Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
E gjithë ardhja e tij në politikë përmes një bordi të fuqishëm serb e bënë atë fillimisht të fuqishëm, për aq kohë sa ishte e domosdoshme, por edhe jashtëzakonisht të bindur. Nëse duhet të fillojë ndonjëherë gjykimi i tij, mendimi im është se nuk duhet të ketë pikënisje vrasjet, mashtrimet, vjedhjet e jashtëzakonshme, hedhjen e Shqipërisë në greminë njerëzore, ekonomike e politike; por hapi i parë duhet të jetë pikërisht kjo: ardhja e tij në politikë përmes bordit serb, vasaliteti i tij ndaj këtij bordi; përçudnimi i çështjeve kombëtare shqiptare deri në zvetënim; ndasia e krijuar përmes tij, sipas një studimi të qartë beogradas, mes forcave çlirimtare dhe njerëzve të zakonshëm, mbështetja deri në një urdhër të dytë të klasës titiste e udbashe në Kosovë e në vise, të cilët filluan të bëhen zotër të shtëpisë ku e shumta mund të ishin pjesëz; riardhja e tij në pushtet përmes klanit të fazlliqëve, që nuk ishte asgjë tjetër veçse paraqitja e dytë e forcës udbashe në politikën shqiptare; tentimi për të përçarë forcat çlirimtare gjatë luftës, kur njerëzit e tij, shpesh herë të organizuar nga AzemHajdari i bënin pritë njerëzve të UÇK-së,vrasja në pritë, nga njerëz afër tij, e anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ilir Konushevcit, “Mërgimi” dhe mjekut Malaj,në maj 1998, e deri tek organizimi i grushtit të shtetit në shtator të vitit 1998, në të njëjtën kohë kur kishte filluar ofensiva e forcave serbe në zonën operative të Dukagjinit.
Nëse nuk sqarohen ligjërisht të gjitha këto ndodhi, aspak të rastësishme, së bashku me thyerjen jo të rastësishme të embargos ndaj ish-Serbisë dhe furnizimi me armë i regjimit vrasës, të gjitha të tjerat do të jenë të mangëta, do të jenë një proces i zakonshëm vjedhësish e mashtruesish, nëpër të cilat vërtet kanë rrjedhur miliona e miliona, por që nuk e kanë një zanafillë të zakonshme.
Nëse nuk do të ishte kjo fillesë atëherë nuk do të kishte pasur as vit të prapshtë 1997, as thirrjet e çmendura për një luftë të veriut kundër jugut, as armatosje të veriorëve për të luftuar kundër jugorëve, as armatosje partiake, ashtu si nuk do të kishte më shumë se 4 mijë të vrarë në harkun e një viti. Kjo është një e vërtetë që nuk rëndon vetëm Berishën, por edhe ata që mbyllën sytë në vitin 1997 dhe që më pas, në parlamentin e Shqipërisë, u mburrën se kishin qenë pikërisht ata që e kishin falur atë. Sikur të kishin falur mallin e të atit, e jo krimin që duhej ndëshkuar. Bashkëfajësia e sotme e shumicës qeverisëse është se vazhdojnë të mbajnë të njëjtën linjë të politikës së jashtme, mjerisht pranë Beogradit e larg Kosovës, sy mbyllur ndaj asaj që ka ndodhur, qejf pa prishur nga zvetënimi i çështjes shqiptare dhe i vetë kombit.
A janë mbushur në mend socialistët tani? Këtë le ta shtjellojmë në fundin e kësaj analize…
Berisha është aktualisht politikani më jetëgjatë në vitet e pluralizmit. Ilir Meta është shëmbëlltyra e tij. Vetëm Edi Rama ka qeverisur më shumë se ai, megjithëse i futur më vonë në politikë.Për një kohë, Berisha ishte njeriu i shpresës, edhe për kundërshtarët e tij. Të paktë ishin ata që nuk i besonin. Nuk i kam besuar kurrë…jo se kisha diçka kundër tij, në atë kohë nuk kisha asnjë fakt, asnjë dyshim, asnjë mbamendje…ajo që më kishte stepur ishte një fjalim i tij në një nga zonat veriore të vendit, menjëherë pas vendosjes së pluralizmit, kur pa pikë droje, vetëm për hir të njerëzve që ishin mbledhur aty, njërin ndër kriminelët e njohur të luftës, e shpalli luftëtar të lirisë dhe atdhetar i madh. Berisha solli në politikën shqiptare përmbysjen e vlerave: ai duhet gjykuar edhe për faktin se nën regjimin e tij u bë rehabilitimi i plotë i gjithë klasës udbashe në Shqipëri, i gjithë të dënuarve si njerëz të UDB-së, i një llumi “atdhetar”, të cilët duke krijuar mitin e pafajshmërisë, hodhën edhe mendimin se tek UDB-ja ishte parë një armik imagjinar, se në të kundërtën, këto njerëz kishin qenë “burra të mirë” dhe se regjimi i shkuar kishte qenë i padrejtë ndaj tyre. Këto nuk janë hesape të së shkuarës, janë ende të freskëta, sepse pasojat e një “kapërdisje” të tillë politike janë ende sot në ndarjen mes njerëzve, kur ende një miqësi mes dy njerëzve me bindje të ndryshme politike shihet si një herezi.Kjo nuk ishte në vitin 1991, kjo është tani e kjo ndarje ka jo vetëm emrin e Berishës.
Në historinë e re të berishizmit në Shqipëri, të cilat e bëjnë të domosdoshëm gjykimin e tij, janë vrasjet. Nuk mund të them për ato të “paditura” e të fshehura nën terrin e mjegullës, nuk mund të gjykohet askush nga të “tijtë”, për vrasjen e AzemHajdarit, të cilin e deshi vetëm pak orë pas vrasjes dhe të nesërmen, arkivolin e tij e përdori si dash për të shpërthyer kështjellën e qeverisë (pak kush mund ta ketë harruar atë pamje makabre – kur me arkivolin e të ndjerit sulmoheshin dyert e kryeministrisë), e pastaj, nën makthin e zakonshëm, nuk i vajti as në varrim; nuk mund të përflas Kosta Trebickën…sepse u gjet një specialist amerikan që e gjeti “ zgjidhjen”, e cila, si duket kishte qenë e suksessshme, se u përdor edhe një herë tjetër: vrasjen e 26 vetëve në Gërdec dhe të 4 vetëve në Tiranë, mund ta mbajnë vetëm supet e tij. Vetëm se në rastin e parë bashkë me djalin e tij biologjik dhe në rastin e dytë, bashkë me djalin e tij politik.
Gërdeci është “made in berisha”. Të tjerët janë vetëm garnitura rreth saj. Të cilët heshtën dhe për këtë heshtje u shpërblyen, së bashku me faktin se kishin qenë pjesë ndihmëse e saj. Gërdeci është momenti kur “gjaku nuk lahet nga duart e tij”,si tek LediMakbeth. Gërdeci është çasti i shndërrimit të tij nga autokrat në një absolutizëm të plotë, mbërthesënjerëzore e politike, kur loja bëhet makabre, kur ndjenjat e njerëzve blihen me thasë mielli, kur vuajtja shfrytëzohet si në lashtësi dhe kur më pas, çnjerëzisht mburresh si i ke varë, i ke ushqyer e përsëri të kanë votuar. Asnjëherë egërsia politike e ligësia njerëzore nuk kanë pasur një marramendje të tillë sa në Gërdec, para shpërthimit e sidomos pas tij. Dokumentet, që u bënë të njohura më pas në një emision TV, dëshmuan se Berisha dinte gjithçka. E vetmja gjë që nuk “dinte” kishte qenë baxhanaku i tij i ndjerë, i dërguar nga padroni, si dërgoheshin dikur ruajtësit e skllevërve. Sepse Berishët e shndërruan Gërdecin në geto skllevërish, ku punonin edhefëmijët nën kërcënimin e barutit, ku eksperimentohej me jetën e njerëzve…dhe askush nuk u dënua për këtë akt skllavërie. Buzëqeshja e Delijorgjit në pragun e gjykimit dhe telefonata e gjatë me Shkëlzen Berishën, janë akti i fundit i përtalljes makabre me jetët e njerëzve. Gërdeci është turpi më i madh i një qeverie dhe njëkohësisht është krimi pa ndëshkim. Ata që u dënuan përkohësisht janë peshqit që lëviznin nëpër rrjetën e skllavërisë, skllavopronarët mbetën të lirë…Qoftë edhe për rivendosjen e skllavopronarisë, Berisha duhet gjykuar, e për më tepër kjo ishte vendosur nga njerëzit e tij dhe nën bekimin e Familjes.
Por nëse Gërdecin, Berisha e ndan me pjesët e tjera të Familjes, 21 janarin e ka të gjithin për vete, duke i lënë pjesën që i takon birit të tij ideologjik, hijes dhe turpit të nesërm të tij, Bashës.
Në ngjarjet e 21 janarit Berisha duhet gjykuar për organizimin dhe urdhërimin e vrasjeve, për dhunën ndaj protestuesve dhe arrestimet e paligjshme; për fshehjen e provave nga serveri i Kryeministrisë që u fshinë që asaj nate me urdhrin e tij; për përgatitjen dhe vënien në zbatim të një skenari mashtrimi për rrjedhën e ngjarjeve; për akuzën false të grushtit të shtetit, për sulmet ndaj Presidentit të Republikës dhe të tjerëve; për marrjen në mbrojtje të ushtarakëve që bënë krimin; për pengimin e urdhërimit të Prokurorit të Përgjithshëm në ndalimin e disa drejtuesve të gardës, për fshehjen e provave të nesërmen e krimit, për të dhëna të rreme për makina me armë që prisnin tek një rrugë e Tiranës, çadra pistoletë, etj, duke përgatitur edhe dëshmitarë të rremë, si ishin dy mjekë të Spitalit Ushtarak.
Berisha vrau jo sepse kishte frikë, sepse e dinte se masa e njerëzve që po vinte ndaj tij nuk ishte si turmat e shtatorit 1998; ai vrau për të vendosur frikën, jo vetëm asaj dite, por edhe më pas. Ai, duke vrarë 4 vetë, kur gjithçka ishte në përfundim, jashtë çdo ligji e rregulli, vrau aktin e lirisë së njerëzve për të protestuar, shpresën e tyre se mund të jesh i lirë të dalësh në rrugë, ashtu si kishte qenë rruga gjithnjë arma e Berishës. Askush nuk e kishte vrarë atë e njerëzit e tij gjatë protestave. (Të mos i futemi 2 prillit në Shkodër, se nuk i del mirë).
Berisha vrau, sepse veç dëshirës së tij për pushtet, një bord më i fuqishëm nga ai, pikërisht bordi, i cili që nga emigracioni në Amerikë i kishte dhënë urdhër të ndërpriste shtatorin e vitit 1998; kërkonte në janar 2011 përgjakjen e vendit, pasi në trevat shqiptare do të ndodhnin ngjarje madhore… dhe historia duhej përsëritur.
Përse Berisha dha urdhër të fshiheshin serverët e kryeministrisë që asaj nate? Kjo është një enigmë e madhe, por që nuk do të mbesë gjatë si e tillë. Zëra të besuar japin të dhëna se në regjistrimet e asaj nate është e pranishme figura e shefit të qeverisë duke u çjerrë për goditje, britmat e tij, ashtu si mendohet se NdreaPrendi është goditur në syrin e majtë, jo nga demonstruesit, por nga njerëz të afërt të Berishës dhe me armën e tij kanë qëlluar të tjerë. Në të gjitha pamjet e dhëna deri tani në TV të ndryshme, nuk duket momenti i goditjes së Prendit nga demonstruesit… si duket kjo ka ndodhur brenda mjediseve qeveritare. Fshehja e provave është akti i pranimit të fajësisë nga Berisha dhe të tijtë… ndaj duhet gjykuar.
Aktet korruptive të qeverisë së Berishës, përmes klanit familjar, janë aq të shumta saqë është e qartë se ai duhet gjykuar. Një rendje nëpër vitet e qeverisjes së tij merr me vete aq shumë raste të korruptimit, skandaleve financiare, përfitimeve, mashtrimeve e vjedhjeve, saqë do të jetë tepër e vështirë për të shkuar deri në fund kësaj zallamahie që ka ndodhur me Shqipëri. Askush tjetër, asnjë vend,nuk është grabitur kaq mizorisht, nuk është plaçkitur kaq barbarisht nga një klasë politike e sejmenët e saj, të cilët kishin ardhur në politikë si njerëzit e shpresës. Edhe më parë, por në dy herë tetë vitet e fundit, në dy qeverisje të ndryshme!! Ideologjikisht!! Korrupsioni u ngrit në sistem, vjedhja u bë mënyrë jetese, mafia u sundua nga politika dhe veshi uniformën e shtetit; asnjëherë më parë një vend i vogël, nuk ka parë kaq shumë pronarë mbi kokën e tij, të paskrupullt, mizorë dhe zhvatës deri në imtësi. Me paratë e Gërdecit, Berisha i vogël flinte në hotelet e shtrenjta të Amerikës përmes shumave përrallore, bënte pushimet në plazhet më të shtrenjta, harxhonte për brekurina sa ishte paga e dhjetë viteve e një familje të zakonshme, së fundi bën investime pikërisht në Gërdec, përsëri në shuma milionëshe. Asnjë zyrë finance nuk e pyet për gjënë më të zakonshme: nga vjen pasuria jote? Disa muaj më parë, e dashura ruse e një biznesmeni të njohur gjerman u dënua me vite të gjata burgimi pasi nuk kishte deklaruar në zyrat e financës dhuratat që merrte nga i dashuri i saj; në Shqipëri mund të të dhurohet nga “kunati”, baxhanaku, vjehrri, vjehrra gjithçka, qindra mijëra euro, e askush nuk pyet. Mendoni se e vrasin mendjen fort gjyqtarët e prokurorët e larguar nga Vetingu? Ata e kanë siguruar jetën e tyre në disa breza!Mendoni se e vret mendjen Berisha i vogël, që investon në media, në luleshtrydhe, në fabrika, thjesht duke bërë xhambazin e një zyre inekzistente?
Shumë nga ministrat e qeverisë Berisha dhe deri tek “zonja” e kuvendit, nëse për pak kohë do të jetonin në një vend perëndimor, tani do të ishin para gjyqit. Sepse, jo vetëm që vodhën e mashtruan, por ishin edhe aq të paskrupullt, sa e dëshmuan me paturpësi vjedhjen e tyre. Vilat e jashtëzakonshme, në qytezat e vilave, pronat, udhëtimet, makinat super të shtrenjta, fëmijët e tyre, pronat në bregdet dhe në Razëm, pallatet buzë detit… etj., etj., kur rroga e tyre nuk lejonte as një të mijtën e tyre, do të ishin dëshmi për çdo zyrë finance në perëndim. Dhe në perëndim, mund të të falin nëse bën një shkelje… ndoshta ndjejnë mëshirë edhe po të vrasësh… por nuk të falin kurrë nëse ke fshehur të vërtetën e pasurisë tënde dhe ke mashtruar me taksat. Berisha e bëri sistem normal këtë mashtrim, e vendosi vjedhjen në axhendën e çdo shtetari… të cilët edhe kur nuk duhej, firmosnin në emër të shtetit, apo jo zoti Ruli? Rama e dinte këtë, por as nuk e shfaqi, as nuk e ndryshoi. Herë pas here, e thelloi.
Berisha duhet gjykuar sepse përmes këtij akti mund të bëhet katarsisi i shtetit dhe i shtetarëve. Do të marrë fund akti i mosndëshkueshmërisë. Shpallja e tij “nongrata” është sinjali i dhënë jo vetëm për të. Ai është i pari, por jo i fundit. Ai ishte njeriu i politikës që i përdori të fortët dhe oligarkët, por nuk i qasi në qeveri, e tani pasi përdoren, ata fillojnë e përdorin qeverinë. Berisha duhet të jetë fillesa e ndëshkimit, por jo fundi i saj. Nëse nuk do të ketë katarsis në politikë, nuk mund të ketë as në drejtësi.
Mosndëshkueshmëria është akti i parë i gjykimit.
Aktii dytë është rikthimi i besimit tek njerëzit se asnjë klasë politike nuk është e paprekshme. Nën qeverisjen e Berishës, i përkëdheluri i tij, Lulzim Basha nuk shkonte në gjyq vetëm për shkak të procedurës; dosja që shkonte në darkë nga prokuroria në gjykatë, në mëngjes shtrihej para dyerve të prokurorisë; shumë të njohur i figura të larta politike të korruptuara dhe super të pasur, nuk shkonin në gjyq, sepse kishte marrë përsipër kodin e heshtjes, çka ndodh edhe tani; dhe imuniteti i deputetit u bë një qyrk që nuk e vishnin të gjithë; Imami shiste pronat e ushtrisë, përgjonte opozitën, por jo vetëm atë; dhe nuk lejonte as investigimin parlamentar, e kjo mbështetej nga Berisha, megjithëse Imami jo shumë vite më parë kishte kërkuar kokën e tij; Ruli firmoste në emër të parlamentit dhe shlyente me një firmë detyrimet milionëshe të një firme koncensionare, por gjykata e nxirrte të pafajshëm, sepse kështu kishte urdhëruar shefi i gjithçkaje në Shqipëri… Është normale që, pas kësaj katrahure, njerëzit të mos kenë më besim tek shteti i tyre. Kush është ai që mund të ketë besim tek një shtet i tillë, kur jo vetëm zyrtarët e lartë, jo vetëm pinjollët e tyre, por edhe sajesat rreth e tyre, ishin zotër të paprekshëm, kur vjedhja quhej zgjuarsi dhe korrupsioni meritë.
Akti i tretë i gjykimit ka të bëjë me të ardhmen. Nëse nuk gjykohet Berisha dhe të tijtë, kushdo ka të drejtën e licencës për të vjedhur. Bile ato mund të shiten në çdo zyrë, përmes lajmërimeve publike. Nëse njerëzit duan një të ardhme si kjo e sotmja, atëherë le të struken në shtëpizat e tyre, le të kënaqen se edhe kësaj here nuk i hoqën nga puna…le të duartrokasin me urdhër çdo thirrje të shefit të radhës. Një e ardhme nuk mund të ngrihet mbi këtë të shkuar. Ajo duhet të bjerë së bashku me mitin e të fortëve, që nuk gjykohen, që nuk dënohen, që janë të përjetshëm dhe që të bëjnë gjëmën.
Së fundi, akti i gjykimit është edhe akti i vazhdimësisë së qeverisë së tashme. Nëse ajo nuk e bën këtë dhe deri tani nuk e ka bërë, atëherë duhet të shkoje. Kjo do të thotë se këtij vendi i duhet një forcë e re politike, e cila nuk ka hyrë në lojë as me një të kaluar të trishtë e as me një të kaluar të dyshimtë.Partia Socialiste ka pasur mjaft kohë për të bërë investigimin e saj dhe për të dëshmuar mjerimin. Njerëzit e kanë ditur këtë edhe përpara se të vinte 23 qershori, e dinin edhe para 25 prillit, ndaj edhe votuan ashtu. Tani ata presin…presin sepse nuk duan që viti 2021 të jetë me këtë vit që po shkon, ashtu si ishteky i njëjti me vitin e pararendës…ndoshta edhe më i keq. Koha e investigimit shkoi. Tani, ose është koha e ndëshkimit, ose është koha e largimit.Tetë vite qeverisje janë boll për të dëshmuar të vërtetat, por është e vështirë të bëhet kur klasa e sotme politike qeverisëse, në shumë gjëra, ngjan me klasën e mëparshme politike.
Gjykimi i Berishës është i vështirë.
Janë disa arsye.
Shpesh herë ai, por edhe ato rreth tij, kanë marrë masat e fshehjes së fakteve, të akteve, dosjeve, fshirjes së dokumenteve dhe mjeshtërisht si vjedhës, kanë përcaktuar me akte normative zyrtarë për të mbështetur vjedhjen e tyre. Pra, si mund të themi, ata kanë bërë një vjedhje masive përmes akteve që vetë i firmosën si legjitime.
Kjo është ana praktike, e përditshme dhe një punë e specialistëve.
Është i vështirë akti i gjykimit të berishizmit, sepse ajo rrymë politike nuk është mbështetur kurrë mbi mendjen, por mbi dhunën. Prej se ka ardhur në pushtet, ai ka përgatitur një shërbim të fuqishëm, të fshehtë, edhe më të fuqishëm dhe më agresiv se SHIK apo RENEA (shpesh herë ata kanë qenë binjakë të shërbimit të Berishës) dhe ky shërbim, tani që nuk është më në pushtet dhe i joshur prej tij, është edhe më agresiv. Jo rastësisht mbi bazën e këtyre shërbimeve u ngrit nga Gazmend Bardhi struktura e posaçme e mbrojtjes së votës në prillin e këtij viti. Gjykimi dhe dënimi i Berishës do të thotë edhe eliminimi në një shkallë të madhe i kësaj strukture ilegale brenda shtetit legal, por edhe eliminim i klaneve fitimprurëse të saj, i mafies së lidhur me politikën, i një rrjeti despot që po përpin vlertat, duke rritur antivlerat.
Berisha duhet të jetë i pari, por as i vetmi e as i fundit.
Çfarë mund të ndodhë me Ilir Metën?
Vijon në numrin e ardhshëm

Desheroj te shtoj:
1. Berisha eshte nen nje presion te madh nga ” frikerat e mbrendeshme ekstremale dhe instiktet te fuqishme qe e shtyjne te vete mbrohet” Problemi eshte se keto komlekse qe te shtyjne te luftosh me”Mullijt e Eres” nuk pasqyrojne realitetin ose perfaqesojne me pak se 1% te realitetit.
2. Nje nga taktikat e tij per tu “mbrojtur nga armiqt imagjinare” ka qene te kultivoje nje baze, nje rreth antaresh jo te vogel duke i bere favore kryesisht te paligjeshme, qe ata nuk i harrojne dhe jane mirenjohes.
3. Ka goditur rivalet inteligjente dhe ka perkrahur besniket e tij te bindur. Shume antare te PD-se e kuptuan kete dhe e cfrytezuan per te miren e tyre ne kundershtim me interein e Shqiperise.
4. Pra kemi te bejme me nje koncept shume te perhapur ne shekuj qe formulohet: “O Mehte per Vehte” apo ” Secili per vehte, zoti per te gjithe”.
5. Enveri beri te njejten pune duke sjelle ne pushtet “shoferet dhe karrocieret” Parimi eshte qe asnje nga besniket te mos jete me “Inteligjent se Bosi”.
6. Berisha nuk kishte besim ne asnje nga bashkepuntoret me te aferm qe ne fillimet e PD-se.
Per ket aresye vendosi ne fuqi Lulzim Bashen.
7. Po keshtu nuk kishte besim te asnje shtet dhe donte ta kishte mire si me Ameriken por edhe me Iranin, Kinen, ….. per te bere pazare per mbrojtjen e interesave te tij.
Frika e tij e vazhdushme qe te mos humbase “karrigen e pushtetit apo sovranitetin personal “e degraduan ne nje gjendje te marrezise totale. Harroj se detyra e tij kryesore ishte te mbroje interesave te Shqiperise.
Ç’ka bërë vaki që nuk po begenis njeri të japë qoftë dhe një opinion foshnjor për “stuhinë” në gotên gjysëm bosh të shokit Bedri?
Janë lodhur?
I është sogar durimi?
Apo kanë Hamburg përfundimisht shpresën se një ditë ky vend i bekuar nga ZOTI, por i mallkuar nga HARBUTËRIT s’mund të bëhet?
Hape dhe ca më shumë syrin e majtë shoki Bedri se të është Zubehör disi shikimi.
Ç’ka bërë vaki që nuk po begenis njeri të japë qoftë dhe një opinion foshnjor për “stuhinë” në gotên gjysëm bosh të shokit Bedri?
Janë lodhur?
I është sosur durimi?
Apo kanë humbur përfundimisht shpresën se një ditë ky vend i bekuar nga ZOTI, por i mallkuar nga HARBUTËRIT s’mund të bëhet?
Hape dhe ca më shumë syrin e majtë shoki Bedri se të është zbehurdisi shikimi.