1
Porsi agimi rrëzëllitës,
Të kthjellët porsi qielli blu,
Si yll’ i artë i Afërditës,
Njëlloj shkëlqejnë sytë e tu!
Përsosmërisht të gdhëndi Zoti,
Sikur të bëri veç për vete,
Kam mbetur unë aty që moti,
I zhytur thell’ në ato dete!
As rri aty – as nuk dal dot,
Sepse jam mbytur me dëshirë,
Sa erdhe ti në këtë botë,
E bëre botën më të mirë!
Nga fund’i detit të pafund,
Me një vështrim më ngre në maja,
Bëhem i bardhë si një pëllumb,
E ngjitem gjer mbi Himalaja!
Kjo s’është fantazi poeti,
Poeti s’është kaq i fuqishëm,
Saç është qielli edhe deti,
Që bënë dy sytë e magjishëm!
Ti vetëtin e ndrit nga nuri,
Si yll i artë me vezullime,
Si monument koha të vuri,
Veç njezët vjeç në zemrën time!
2
Fati nuk më përkëdheli
Kur kalova kurthe, prita,
Kush s’më do ju shtoftë inati,
Kush më do ju shtoftë dita!
Ndenja vite në buzë-varri,
Po logjikën kurrë s’e humba,
Në një kudhër farkëtari,
Gdhenda këngë, nuk derdha plumba!
Dhimbjet, ferr. Por nuk e ktheva,
jetën në një shkretëtirë,
Të bën dhimbja që rrëfeva,
Më të dashur më të mirë!
Ndonjëherë dhe jam dorëzuar,
Se njeri jam natyrisht,
Po në çast në këmbë jam çuar,
Kur mendoja zotin Krisht!
Më për dhimbjet s’bëj çudi,
Shkenca pse nuk i mund dot,
Që në dhimbje çdo njeri,
Të mendojë të shënjtin Zot!
Të kujtojë të madhin Zot,
Të paepur në torturë,
E mos përkëdhelet kot,
Duke thënë: Jam i sëmurë!
