Një pemë për… bebushin tënd

anazapta

Ajo është bërë nënë për herë të dytë, pas 17 vitesh nga lindja e parë. Megjithëse një mësuese biologjie në karrierë dhe në një marrëdhënie të ngushtë me natyrën, sot më shumë se kurrë atë e shqetëson një qytet pa gjelbërim. Ndërsa shtyn karrocën me fëmijën e saj 8 muajsh në rrugët e Tiranës nuk mund të rrijë kurrsesi duarkryq edhe për shkak të pozicionit që mban, si koordinatore e rrjetit global të shkollave që mbjellin pemë. Ina Kasimati, mësuese e lëndës së Biologjisë në shkollën e mesme “A.Z Çajupi” ka ndërmarrë një iniciativë së bashku me disa të rinj. “Mbill pemën tënde” është ideja e një projekti që fton çdokënd të ketë pemën e tij në kryeqytet. Sipas Kasimatit, ky është një aksion qytetar ku të gjithë njerëzit përfshihen vullnetarisht përmes dëshirës për të pasur një pemë tyre apo të një personi të dashur. Pema kushton vetëm 400 lekë të vjetra, aksioni është i hapur deri në datën 15 shkurt. Ne kemi biseduar me zysh Inën, e cila është edhe koordinatore e Shqipërisë për rrjetin global të shkollave që mbjellin pemë njëkohësisht mban edhe titullin “Ambasadore e nderuar e mjedisit”.  

 

Të jesh koordinatore e rrjetit global për mbjelljen e pemëve, ç’do të thotë për ju?

Prej disa vitesh jam koordinatore e Shqipërisë në rrjetin global “on line” të shkollave, që mbjellin pemë “ENO TREE”, dhe për mua ka qenë dhe është një sfidë, përgjegjësi dhe pasion, pasi i tërë ky angazhim është vullnetar. E për më shumë, unë jam një mësuese e një gjimnazi në Tiranë, dhe duke mos patur një pozicion zyrtar ose në OJF, që mund t’i bëjë më të thjeshta gjërat koordinuese dhe mbështetëse, e kam pasur shumë të vështirë organizimin e një netuorku me shumë përfshirës të shkollave shqiptare. Gjithsesi, me mbështetje të Ministrisë së Mjedisit, në vitin 2011, kemi organizuar aksione për mbjellje të pemëve në Parkun e Dajtit (gati 1200 pemë nga nxënës të gjimnazeve “ Çajupi” dhe “A.Broci”. Po ashtu edhe me bashkëpunime me bordet e shkollës ose projekte të ndryshme, kemi bërë mbjellje herë pas here, por në numër më të vogël pemësh në 10 shkolla të përfshira në këtë rrjet. Personalisht, jam përfshirë në mjaft aksione, projekte ambientaliste dhe edukuese në arsim, ndaj edhe kam marrë titullin “Ambasadore e nderuar e mjedisit” nga lëvizja mjedisore ballkanike BELLS.

 

Prej disa ditësh, ju së bashku me disa të rinj keni ndërmarrë një iniciativë “Mbill pemën tënde”. Si lindi ideja?

Ideja e projektit më të fundit “Mbill pemën tende”, lindi vjeshtën e vitit të kaluar, nga bisedat me mikun tim, Eljan Tanini, një djalë i ri, mjaft aktiv në shoqërinë civile. Të dy kishim ide dhe dëshirë për të bërë aksione për mbjellje të pemëve. Eljani donte t’i shprehte ato si simbole të paqes dhe atdhedashurisë, për nder të Ditës kombëtare të Pavarësisë, kurse unë si realizim të aksioneve të lançuara nga Rrjeti ENO, si dhe nga ideja e disa mikeshave të mia, që ishim bëra nëna kohet e fundit, për të mbjellë pemë në emër të bebushave tanë, e për të krijuar me pemën, që në hapat e parë të jetës e në vazhdim, këtë lidhje empatike dhe shoqëruese gjatë rritjes. U munduam të gjenim mbështetje financiare, dhe kur përgjigjet rezultuan negative, atëherë iniciuam këtë projekt, ku në këtë rast, çdokush ftohet të japë një vlerë monetare 400 lekë, aq sa kushton pema, dhe në një fazë të dytë, në datën 15 shkurt, do të bëjnë mbjelljen e kësaj peme, në një zonë, ku mund të ketë mundësi edhe ndërmarrja e gjelbërimit të kujdesit, përveç personit që e ka mbjellë, por mund ta mbjellë edhe në një vend ku mund të jetë më intim, personal. Ajo që dëshiroj të them është që ne nuk themi mbjellë një pemë, por kemi mbjell pemën tënde, sepse do donim, që të sigurohej një lidhje më e mirë me secilin nga ne dhe pemët, edhe pse ato përndryshe nga ne dhe kafshët, nuk flasin, nuk zhvendosen, qëndrojnë të heshtura, përbrenda mbajnë shumë marrëdhënie jete, e që na duhet t’i kuptojmë, ashtu siç mundohemi të kuptojmë fëmijët kur rriten, apo veten tonë.

 

Ka pak ditë që ka filluar e do të vazhdojë deri në 15 shkurt. Si është pritur deri më tani?

Jemi optimiste dhe ndihemi pozitivisht mirë, sepse edhe prej shumë njerëzve, që i janë bashkuar këtij projekti, kemi marrë mbështetje reale. Synimi ynë është të krijojmë disa ambiente shtesë të gjelbëruara në disa zona, parqe apo mjedise midis banesave tona, si dhe në shkolla, kopshte, çerdhe të qytetit. Le të shpresojmë, që deri në fund të datës së publikuar për mbledhje fondesh, të mundësojmë mbjelljen e 1000 e më shumë pemëve.

 

Nëse dikush do që të mbjellë pemën e tij, si mund ta bëjë këtë, si funksionon?

Ne kemi publikuar në Facebook eventin “mbill pemën tënde” dhe çdokush mund të bëhet pjesë e tij, për të marrë informacion. Pemët do t’i sjellë një zotëri nga Vlora dhe në zonat që janë nën administrim të bashkisë, do të bëhen gati gropat për datën 15 shkurt dhe çdokush që do t’i mbjellë në këto vende, do të marrë pemën e vet, ku i është shënuar edhe emri, nëse dëshiron dhe do ta mbjellë. Përndryshe, nëse do ta mbjellë në një ambient tjetër, atëherë po në këtë datë do të marrë pemën e tij dhe e mbjell e kujdeset vetë.

 

Ju jeni mësuese biologjie, ku jepni mësim dhe prej sa kohësh?

Unë jam mësuese në gjimnazin “A.Z.Cajupi” Tiranë. Kam filluar punën time si mësuese në Bishan të Vlorës, në vitin 1993 dhe prej vitit 1997 jam mësuese në gjimnazin “Çajupi”.

 

Duke qenë në kontakt me nxënësit. A e duan adoleshentët e sotëm gjelbërimin apo janë moskokëçarës?

Mendoj që ngjyra e gjelbërt tek të gjithë njerëzit, sjell qetësi për shikimin dhe paqe për psikikën. Ndaj edhe adoleshentët them, që e duan të gjelbrën në jetën që i rrethon. Problemi i tyre është edhe modeli që i shoqëron në këto raste. Nëse grupi i tyre do të jetë aktiv në aksione për të shtuar sipërfaqet e gjelbra, edhe ata do të përfshihen. Po ashtu, mendoj se edhe prindërit, pak ua ndezin llambat e trurit fëmijëve, që kur janë të vegjël për të mbjellë një pemë, një lule, e kështu kur rriten, këto llamba mund të jenë zënë nga llamba të tjera, ndonjëherë negative.

 

Si e shini raportin e hapësirave të gjelbra në Tiranë?

Unë jam lindur dhe rritur në Vlorë, por kur ishim të vegjël shpesh vinim tek të afërmit në Tiranë dhe më kujtohet që Tirana ka qenë më e gjelbër, më e bukur, sidomos Parku nga Liqeni, Kopshti Zoologjik, rrugicat me shumë lule dhe gjelbërim. Po kështu më kujtohet edhe kur kam ardhur në universitet në vitin 1989, ku dega Bio-Kimi më dha mundësi të studioja më shumë mbi të gjallën në tërësi, por edhe të zhvillonim ekspedita në Dajt. Këtë të fundit, sot e shoh me sy mjaft kritik, jo vetëm, ende është i pakonceptuar dhe i mbrojtur në konceptin e zhvillimit të qëndrueshëm, por edhe jo atraktiv në studime, kërkime, ekspedita të nxënësve dhe të të rinjve.

 

Çfarë ju shqetëson sot në Tiranë?

Para 8 muajsh kam lindur djalin e dytë dhe i rifillova shëtitjet me karrocë, pas 17 vjetësh, kur kisha lindur djalin e parë. Tani e shoh qytetin me sy tjetër, atë të një nëne, që do të gjej një vend të qetë me gjelbërim, jo shumë larg banesës ku jetoj dhe pothuaj kjo duket e pamundur.

 

E thënë shkurt, çfarë duhet bërë?

Unë si qytetare dhe mësuese e kam kollaj të them, që më shumë përgjegjësi e buxhet duhet të ketë nga institucionet shtetërore, për zgjerim, mbrojtje dhe menaxhime të mjedise të gjelbra, për t’i pasur ato jo vetëm si vende qetësuese, por edhe atraktive, turistike, sociale. Po ashtu edhe edukimi në shkolla, duhet të jetë më efektiv, më aktiv, më social. Më empatik i lidhur me mjedisin. Por po e shoh që këto fjali janë me foljet duhet. Duhet… Unë them ja unë si qytetare, po e bëj një ndihmë, po i shtoj edhe lulet në ballkonin tim, se ato nuk janë të bukura vetëm për mua, por edhe për të tjerët që shohin ballkonin.

 

Cili është problemi më i madh që ju konstatoni tek njerëzit apo dhe tek institucionet për sa i përket, asaj që duhet të bëjnë në lidhje me shtimin e këtyre hapësirave?

Kam përshtypjen se shumë aktivitete që bëhen për shtimin e mjediseve të gjelbra, bëhen vetëm për efekte publicitare mediatike, kurse në realitet ka përplasje kompetencash, korrupsion me leje prerjesh, paaftësi për menaxhim, por mbi të gjitha truri ynë është i ndarë në “parcela”. Dhe po ashtu mendohet pa vizion për mjedisin e gjelbër, biodiversitetin dhe faktorin njeri.

 

A kemi ne nevojë për një plan emergjent në lidhje me pyjet apo me parqet, kombëtare ose jo, për dëmtimin që u është bërë atyre?

Sigurisht që po. Kam dëgjuar para dy vjetësh, në një konferencë ndërkombëtare, ku u fol edhe për pyjet dhe sipërfaqet e gjelbra në Shqipëri, një fakt tronditës për zvogëlimin katastrofik të këtyre sipërfaqeve, gjatë këtyre 20 vjetëve, nuk kam dëshirë ta them, edhe pse e  kam mbajtur shënim, pasi më duket e frikshme dhe shumë tronditëse. Sipas mendimit tim, parqet kombëtare, shpresoj të kenë fatin e mjaft parqeve në Europë, që i shijon jo vetëm për bukurinë, por edhe për të njohur më mirë natyrën, për të zhvilluar sporte të ndryshme, për turizëm, edhe për t’ju siguruar gjallesave që rrezikojnë të zhduken, një banesë më të sigurt.

 

 

 

Share This Article
3 Comments
  • Bravo zonja Kasimati, gjithashtu te uroj jete te gjate e te lumtur per bebushin, te rritet i lumtur me nene e baba.
    Ideja e mbjelljes se pemeve, sot ka kuptimin e nje dashurie per atdheun, gjelberimi i qytetit ku jetojme, i mbare vendit tone, eshte detyre e te gjitheve, prandaj gezohem, qe ka akoma shqiptare, qe dine si ti japin gezim atdheut tone.
    Uroj qe nismes suaj, ti shtohen mijra shqiptare,
    Pasuria e nje vendi duket ne gjelberimin qe ka.

  • Ka qene mesuesja ime , eshte vertete shume e mire !!!
    Dhe sa per pemet une gjithashtu kam mbjell nje para 6 vjetesh ne oborrin tim kur me lindi djali im i pare .Ia keshilloj cdokujt ta bej kete ,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *