Një lexues i DITA-s, Thoma Vaso, më ka kritikuar dje në një koment të tij në këtë rubrikë të letrave lidhur me një krahasim, të pavend që unë kam përdorur në një shkrim, ku kam përmendur “çastet idilike që përjetojnë veteranët kur ngjisin ndonjë stemë lufte në xhaketa”.
Kjo fjali të nderuarit Thoma Vaso, i ka ngjarë si një tallje karshi atij brezi luftëtarësh, burra e gra, të rinjë apo të moshuar, të cilët e “blenë” atdheun me çmimin e jetës së tyre. Për të qenë i sinqertë, nuk kam dashur të ironizoj, por meqë këtë lloj skene – e cila mua më është fiksuar që në fëmijëri, kur vështroja sjelljet e veteranëve në ditën e çlimirit të qytetit, me shumë akte të tilla, plot idil – e kam përdorur në funksion të një krahasimi që, pa dashjen time, i ka vënë fjalisë një ngarkesë ironike. E paçka këtij shpjegimi justifikues, unë i kërkoj ndjesë Thomait e gjithë atyre si ai, që mund të jenë ndjerë të fyer nga fjalët e mija. E bëj këtë ndjesë dhe në funksion të një modestie që duhet të na karakterizojë në komunikimin tonë, që duhet të na çojë të pranojmë se edhe mund të gabojmë. Dhe këtu është rasti për të thënë se, në qasjet tona si gazetarë, në kritikat që adresojmë, assesi nuk duhet të kemi për qëllim cënimin e nderit a dinjitetit të ndokujt, politikan a njeri i thjeshtë qoftë, por evidentimin dhe më pas denoncimin e së keqes shumëformëshe, që pikërisht godet çdo ditë nderin dhe dinjitetin e gjithësecilit.
Ermir Hoxha
Gazetar i rubrikës “Pikante” në DITA
Te lumte ,i nderuari gazetar Ermir Hoxha!!
Kjo tregon se ne gazeten “DITA” ka gazetare me “koken plot” e jo rrogtare pa tru ne sherbim te pronarit!!!