Më datë 31 gusht 2013, vdiq në Greqi nëna ime T. D., banore në Rr. Shyqyri Ishmi, pall. 79, ap. 12 me dokumentacion të zyrës së Gjendjes Civile të Njësia Bashkiake Nr. 2 Tiranë. Bashkë me babanë ishin nën kujdesin tim këtu në Greqi ku ne banojmë! Vdiq pas një sëmundje të gjatë e të mundimshme, por arsyeja që po ju drejtoj këtë letër, nuk është të përshkruaj këtë histori timen të dhimbshme, por për çudirat që ndodhin në administratën e vendit tim!
Duke dashur të jem korrekt me ndryshimet që duhet të bëhen në dokumentacionin e gjendjes civile ku ajo figuron me tim atë K.D, në tetor të vitit 2013, erdha në Shqipëri, vajta në këtë institucion sëbashku me tim atë plak gati 90-vjeçar, me shpresën se mund të bëhej lehtë ky ç‘regjistrim, por në këtë institucion administrativ na thanë që duhej të sillja një dokument (akt vdekje) të lëshuar nga zyra përkatëse në Greqi, të përkthyer në Ministri të Jashtme të këtij vendi e të vulosur në ambasadën shqiptare në Athinë, veprime që më kushtuan, 22€ vula e ambasadës, 15€ përkthimi e le të mos llogarisim kohën që m’u desh t’i kryej këto veprime, plus shpenzime e kohë që erdha përsëri në Tiranë! Më datë 25 mars 2014, vajta në gjendjen civile të kësaj lagje dhe dorëzova këto dokumente sipas kërkesës së Tetorit!
Punonjësja, një grua mjaft e sjellshme që qëndronte pas kompjuterit në sportelin e dytë të katit të dytë të njësisë Bashkiake Nr. 2 pasi mori dokumentet në dorë ju drejtua një koleges së saj (që më vonë mora vesh se ishte juristja e këtij seksioni). Me një ftohtësi dhe qëndrim të prerë, këtë dokument të përkthyer në Ministrinë e Jashtme të vulosur e të bashkëngjitur me origjinalin e më poshtë mbante edhe vulën e ambasadës tonë në Athinë, e konsideroi të pavlefshëm dhe më tha që duhej ta ripërktheja në një noter këtu në Shqipëri të licencuar për këtë punë!! Nuk ju besova veshëve! Nuk ju besova syve! M’u duk se nuk isha në atdheun tim para bashkëkombësve të mi ku “shuplakat” e sorollatjeve që kam marrë në vendin që nuk u rrita, nga njerëz që nuk na bashkonin hallet, ku për çdo dokument që edhe presja nuk ishte vendosur në vendin e saj, më duhej të kthehesha nga e para! Nuk ka refugjat të mos e ketë provuar këtë stres në vend të huaj e aq më shumë në Greqi! Kjo JURISTE pedante nuk hante “pykë”. E pashë që me gjithë arsyetimin dhe argumentet e mia “zelli” i saj nuk thyhej! Të gjithë më dhanë të drejtë e bile me një ndjenjë keqardhje për këtë sorollatje por “besnikja e zyrës së gjendjes civile” që vendoste fatet nuk bënte pas! Pas dy ditë “arsyetimesh” u dorëzova e vajta tek një notere te rruga e Elbasanit, ku u detyrova të paguaj edhe 11 000 lekë të vjetra që të më bëjë një ripërkthim, por me vulën e saj! Edhe kjo juriste u çudit për këtë “paradoks” dhe dokumentin që unë kisha sjellë e konsideroi të saktë e të plotë për t’u kryer veprimi që pretendoja! …Natyrisht pasi çova përkthimin e ri me lekë shqiptare me po atë shqipe, këtë radhë, juristja e lagjes, RUDINA, e dha aprovimin e gjithçka mbaroi bukur e hidhur! Për fat të keq, koha që kisha në dispozicion nuk më dha mundësinë ta ndiqja më lart (Më thanë diku aty mbas ministrisë së Brendshme) që të bindesha e të kuptoja nga vijnë këto “orientime ” sepse në një qytet tjetër ky dokument është quajtur i vlefshëm dhe ka kryer funksionin, por po mbaj rezerva sepse edhe këtë do duhej ta verifikoja në vend!
Miqtë e Ditës, ju drejtohem juve sepse jam lexues i rregullt dhe komentues në forumin tuaj, e respektoj shkrimet tuaja, ku në to gjej realitetin dhe mbështetjen qytetare e do dëshiroja shumë që të më botohet ky shkrim, ndonëse kreva punë, por jam i bindur që nuk jam i vetëm në këtë “ODISE” aq të lodhshme mentaliteti meskin, që pushteti ju jep mundësinë këtyre “juristëve bashkiakë” të sillen si dikur drejtorët prepotentë, të na mundojnë, të na sorollasin, të na shohin përballë, të marrin djersën që me mund e nxjerrim e të ndjesh veten përsëri të huaj në vendin tënd ! Atë ditë që vajta të marr vulën në ambasadën shqiptare kishte shumë të tjerë që kryenin veprime e me vrap shkonin të paguanin detyrimin me bindjen se në Shqipëri tashmë i priste “çlirimi stresor”.
Email nga adresa
