Një ngjarje e jetuar… Elbasan, 16 maj 1997

anazapta

Elbasan, 16 maj 1997. Mbasdite e ngarkuar me ankth. Kërcet automatiku. Luftojnë djemtë. Kundër kujt luftojnë? Ku është armiku? Luftë e ashpër. Luftohet kundër vetvetes. Djemtë luftojnë me njëri-tjetrin. Luftojnë dhe nuk pushojnë. Gratë kërkojnë me të qara e të bërtitura fëmijët. Fëmijët qajnë e ulërijnë nga tmerri. E ku ka më keq? Lufta vazhdon. Njerëzit të tmerruar shikojnë nga ballkonet,nga dritaret e shtëpive. Zemërimi i djemve arrin kulmin. Breshëri të dendura automatiku. Qindra plumba godasin muret e pallateve. Krisma rrënqethese. I ashpër luftimi.Bie një djalë. Kërkon ndihmë. Po kush vete ta ndihmojë? Plumbat vijnë e shkojnë. Megjithatë njerëzit tentojnë drejt tij. Plumbat ua presin hovin. Përsëri tentojnë për ndihmë. Por përsëri plumbi i zi ta ndalë vrullin. Djali përsëri kërkon ndihmë. Po kush e ndihmon? Pas pak bie dhe një djalë tjetër. E mbulon gjaku. Dhe ai kërkon ndihmë. Po kush është i zoti të futet mes plumbave? Ata të marrin jetën. Kur papritur dhe një tjetër bie….Dhe ai kërkon ndihmë. Ndihmën ia jep vëllai, por plumbat nuk falin. Bie edhe vëllai pranë vëllait. Ata duhen ndihmuar patjetër. Po si t’i ndihmosh kur breshëria e plumbave godasin asfaltin? Nuk rreshtin asnjë minutë. Ra dhe një tjetër. Vajti një nënë ta shohë. E kapi për krahu. Atij iu pre koka. Kapi tjetrin. Dhe ai po ashtu. Po ashtu dhe i treti. U turrëm që t’i merrnim.Por…një breshëri automatiku…Dhe një tjetër…U larguam.

Djemtë po jipnin shpirt. Ne nuk i ndihmonim dot. Njëri kërkon ndihmë i shtrirë në mes të rrugës së asfaltuar. Eshtë plagosur rëndë. Ecën barkas. Plumbat vërshëllejnë mbi trupin e tij. Ai ecën por nuk e kapin. Përsëri ecën,përsëri plumbat mbi të. Por ai nuk jepet. Ecën,ecën,ecën…I shpëton rrezes së shikimit. Plumbat nuk e kapin më. E rrëmbejnë katër duar. E çojnë në spital.Morëm vesh se shpëtoi…

U vranë djemtë e nënave. Vdiqën nga plumbat në mes të rrugës. Policia nuk u duk. Ambulanca për ndihmë nuk u duk. Do të mbetet në kujtesën e banorëve të lagjes”Vullnetari” ajo pasdite maji. Unë dhe ata pamë me sytë tanë atë betejë të vërtetë luftarake. Luftohej për jetë a vdekje. Po përse luftohej vallë? Cili ishte motivi? Shumë nga ne mbetën të paqartë. Luftohej për çështje nderi? Jo.Luftohej për pronën? Jo. Luftohej për çështjen e madhe të kombit? Jo dhe jo. Atëhere përse? Për sedrën e sëmurë, për jetën e vështirë dhe pa rrugëdalje. Kjo duhet të jetë. Por edhe kjo duhej të eliminohej. Ata ishin djem të rinj. Nuk kishte mbaruar rritja e tyre.  U prenë në mes ata bisqe të njomë.

Ne na shqetëson një pyetje gjithmonë. Pse u vranë? E kupton, ti o shok? – Jo! Eshtë gjelle e pështirë gatuar për gropë e jo për Evropë. Kush mban përgjegjësi? Ata, që nuk e parandaluan këtë ngjarje të dhimbshme.  Ata, që e nxitën këtë katastrofë. Po kush janë ata? Saliu me qeveritarët e tij. Ata me paaftësinë e papërgjegjshmërinë, etjene sëmurë për pushtet me cdo kusht, goditën rëndë lirinë e demokracinë, shkatërruan shtetin, dogjën Shqipërinë. Ata, që  me genjeshtra, mashtrime e hipokrizi, me korrupsion e krim, sot e kësaj dite kanë forcuar pushtetin e kanë shtuar pasurinë duke vënë nën këmbë drejtësinë. Dhe kanë sy e faqe të dalin para popullit e të thonë se me djersë e ndershmëri e kanë fituar pasurinë, ndaj kërkojnë përsëri votën. Ata, që veç nga vetja e tërheqin krrabën e veç  ters e vërtitin rrotën, për të mbushur thesin, për të qenë në fronin e shtetit gjithë kohën,në pambarim… Turp! Tmerr! Mallkim!

 

Letër e nënshkruar: Sokrat Kotherja*

 

*Shënim: Në mbasditen e 16 majit 1997 në lagjen “Vullnetari” të qytetit të Elbasanit u vranë 5 djem, nga këta dy vellezër.                                                                                           

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *