Letër e nënshkruar, Abdyl Iljazi
Z.Dule, ju drejtoni një parti që “mbron të drejtat e njeriut” e që sipas teje minoriteti grek në Shqipëri nuk i gëzon këto të drejta. Minoriteti grek në Shqipëri ka pasur vëmendjen në kahun pozitiv në çdo kohë deri në ditët e sotme. Shikoje veten z.Dule, i vetmi deputet në radhët e minoritetit dhe je nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe veç kësaj, të drejtat e këtij minoriteti janë në një shkallë kaq të lartë sa nuk krahasohet as me vendet më të përparuara se ne. Por ju nuk doni të shikoni se çfarë vendi zë minoriteti grek. Për çudinë tonë, ju deklaroni se tek ne mungon kuadri ligjor dhe se Qeveria Shqiptare ka dështuar për këtë komunitet dhe shpreheni ndër të tjera se Bashkimi Europian do ta vlerësojë këtë çështje.
Në gjykimin tim, por edhe të shumë miqve minoritarë, më vjen keq për këtë lajthitje të çuditshme. A janë bërë ata zotër të tokës ku banojnë dhe a i gëzojnë të gjitha të drejtat si shqiptarët e tjerë? Tani më lejo zotëri, t’ju rikujtoj për atë çka ndodhur me shqiptarët e Çamërisë – nga ata që u shërbeni. Sa prej tyre janë vrarë e masakruar, sa u këmbyen me turq dhe sa të tjerë mundën të arrijnë të sakatosur në Shqipëri? Krijuat të ashtuquajtur varreza të ushtarëve grek! Por a e di ti zotëri se djali i Filatit të Çamërisë, Heroi i Popullit Ali Demi, në shtëpinë ku ka lindur nuk ka së paku një pllakë përkujtimore? Pra, Partia që ju drejtoni e që pretendoni për të Drejtat e Njeriut, a nuk ka vend t’u kërkojë këto të drejta të shqiptarëve të Çamërisë miqve grek?
Z.Dule, marrëdhënieve tona mos u vër gurë nën rrota, se populli në dy anët e kufirit të gjykon nga puna dhe jo nga guna.
