u bë gati të priste mocionin e tretë për shkarkim”!
Konkretisht: Brenda të gjitha rregullave të shkruara, nga 44 aplikantë për në Gjykatën e Lartë u përzgjodhën 10 kandidatura. “Asnjë reagim negativ nga forcat politike, rrethet juridike, media apo qytetarët”. Ish presidenti Moisiu depozitoi zyrtarisht 3 dekretet në Kuvend në 15 dhjetor 2005. Prapë asnjë reagim a kundërshtim,as për gjyqtaren e Vlorës e as për 2 te tjerët! Mirëpo kur kishte kaluar mbi një muaj nga hedhja e firmës së Presidentit të Republikës, befas kryetarja Topalli kërkoi “informacione shtesë”.Shkaqe apo sebepe?! Zoti Moisiu e miratoi me heshtjen e vet atë kërkesë .Por anonimët u zgjuan nga instiktet hakmarrëse dhe paragjykuan menjëherë Komisionin Parlamentar të Ligjeve që e kaloi pa kontestime (të majtë e të djathtë). C’farë ndodhi vallë?
– “…Një shkrim pa emër (!) paragjykoi PD-në por edhe Moisiun e Berishën për “pazare”. Dhe kompromentimin më banal e tregoi ashiqare titulli cinik, i bujshëm e diversiv: “Gaba, gjyqtarja që votoi kundër PD tani në dorën e deputetëve” (Por Dekreti nuk shkoi sot e kësaj dite në seancë e as në duart e tyre. Shkurt, nuk është votuar ende as “pro” e as “kundër”?!…Ja, ku flinte lepuri! Pra, mesazhi militantesk fliste qartë: Mos bëni asnjë hap më tej! Dhe kështu ndodhi. Se anonimët e përjetshëm,- sic do thoshte saktë në Shkodër shoku Zylo i famshëm,- zakonisht kur lehin nuk hanë, por nxitin të tjerët të kafshojnë…Mirëpo kur lexova rastësisht një prononcim jo të zgjeruar në një tjetër të përditëshme, se vërshimi i shkrimeve “të porositura” për gjyqtaren e Vlorës nisi qysh të nesërmen e humbjes së një gjyqi “me dhjamë” nga pronari i asaj gazete, si qytetar por edhe si gazetar profesionist, nuk u ndjeva aspak mirë. Nuk pati asnjë reagim a përgënjeshtrim për këtë dukuri erërëndë në gjirin e shtypit. Vetë Prokuroria e Përgjithshme e hodhi poshtë akuzën për gjyqtaren…Ndërsa zonja Topalli nuk u tregua e sinqertë as tek “Zëri i Amerikës “, kur deklaroi se “mocioni mori shkas nga votimi për një gjykatëse”(?!)
Por e vërteta nuk mund të rrijë gjithmonë mbi gënjeshtrën…Të luash me karta të hapura fiton më tepër autoritet, besim dhe dinjitet. Inatet partiake apo private janë si uthulla që gërryen enën e vet. Që asnjë kokë gjyqtari të mos hidhet e të mos mbetet peng në tepsinë e politikës. Që kryetarët e Parlamentit te vendit tim etj.të mos bien në grackat e të pa-emërve që shesin gjithcka duke bërë “fletërrufe në emër të pronarëve”. Gjinovefa Gaba fitoi, por disa dilema e pikëpyetje kërkojnë përgjigje:
Së pari, të mos kalosh një dekret Presidencial mbi tavolinat e deputetëve, nuk është “një lapsus i zonjës Topalli”.Tjetër gjë se si do të zhvillohej votimi. Ai dekret qëndron sot e kësaj dite në fuqi,- e tha troc atëhere para publikut një jurist i vjetër dhe drejtues i mirënjohur i Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Deri kur Kushtetuta jonë do përpëlitet nën thundrat bajraktare të pushtetarëve kalimtarë?
Së dyti, sipas Unionit Ndërparlamentar Botëror, Shqipëria mbante vendin e 116 për pjesëmarrjen e grave në parlament. Zonja Topalli, si mund t’i qepesh pa “bukë” në trastë një femre titullare nga të rrallat në krye të Gjyqësorit në nivel Qarku? Ju bëni mirë që takoheni e kuvendoni nëpërmjet OJQ-ve me vajza e gra shqiptare të sëmura e të shëndosha. Bën shumë mirë që i bie edhe kitarës pas mundimit e lëngimit për të mbajtur në duart e tua “flamurin e lëvizjes feministe në politikën shqiptare”. Sinqerisht pyes: Minimalisht, po për cënimin brutal të integritetit qytetar, familjar e profesional të juristes vlonjate, a ke menduar ndonjëherë?
Së treti, po heshtjes tuaj mujshare përballë Kushtetutës dhe Medias, çfarë emri t’i vemë? Merrni guximin dhe reflektoni të paktën një herë publikisht. Sepse me hije të zeza anonimësh nuk mund të ecet gjatë ( aq më keq nëse i njeh me emra e fytyrë , sic flitej ato ditë pranë jush). Hijena te tilla shpesh të nxijnë jetën. Ato lëvrijnë e pështyjnë si fshehurazi a “konfidencialisht” në rrethet më të ngushta të liderëve shtetërorë e partiakë. Por venë në përdorim edhe kalemxhinj me emër e pa emër! Vecanërisht kjo dukuri më trishton shumë kur gjen shtrat në faqet e shtypit poshtë strehës milionere të pronarëve. Dhe jo thjesht pse e kam paguar në kurrizin tim. Të kërkosh ndjesë me çiltërsi qoftë edhe për ato lëndime qytetare e morale, si femër, si nënë, si intelektuale, nuk do quhet kurrsesi “autogol personaliteti”,-ngul kembe miku im në Jug -Perkundrazi. Sepse ka një aksiomë: Nuk mund të duash as atë nga i cili ke frikë, as atë që të ka frikë…
Së katërti, ju ishit e para grua që u besuan kolltukun e Kryetares se Parlamentit. Dhe nuk është pak. Ditën e rizgjedhjes tuaj, miku im Kiço Peshtanaku kish nënvizuar jo pa dashamirësi këto dy fjali: “…E respektoj opoziten edhe kur nuk bie dakord me të, sepse këtë thotë shpirti i demokracisë. E respektoj opoziten sepse jo vetëm këtë më thotë detyra, por edhe sepse pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar në opozitë…”(Veçse 2 legjislaturat e fundit, e thelluan hendekun tragjikomik nga e thëna në të bërë!). Me siguri, ti e njeh mirë atë “racë tutkalli” që betimet i shkruan në ujë. Po kështu merimangat që “nuk e thurin rrjetën thjesht dhe vetëm për një mizë”…
Së fundi, KLD-ja, kjo sitë tepër e rëndësishme që nuk po vecon dot miellin nga krundet, mendoj se duhet të ndalet seriozisht për ca individë të papërgjegjshëm që arrijnë të derdhin thasët e anonimëve në “magjen” e qeverisë së Gjyqesorit. Dhe nga krundet dihet se çfarë buke del. Por nuk e ka theksuar kot një penëhollë: Jo cdo gjë që themi është jona. Se Drejtësia në vendin tënd e timin, znj. Topalli, mjerisht po gërryhet nga mola e korrupsionit nepotik e partiak dhe po mbetet ende si një shtrigë uloke përballë qytetarëve të thjeshtë. Miku im i sipërcituar midis Golikut e Trebeshinës sikur i dha karar brengosjes time:”Po kërkoi ndjesë Kryetarja, dëgjo mua, atë ditë do flas me gojën plot, se ajo zonjë e nderuar paska rënë pa dashje në rrjetën e merimangës anonime njëlloj si një flutur mëndjelehtë. Nuk është as e para dhe as e fundit. Dëgjo mua, stërkëmbshat anonimë nuk u ngjajnë kurrë as gënjeshtrave të bukura”.
Por le ta mbyllim me pakëz humor: Pardje, mes disa miqve të mi nga qyteti juaj i lindjes, mësova edhe këtë anekdotë shkodrane:
“Më 1923 në Parlament qe tuj u rrahë cështja e votëbesimit për qeverinë. Antarët e politikës qeveritare cuen gishtat menjiherë, porsa kryetari e vuni në votë. Luigj Gurakuqi u shkeli synin shokëve. Deputeti opozitar Stavro Vinjau, i neveritun për këtë gjest kaq servil, këcei:
– Ore, mos çoni nga nji gisht, por nja dy përnjiherë!
– Leni, more, të çojnë edhe gishtat e kambëve,-ia priti Luigji tuj qeshë n’ironi,-zaten me kambë bëhen punët këtu…”.
I nderuar z. Mertiri , vertete ti ke nevoje te shkruash , sepse eshte zanati jot ; gjithcka qe shkruan qendron por ne kete menyre , sic i thone ketej nga jugu , ke ngacmuar shejtanen Jozefine por dhe shejtanet e tjere te medias ; mos te duket cudi qe Jozefina me “idiotesine ” e saj te kthej permbys gjithcka per ta rrezuar kandidaturen e z: Gaba .Pra perfundimisht, mos “humb” kohen duke numeruar paudhesite e Jozefines te cilat vertete meritojne gjithe barcaletat e botes potr tregohu me largpames !
Sikur Jozefina te bente gjestin e ndjeses, nuk do t’i thoshin Jozefina Topalli, nuk do te ishte ajo qe u eshte neveritur te gjithe atyre qe kane pak mend ne koke, me menyren se si “avokatja e opozites” sillet me kundershtaret e saj politike. Medet sikur ajo femer te kishte me shume gjera ne dore se cfare do te katranoste. Sa per Z. Gaba, kjo nuk ka nevoje per ndjesen e Jozefines, pasi i ka marre te gjitha te drejtat ligjore qe i kane perkitur. Jozefina le te mbetet me gisht ne goje sic e meriton.