Ndjej kënaqësi kur shkruaj për njerëz të mençur që kanë dhënë maksimumin e kontributit në shërbim të atdheut dhe aq më shumë për një njeri të vendlindjes time, Selenicë e Pishës.
Kolonjarët duke qenë të ndjeshëm karshi fateve të atdheut, okupimin fashist e pritën me urrejtje të madhe. Një nga djemtë më të mirë të Selenicës së Pishës ishte dhe Bexhet Sejfulla Selenica. Siç thotë dhe populli, nga prindërit e mirë dalin dhe fëmijë të mirë. Bexheti i takon brezit që dha kontributin më të madh dhe që u përball me tmerret dhe vështirësitë e luftës kundër pushtuesve e bashkëpunëtorëve të tyre, ai luftoi me armë në dorë deri në çlirimin e atdheut.
Bexheti lindi në vitin 1916 në Selenicë të Pishës, në një familje patriotike. Arsimin fillor e mori në vendlindje dhe atë të mesëm në Liceun e Korçës. Familja e Bexhetit ishte një familje e madhe me tre vëllezër, Sejfullau, Hysniu, Zeniu. Baba i Bexhetit, Sejfullau, ishte njeri i mençur e kurbetli, ishte familja më e kamur në Selenicë, një familje që brez pas brezi ka dhënë kontribut në interes të atdheut, kjo familje që i përkiste një shtrese të mesme dhe që kishte shumë miq në Kolonjë e Korçë të shtresave të larta, kurrë nuk u pajtua me politikën e ideologjitë e tyre. Sejfullau bashkë me vëllezërit përkrahën idetë e PKSH-së. Ai lëshoi gjithë ambientet e shtëpisë për strehimin e forcave partizane. Ai me djemtë e tij dhe pleqtë e të rinjtë e fshatit ja vunë kufirin tek thana Safet Butkës etj.
Me pushtimin fashist Sejfullau u dha bekimin gjithë fëmijëve, Bexhetit, Skënderit, Muharemit, Myfitit, dhe dy motrave, që të mbështesnin LANÇL. Bexheti e filloi aktivitetin e tij qysh në ditët e para të pushtimit fashist në Shqipëri.
Qarkori i Partisë Komuniste në Korçë në janar të vitit 1942, duke parë tek Bexheti aftësitë e tij intelektuale e ngarkoi atë me detyrë që të shkonte në zonën e Kolonjës që të krijonte celulat e para të partisë. Sipas udhëzimeve të marra ai mori kontakt me Josif Pashkon në katundin Vodicë e me shokë të tjerë. Celula e parë u formua në shtëpinë e Mitraq Vodicës ku sekretar i saj u zgjodh Bexhet Sejfulla Selenica.
Kjo ishte detyrë të vështirë në një zonë ku Balli Kombëtar kishte hedhur rrënjët e saj në disa fshatra dhe ku qyteti i Ersekës ishte nën pushtimin fashist me shumë spiunë që vërtiteshin e survejonin në këtë zonë si hiena.
Bexheti, një njeri i zgjuar e guximtar me 2-3 shokë, në fillim të tetorit 1942 shkoi fshat më fshat për formimin e këshillave LANÇ sipas udhëzimeve dhe rezolucionit të Konferencës së Pezës. Bisedat e tij me fshatarët e bënë të qartë pse duheshin këshillat ANÇL. Guximi i tij dhe shokët që e shoqëronin arriti që ai të futet ditën e pazarit të qytetit të Ersekës duke grumbulluar shumë fshatarë, u bëri thirrje që të mbështesnin LANÇ, të merrnin pjesë e të rrëmbenin armët, duke demaskuar pushtimin fashist. Por fashistët nuk vonuan, e arrestuan duke e shoqëruar në burgun e Korçës.
Në janar të vitit 1943, ai u lirua nga burgu për mungesë provash, por babai i tij Sejfullai pagoi edhe një grusht paresh nën dorë, sepse ndryshe nuk dilte, se spiunët e dinin mirë që ai ishte një nga figurat kryesore të Partisë Komuniste të Kolonjës.
Menjëherë pas daljes nga burgu Bexheti shkon përsëri në Kolonjë, dhe merr pjesë në mbledhjen e Komitetit Krahinor të Kolonjës ku ai ishte zgjedhur në mungesë. Në katundin Polenë të Korçës prej 1-3 mars 1943, u zhvillua Konferenca e Partisë komuniste e Qarkut të Korçës. Të deleguar në këtë Konferencë nga krahina e Kolonjës ishte Bexhet Selenica, Josif Pashko, Sulo Kozeli e Xhafer Lubonja.
Puna e madhe që bënë komunistët në këtë zonë në vitet 1943-1944, bëri që e gjithë Kolonja u përfshi në LANÇL duke vazhduar aksionet pa ndërprerë, si pastrimi i forcave armike, organizimi i pritave, luftimet në Leskovik, Përmet e Kuqar. Kështu armiku nuk merrte dot veprime jashtë rrugëve automobilistike, dhe u përqendrua në qytetin e Ersekës. Bexheti nuk mungoi në të gjitha këto aksione luftarake. Ai mori pjesë si delegat në Kongresin e Përmetit në 24 Maj 1944. Me atë vrull e detyra që u dhanë në Kongresin e Përmetit, Bexheti e komunistët e tjerë, bënë që në Kolonjë të krijoheshin 6-7 bazat e para, si ajo e Vodicës me Poisi Vodicën (Prift, babai i Josif Pashkos). Në Selenicë me Sejfulla Selenicën, në Kozel Xhemal Kozeli, në Blush, Qamil Nebi Blushi, në Lubonjë, Xhafer Cenko Lubonja, në Luaras, Rapi Luarasi etj., të cilat luajtën një rol të madh në mbështetjen e luftës së Kolonjës, ku Bexhet Selenica pati rol të rëndësishëm dhe mjaft aktiv.
Mbas çlirimit të atdheut Bexheti punoi në sektorë të ndryshëm të ekonomisë me detyra e funksione të larta.
Bexheti e bashkëshortja e tij Saboja krijuan një familje të shëndoshë duke rritur 4 fëmijë, më i mirë njëri se tjetri, Fatbardhën, Tatianën, Gëzimin dhe Irmën, që të katërt ndoqën rrugën e gjyshit dhe u gatuan me ideale të larta patriotike e atdhetare. Bashkëshortja e Bexhetit, Saboja, një grua shumë e edukuar nga Pojani i Korçës i bëri ballë luftës me peripeci e vuajtje në burgje e internimet e fashistëve. Figura të tilla me kontribute të mëdha nuk duhen harruar. Ёshtë detyra jonë që figura të tilla t’ua transmetojmë brezave të ardhshëm.

Nderime dhe respekte maksimale për një brez që sakrifikojë gjithshka në të mirë të këtij vendi. Gjysh i pa harruar qoftë kujtimi yt.