Një PD e vdekur dhe e pa kallur

Ornela

Jorgo Mandili

 (Vijon nga numri i kaluar)

“Gjenialiteti” hipokrit  i PD, post 90 ishte thjesht perceptimi i këtij imperativi të ri moral- liri dhe demokraci – dhe më pas identifikimi i saj me të. Kështu që detyra për të shëlbuar kombin nga e shkuara do t’u takonte atyre. Kjo qe rruga se si PD e vuri veten në krye të një “legjitimiteti” moral. Kjo e vetme do të caktonte termat për këtë legjitimitet për ta drejtuar Shqipërinë nga turpi drejt decencës.

Kjo i dha një pushtet të madh politik dhe arrogant PD- së. E cila gjithashtu investoi shuma marramendëse të qeverive të saj për këtë qëllim. Kjo iu shtua formulës për pushtet: Sa më i madh kërcënimi ndaj legjitimitetit moral të kombit aq më i madh pushteti që grumbullonte PD. Në funksion të këtij qëllimi PD u udhëhoq nga parimi i Makiavelit: “Për të marrë e për të mbajtur pushtetin duhet të përdorësh edhe terrorin… Qëllimi i terrorit-tmerroi njerëzit dhe merr atë që do ti!”.. Dhe Saliu nuk vonoi ta vinte në jetë këtë parim makiavelist.

Tmerri i përhapur nëpërmjet sjelljeve, qëndrimeve, veprimeve e mosveprimeve të tij, konfirmon se Sali-UI dhe Partia e tij nuk kishin synim demokratizimin e vendit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës, por destabilizimin politik, ekonomik e social te Shqipërisë, siç ende vazhdon akoma, për arsyet që dihen tashmë prej të gjithëve.

Psikologjia e terrorit e ushtruar nga Sali-UI si në opozitë edhe në mazhorancë, vetëm e vetëm për të marrë dhe mbajtur pushtetin me çdo çmim e çdo mjet, i ka kushtuar gjëmën më biblike Shqipërisë dhe popullit shqiptar, që tashmë dihet prej të gjithëve…

Njeriu i zgjedhur ishte më i përshtatshëm, më i besueshëm në ato që do të thoshte, i paparashikueshëm në ato që do të arrinte, i stigmatizuar si një “Arturo Ui” shqiptar, jo vetëm si një monstër destruktiviteti dhe nekrofilie, që buronte nga qenia e vet, por edhe si bartës i atij destruktiviteti dhe nekrofilie që buronte nga urrejtja dhe agresiviteti i një turme vulgare që do t’i shkonin pas liderit të tyre.

E gjithë doktrina nekrofile dhe destruktive e Sali- UI dhe PD përmblidhej në tri kërkesa – mohimi i Luftës Antifashiste NaÇl dhe rehabilitimi i ballistoidës-për t’u rikthyer dinjitetin dhe nderin e nëpërkëmbur nga komunistët kolaboracionistëve dhe tradhtarëve të saj, amplifikimin e anëve më të errëta e kriminale të sistemit socialist për ta paraqitur si diktaturën më të egër në ish kampin socialist dhe errësimin total të arritjeve materiale dhe shpirtërore të këtij sistemi diktatorial. Strategjia për zbatimin e kësaj doktrine do të ishte destabilizimi i vendit deri në shkatërrimin total të çdo gjëje dhe arritjeve”komuniste”. Dhe nuk vonoi…

Të gjitha veprimet sjelljet dhe qëndrimet e PD të ndihmuar edhe nga socialistët me heshtjen e tyre, konfirmojnë strategjinë e mësipërme. I gjithë sistemi i edukimit u shkatërrua dhe u ndërtua mbi këto synime duke rishikuar tekstet e historisë, letërsisë etj , ngritja e institucioneve Antikomuniste, siç kemi parë dhe kohët e fundit disa propozime të çmendura të tyre, heqja nga muzeu i sallës së luftës antifashiste dhe e ndërtimit socialist , propozimet për ndalimin e letërsisë dhe kinematografisë socialiste, Bunk’art 1, Bunk’art 2, si “projektorë” të anëve më të errëta, madje edhe mashtrime e falsifikime të së vërtetave, shtëpia me gjethe, thua ti e veçantë në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër në botë nuk kishte survejime, “Aushvici” i Tepelenës, një çmenduri tjetër shqiptare që i shtohet edhe zhvarrimi i eshtrave të Qemal Stafës nga Varrezat e Kombit, dekorimet nga i ndjeri ish presidenti Nishani i të gjithë Ballistoidës duke përfshirë edhe kriminelë e diversantë si H. Matjani, Halil Aliaj, Xhafer Deva etj e shumë e shumë të tjera.

Jo vetëm kaq. Por u shkatërruan, u vodhën e u dogjën e u prenë pyje, plantacione me vreshta, agrume e pemë frutore, ferma, sisteme ujitëse, bonifikime, rezervuarë, fabrika, uzina, kombinate, shkolla, çerdhe, kopshte, qendra shëndetësore, spitale. U dyndën me tabela në duar “tokë e xanun” “pushtues” , si në perëndimin e largët në Amerikë dhe ku gjenin toka të lira e ngulnin tabelën. Kjo mjaftonte që pronarët e ligjshëm të mos afroheshin tek prona e tyre se kërciste kallashi. Kjo tabelë ishte letra më me vlerë . Ajo ishte edhe certifikata e hipotekimit e “vulosur”me dhunë, shantazh e tmerr.

***

Ky ishte regjimi i Sali Ui – regjimi “i më të fortit, më të pasurit e më kriminelit.” Kjo ishte “demokracia dhe liria”e “kapardinëbardhëve” të trumbetuar me aq pasion e pathos nga këta “diversantë” të demokracisë. A nuk janë prova këto të mjaftueshme për të konfirmuar se partia demokratike ishte një “trust” kriminal dhe mbeti e tillë deri në sulmin e fundit mbi gjysmën e vet?

Një parti vlerësohet, jo vetëm nga parullat e deklaratat e saj, jo vetëm nga sjelljet, qëndrimet që mban ndaj ngjarjeve të caktuara e veprimeve që kryen vetë ajo, jo vetëm nga forcat përbërëse të kësaj partie që përfaqësojnë shtresa të caktuara shoqërore, por ….më kryesorja është se çfarë produkti prodhon në shoqëri -konstruktiv, ndërtues me prirje progresive për shoqërinë apo destruktive, shkatërruese, mohuese me prirje regresive duke krijuar një sistem antivlerash nëpërmjet një drejtimi autokrat, antidemokratik, anarkist dhe autoritaristë  për të realizuar synimet e veta. Nën këtë prizëm është parë në këtë pjesë veprimtaria e partisë së demokratikasve të vetëshpallur dhe secili le të gjykojë pastaj se çfarë “elementësh demokratike” ka në gjithë veprimtarinë e kësaj partie qysh nga krijimi i saj e deri më sot.

SALI- UI – DIKTATOR

Janë disa ngjarje kruciale të njohura prej të gjithëve që konfirmojnë tezën leniniste të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit me dhunë nëpërmjet tmerrit të përhapur tek njerzit që ata të sillen siç donte Sali-UI dhe Partia e Demokratikasve. Janë ngjarje që tregojnë prirjen terroriste të tij dhe partisë së tij .Të cilat do t’i rikujtojmë shkurtimisht ,por tek njëra do të ndalemi ,e pikërisht tek ajo ngjarje që i dha status ” DIKTATOR” SALI- UI- së !

2 prill1991- ishte “kurbani” për terror. Dhe “Arturo Ui” i yni e gjeti kurbanin në qytetin më antikomunist ,Shkodrën organizoi vrasjet e 2 prillit 1991,11 ditë pas fitores së zgjedhjeve .Dhe akuzoi PPSH për vrasjen e tyre, por populli qytetar shkodran nuk e hëngri këtë koqe ulliri për një revoltë popullore . Kjo ngjarje tashmë pavarësisht se nuk është gjykuar drejt, logjika t’a thotë se fitimtarët nuk kishin arësye të krijonin incidente aq më tepër në Shkodër dhe aq më tepër ndaj një opozite agresive si ajo e PD ,e cila njihej për dhunën e shantazhin psikologjik që ushtronte në çdo sjellje ,qëndrim apo veprim të kryer prej saj,që në ditët e para të krijimit.

Me këtë alibi , arriti të përsëriste zgjedhjet në 22 mars 1992 ,kohë e mjaftueshme kjo për të përhapur tmerrin në popull se po nuk na votuat ne, përplasje e luftë do ketë ..Dhe populli ua dha votën me bindjen “hajt t’i provojmë edhe një herë këta të shohim se ç’do të na katranosin” .Dhe PD e “fitoi”pushtetin .Ky pushtet duhej mbajtur me çdo mënyrë e mjet. I inspiruar nga teza e Makiavelit -Tmerroi njerëzit që të të binden ty! …… përdori të njëjtën strategji dhe mjete për zbatimin e saj.

Shkatërroi ushtrinë nga frika e ndonjë “puçi ushtarak”.Për këtë ngarkoi të ndjerin Zhulali që e kreu detyrën me devotshmëri “demokratike” Nga ana tjetër,caktoi Agim Shehun për të krijuar policinë sekrete dhe të ndjerin islamik Gazidede për të organizuar Shikun sipas modelit të Sigurimit të Shtetit.

Nxori ligjin 24/1për shkatërrimin e administratës shtetërore. Në emër të “antikomunistëve” filloi gjuetinë e shtrigave sipas ideologjisë makartiste ,”persekutimin” e socialistëve. Duke zëvendësuar specialistë të fushave të ndryshme me militantë mediokër ,drejtësinë me”plepistë” ,policinë dhe ushtrinë me zabitë nga dhitë.

Mbylli fabrikat, uzinat ,shkatërroi institucione që kishin vlera të atilla që me një menaxhim racional e konservim të tyre mund të ruheshin e të përdoreshin më vonë.

Të gjitha këto u realizuan “tinëzisht” gjithnjë nën psikologjinë e terrorit duke përhapur tmerr e pasiguri tek njerëzit nëpërmjet deklaratave e thirrjeve kërcënuese,mitingjeve të dhunshme, përdorimin e mjeteve të forta për përleshje deri tek kallashit e tritolët.

Nëse me të vërtetë kishte aspirata demokratike Sali-UI dhe partia e tij, me një parlament ku kishte shumicën absolute të votave mund të kishte miratuar çdo ligj dhe reformë që do t’i shërbente demokratizimit të vendit, ndërtimit të shtetit të së drejtës, institucioneve të qëndrueshme të shtetit të pakapshme nga politika, arsim të ri demokratik publik, si aset kombëtar që garanton të ardhmen e një gjenerate të re,elitë të re politike dhe intelektuale, etj,.. Kush e pengonte? Por nuk ishte ky synimi por Pushteti!

Sjellje,qëndrime e veprime të tilla që detyrimisht çuan në krijimin e një sistemi antivlerash e zëmëruan popullin dhe duke parë marrëzinë e tyre, populli i tha ndal Saliut në zgjedhjet lokale 26 korrik 1992 ,ndal edhe në miratimin e Kushtetutës “mbretërore”, që ishte i sigurtë se do e fitonte Saliut tashmë, zemërimi i kaloi në tërbim, madje në çmenduri duke ndjerë se do të humbte zgjedhjet e përgjithshme të 26majit 1996, kishte organizuar manipulimin dhe vjedhjen e tyre më spektakolare, të cilën opozita socialiste e denoncoi dhe doli nga zgjedhjet.

 28 maj 1996.- SALI- UI u cilësua DIKTATOR nga amerikanët

Këtu u shfaq për herë të parë në maksimumin e vet natyra destruktive dhe nekrofilike e një diktatori të vërtetë që mund të krahasohet me Pol Potin. 28 maji ishte pika me kulminante e organizimit të një terrori fashist kundër opozitës, forcave progresiste e popullit të thjeshtë.

Amerikanët kanë zbardhur të fshehtat e majit 1996, muaj i cili do mbahet mend gjatë në historinë e Shqipërisë.Por ngjarjet më të rënda ndodhën dy ditë më pas, më 28 maj, ku anëtarë të Partisë Socialiste dhe forcave të tjera opozitare, u dhunuan barbarisht nga policia.

Në raportin për të drejtat e njeriut të Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 1996, si dhe dy artikuj të “The New York Times” më 27 dhe 28 maj tregohet qartë irritimi amerikan me Berishën.“Katër vjet pa zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, vendi ende nuk ka vendosur një demokraci me respekt për të drejtat e njeriut. Gjyqet politike, fushatat mediatike dhe dhuna e policisë u përdorën kundër të gjithë anëtarëve të opozitës, si dhe kundër të gjithë të tjerëve që shprehnin mendime kundër atyre të pushtetit”, thuhet në raportin e DASH të 1996.

Teksa DASH është fokusuar në aspekte të përgjithshme, gazeta amerikane “The New York Times” ka raportuar atë ditë me detaje zhvillimet në Tiranë. Sipas kësaj gazete, deputetët e PS u masakruan, ndërsa Berisha është akuzuar se ia kalonte dhe Enver Hoxhës.

Pastaj erdhi 1997 – shkërmoqja e shtetit-korri atë që mbolli me farën e keqe të “tokave të xana” . Nuk mjaftoi 96 që tregoi natyrën fashiste të një regjimi antipopullor që kish instaluar Sali-UI, por ngjarjet e ’97 treguan shkërmoqjen shtetit dhe institucioneve të tij, ushtrisë, policisë drejtësisë etj .

Vëllavrasjen nuk e realizoi dot si rrjedhojë e patriotizmit të shqiptarëve si të veriut ashtu edhe të jugut. Kështu Berisha dështoi në të gjitha rastet provokative.

Pandëshkueshmëria e këtyre krimeve e trimëroi Sali-UI dhe pritej që t’i shkaktonte gjëma të reja këtij vendi si 14 Shtator 1998- një grusht shteti! Ndërkombëtarët nuk mund të pranonin një marrje pushtetit me dhunë .

Plasi Gërdeci. Gërdeci me 26 të vrarë e qindra të plagosur e dhjetëra shtëpi e biznese të shkatërruara e tokë të minuar, vetëm e vetëm që Familja të fitonte disa miliona dollarë më tepër e inspiruar nga vetë Salija dhe e zbatuar nga Fatmir Gërdeci dhe larot e tij, të shpëtuar nga drejtësia, tregoi shkallën e korrupsionit të kësaj qeverisje demokratike. Edhe ky skandal u gjykua nga “plepistët”dhe sot e kësaj dite fëmijët e groposur nga babëzia e Zenit ,kërkojnë drejtësi. Asgjë tjetër.

21 janari 2011 me 4 baballarë të vrarë në mes të ditës dhe në mes të bulevardit dhe qindra të plagosur të tjerë,tregoi përsëri mendësinë anakroniste leniniste se pushteti mbahet me dhunë.Edhe kjo ngjarje e pandëshkuar ..i njëjti personazh,i njëjti, kriminel i njëjti, Arturo ui ,jo vetëm që nuk ndëshkohet por çudia e madhe ishte se na shpallet edhe burrë shteti nga një përfaqësues i një shteti që mburret për drejtësinë dhe demokraci …

Në numrin e shfaqjeve destruktive të Sali Ui futen edhe vrasjet e pabesa të R. Hoxha,. K. Trebicka, A. Hajdarit, S. Olldashit etj, gjithmonë i akuzuar nga njerëzit e tij të skuadrës . Një shprehje tjetër e fantazive destruktive të tij është edhe burgosja e ish liderit të opozitës F. Nano apo kërcënimi i Edi Rames që në rast përsëritje revoltash jo vetëm që do të ishte i pari që do ta vriste, por me kënaqësi prej nekrofili, deklaronte se do t’i bënte edhe një varrim madhështor. . SALI-UI-ja i urren socialistët e progresistet, por nuk do të mekatonim kundër së vërtetës, në qoftë se do të thoshim se ai njëkohësisht urren edhe Shqipërinë edhe shqiptarët. Ai i urren të gjithë,, përpos Familjes së tij. Ai urren vetë jetën. Se nuk ka si shpjegohet gjithë kjo gjëmë biblike, që i është bëre Shqipërisë, gjatë qeverisjeve të tij …Këto janë faktet,ngjarjet,sjelljet,qëndrimet,mendimet e veprimet e P D ,të inspiruar e të udhëhequr nga Sali-UI.

Çdo njeri le të konkludojë vetë dhe të japë përgjigje pyetjes :”A ka ndonjë shembull në historinë e partive europiane, që një parti të cilësohet demokratike me këto prirje terroriste për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit me dhunë në shek të 21 ,të inspiruar nga një monstër sadiste, destruktive e nekrofilike, nga një”Arturo Ui” shqiptar që ende është i pandëshkuar ?

NJË PD, QË KA NGELUR TEK OBSOLENCA

Në vitin 1933, Presidenti i atëhershëm gjerman Paul von Hindenburg solli udhëheqësin e Partisë Naziste Adolf Hitler në qeveri si kancelar, edhe pasi nazistët humbën vendet në zgjedhjet e 1932. Ndërsa ishte kancelar, Rajshstagu (ose Parlamenti) u dogj në rrethana të dyshimta dhe Hitleri e përdori atë si një pretekst për të thirrur zgjedhje. Nazistët fituan një shumicë dhe më vonë morën kontrollin e plotë përmes një kuadri ligjor të hartuar prej tyre.

Në vitin 1991, Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë Ramiz Alia vendosi në krye të PD,ish komunistin ortodoks Sali Berishën. Në zgjedhjet e marsit 1992 PD humbi zgjedhjet, por Sali Berisha nuk mund ta pranonte këtë realitet. Ashtu si Hitleri që dogji Raishtagun , akuzoi komunistët dhe filloi ” gjuetinë e shtrigave” kundër tyre dhe terrorin kundër atyre që nuk do ta votonin . E njëjta alibi u përdor edhe nga Sali Berisha me 2 prillin ku akuzoi Partinë e Punës për këtë masakër. Se pse duhej PPSh të bënte këtë masakër pasi kish fituar zgjedhjet me mbi 60% , këtë e di vetëm Saliu edhe ata që e kanë orientuar. Këtu fillon t’i hapet rrugë PD për të marshuar drejt marrjes dhe konsolidimit të pushtetit me terror për t’i detyruar qytetarët të silleshin e të vepronin siç donte ai.

Tanimë është një fakt i pamohueshëm se si Shqipëria ka arritur një evolucion moral të madh që prej vitit 1990. Pikërisht ky është një problem i madh për PD , ekzistenca e së cilës është e kërcënuar nga zbehja e ideologjisë Komuniste e revanshiste . Frika më e madhe e PD është se Komunizmi nuk është më kërcënim si dikur, mbi të cilin ajo bazon pushtetin e saj. Kriza më e madhe e saj sot – burimi i angushtisë dhe urrejtjes së saj- është kalbëzimi i çështjeve të tyre. Sot PD  duket se po vdes ngadalë nga mungesa e kauzave racionale e vizionit për të ardhmen mungesa e një ideologjie të qartë dhe e burimeve njerëzore të kualifikuar. Këto po janë sfidat e PD për t’u rithemeluar si parti e re e jo si vjetërsirë me kauza të degraduara si ” antikomunizmi” ku i vetmi mohikan  i fundit që flet për dekomunistizim është Enkelejd Alibeaj (natyrshëm nuk ” fal” nipi i kriminelit me damkë Isa Toska dhe përfaqësues i godoleshëve dhe tufëleshëve). Edhe kjo përpjekje e tij apo e ndonjë tjetri nuk tregon gjë tjetër veçse dëshpërim ! Dhe PD kërkon pushtet duke luftuar ” frikën e kuqe” dhe jo dëshpërimin e zi ku kanë rënë .

Sot PD i mungon kërcënimi i duhur për të luftuar. Ajo është në kërkim të zëvendësimit të alibisë “antikomuniste” apo të rishkrimit të historisë, të cilat u dhanë një farë pushteti moral për një farë kohe por edhe këtu kanë dështuar. Duke dështuar së vepruari kështu, mbetet si kauzë vetme urrejtja. Urrejtja është një pushtet transformues. Ajo mund shndërrohet në kërcënim. Prandaj është kthyer në një armë e zgjedhur. PD e ka përdorur urrejtjen për të shkatërruar vendin për të nënshtruar kundërshtarët, për të marrë e konsoliduar pushtetin, për të …

Tashmë PD ka ngecur tek obsolenca. Nuk ka mjaftueshmërisht kërcënime sot për ta sjellë atë në pushtet. Është shumë e vështirë për njerëzit që të shohin kërcënimin si detyrim për t’iu bindur PD. Askush nuk i ndalon njerëzit që të aspirojnë për komunizmin për mirëqenie e dinjitet, apo të përulen para Dëshmorëve të e luftës si gjithë qytetarët e botës që nderojnë të rënët apo të dalin me portretet e Komandatit të Luftës .E më tej është dështimi i thuajse i çdo programi që PD  ka përqafuar – dekomunistizimi i shoqërisë, antikorrupsioni, etj., se vetë ata shoqëria e tregut, pabarazia e strukturuar, drejtësia e selektuar. Kriza në PD, nuk është vetëm një ” puç partiak” për, por vetë partia demokratikase është bërë aq e rreme, aq e korruptuar, aq hipokrite e aq e pamëshirshme në kërkimin e saj për pushtet, saqë ngjarja e fundit e sulmit të dhunshëm mbi “la Bastijën” demokratike dhe mbrojtja e saj me dhunë nga “kështjellarët”, tregoi se asgjë demokratike nuk ekziston në Partinë demokratike, duke konfirmuar teorinë tonë mbi ekzistencën e një Partie terroriste kërcënuese e shantazhuese. Është e sigurt se do të shohim përpjekje të mëtejshme të dhunshme.

 

Share This Article
1 Comment
  • Po te kishte patur zoti Mandili nje “pushtet total dhe mbrojtje totale” do kishte prere ne gilotine kokat e gjysmes se Shqiptareve.

    Ai i ndan Shqipetaret ne dy grupe:

    Pesedhjet perqind “engjuj” dhe pesedhjet perqind “djaj”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *