Një përmetare që drejton të rinjtë e botës

redaktor

Ajo është përmetare, por sot qeveris të rinjtë e botës si Sekretare e Përgjithshme e Asamblesë Botërore të Rinisë. Përpara disa ditësh u mbajt për herë të parë në Tiranë Asambleja Botërore e Rinisë (WAY). Këtu përfituam nga rasti të takonim Ediolën, e cila na pohon me krenari se është e para femër në 65 vite jetë të Asamblesë që mban këtë detyrë.

Ediola Pashollari ka lindur në Këlcyrë të Përmetit. Shkollën fillore, edhe atë të mesme, e ka kryer në qytetin e lindjes. Në vitin 1999, familja e saj u shpërngul për në Malajzi. Nuk keni faj të mendoni se ç’mund ta çojë një 17-vjeçare në Malajzi. Emri i këtij vendi nuk qëllon të përmendet as në biseda, jo më ta konsiderosh alternativë për t’u zhvendosur. As ajo nuk do ta kishte menduar nëse nuk do të kishte qenë për babain e saj. “Ato vite, im atë ishte në kërkim të një teknologjie që të kthente ujin e shiut në ujë të pijshëm dhe gjendej pikërisht në këtë vend. Kështu që do të transferoheshim familjarisht. Unë isha 17 vjeç dhe në muajt e parë, ndër gjërat e pakta që mund të bëja përveç shkollës, ishte të punoja si vullnetare pranë organizatës WAY”. Por nuk është kaq e shkurtër rruga e Ediolës nga Përmeti ku jetonte, deri te WAY. Në moshën e studimeve të larta u largua në Angli, ku u diplomua për Drejtësi. Me të mbaruar shkollën, nuk i qëndroi dot indiferente idesë për t’u rikthyer në Shqipëri, meqenëse ishte në moshë kur mund të jetonte edhe larg prindërve. Pa asnjë çudi, nuk rezistoi as 6 muaj. “U riktheva në Malajzi, ku rivendosa kontaktet me organizatën. Së pari më ofruan të punoja si zv/sekretare e përgjithshme, pozicion të cilin e mbajta për 1 vit, ndërsa prej 2006 jam Sekretare e Përgjithshme”. Ediola është vazhdimisht në avion, duke udhëtuar nëpër degë të ndryshme të WAY-t në botë.

Në një bisedë me DITA ajo na rrëfen eksperiencën e saj dhe rrugën që e çoi në krye të qeverisjes për të rinjtë. Historinë e saj 15-vjeçare jashtë Shqipërie dhe lidhja që mban me qytetin e saj të lindjes.

Ediola, sapo keni përfunduar (Asamblenë e Përgjithshme të XVI të Asamblesë Botërore të Rinise–WAY) një konferencë të rëndësishme në Tiranë, si shkoi ky organizim dhe si eci kjo konferencë këtu?

Jam e lumtur të them që kjo Asamble rezultoi një tjetër shembull suksesi i WAY, kësaj here në Tiranë. Të gjithë pjesëmarrësit dhe personalitetet e ftuar mirëpritën faktin që Asambleja e Përgjithshme do të mbahej në Shqipëri dhe iu përgjigjën pozitivisht ftesës sonë. Në bisedat e ndryshme me ta, të gjithë ishin të impresionuar. Dhe kjo për mua është një kënaqësi e dyfishtë. Ndërkohë që asambleja ka 10 ditë që ka përfunduar, mediat ndërkombëtare ende po flasin dhe publikojnë për arritjet dhe vendimet që u morën gjatë punimeve të saj.

10499895_10152173934442727_23351173_oÇfarë interesi pati kjo konferencë për të rinjtë shqiptarë dhe çfarë u vendos konkretisht në të?

Një ndër arritjet më të mëdha të vendit tonë ishte anëtarësimi me të drejta të plota i Këshillit Rinor Shqiptar në WAY. Ky anëtarësim i lejon të rinjtë shqiptarë të marrin pjesë në çdo aktivitet që organizon WAY, anëtarët e WAY-t, Kombet e Bashkuara, si edhe organizata ndërkombëtare që bashkëpunojnë me WAY-n. E rëndësishme të theksojmë është gjithashtu edhe e drejta e përdorimit të publikimeve, kërkimeve, politikave të të rinjve që WAY ka arritur dhe do të arrijë në të ardhmen, nga Këshilli Rinor Shqiptar për të rinjtë shqiptarë. Si edhe mundësia që i jepet vendit tonë si anëtar i WAY-t për të marrë pjesë në programet tona dhe njëkohësisht për të votuar.

Lë te kthehemi pak te ju. Gjatë këtyre ditëve është theksuar gjithmonë se ju jeni e para femër në postin e Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Botërore të Rinisë. Si u zgjodhët aty?

Më duhet të kthehem pas në kohë. Le të themi që ka qenë një rrugë e gjatë plot sfida, angazhim dhe përkushtim, e cila nis 15 vite më parë. Prezantimi im i parë me WAY-in filloi në vitin 1999, ku unë punova aty si vullnetare për gjashtë muaj. Gjatë kësaj kohe unë u mora me administrimin e sekretariatit dhe organizimin e disa programeve. Kurse, karriera ime me WAY-in filloi në vitin 2006, ku u emërova si Zëvendës-Sekretare e Përgjithshme. Ky pozicion u vendos për herë të parë ku unë punova aty për 2 vite. Në fund të vitit 2007 unë u emërova si Sekretare e Përgjithshme në detyrë deri në vitin 2010. Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të WAY–t XV që u organizua në Malajzi në vitin 2010, unë u emërova si Sekretare e Përgjithshme, dhe këtu mundem të përmend (me kënaqësi dhe krenari) që gjatë rrugëtimit 65-vjeçar të WAY-t, unë jam e para femër dhe në një moshë të re, që është emëruar në këtë pozicion.

Çfarë kompetencash keni ju në atë post?

Sekretarja e Përgjithshme e WAY është një pozicion me kompetenca ekzekutive që emërohet nga Komiteti Ekzekutiv dhe aprovohet nga anëtarët e Asamblesë gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të WAY-t çdo 4 vjet. Sekretarja e Përgjithshme është përfaqësuesja kryesore e WAY, ajo përfaqëson organizatën përpara çdo shteti, çdo organizate tjetër botërore, rajonale dhe lokale, si edhe përpara gjyqësorit. Detyra ime kryesore në këtë organizatë është menaxhimi i të gjitha departamenteve të sekretariatit të WAY-it dhe përfaqësimi i WAY-in në takimet ose programet që organizojnë Kombet e Bashkuara, Organizatat ndërkombëtare, ministritë e rinisë në botë dhe anëtarët e WAY-it.

Duke qenë se WAY ka rol thelbësor ndërkombëtar në politikat dhe programet në mbështetje të të rinjve shumë shpesh unë jap fjalime, referoj apo prezantoj strategjitë dhe politikat tona në shtete të ndryshme në mbarë globin. Është një agjendë e ngjeshur pune, aktive dhe shumë impenjative, por që mua nuk më lodh kurrë, përkundrazi më përfshin gjithnjë e më shumë me sfidat e shumta në mbështetjen dhe forcimin e rolit të të rinjve kudo në botë.

10514612_1426968944248946_749817976740186172_nCilat janë rezultatet e punës tuaj në këto vite, një gjë që ju u bën krenare?

Viti që unë ndihem më krenare në arritjet gjate punës në WAY, ka qenë viti 2012 ku ne kemi organizuar 13 programe ndërkombëtare dhe rajonale. Këto programe u organizuan në bashkëpunim me anëtarët e WAY-it, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara si UNESCO, UNU dhe UNFPA, dhe u organizuan në Francë, Korenë e Jugut, Malajzi, Amerike, Indonezi, etj. Vlen të përmend që të gjithë dokumentet e hartuara (outcome documents) gjatë këtyre programeve u përmendën në raportin botëror të të rinjve që publikohet çdo vit nga Kombet e Bashkuara (World Youth Report – i cili implementohet nga shtetet anëtare të OKB).

Si është një ditë e zakonshme pune e juaja dhe cila është dinamika e saj?

Një ditë e zakonshme në zyrën time fillon me kontrollimin dhe përgjigjen e emaile-ve dhe korrespondencës së ditës. Pastaj unë angazhohem me takimet përkatëse sipas programit ditor. Një pjesë të rëndësishme të ditës e kaloj me mbledhjet me departamentet e WAY-t për të diskutuar zhvillimet që atë kanë arritur në organizimin e programeve përkatëse.

Puna ime në WAY është shumë dinamike pasi ndodh që për arsye pune të udhëtoj shpesh brenda vendit (Malajzi) dhe sidomos jashtë tij (SHBA, Europë, Afrikë, Azi). Në varësi të programeve dhe aktiviteteve që ne zhvillojmë, por edhe në ato që jemi të ftuar, është e detyrueshme për mua që të jem pothuajse gjithmonë në këto aktivitete duke raportuar, këshilluar, drejtuar, etj.

Ju jeni një vajzë me shumë kualifikime, nuk keni menduar ndonjëherë që të bëni një punë tjetër që ndoshta do ju sillte më shumë të ardhura?

Modestisht më duhet ta pranoj që kam pasur mundësi të ndryshme, pse jo edhe me fitimprurëse, por dëshira e madhe për të ndikuar në promovimin e të drejtave të të rinjve, sidomos të atyre vendeve me një demokraci të limituar (të brishtë), ka qenë dhe mbetet një nga ëndrrat e mija. Unë e dua shumë këtë punë dhe WAY është një organizatë që ka lënë gjurmë shumë pozitive në shumë shtete të botes, dhe kaq mjafton që unë mos të tundohem nga fitimi material më i mirë i çdo punë tjetër. Pastaj ku ka gjë më të mirë se sa të punosh me të rinjtë, ata janë kremi i shoqërisë dhe pasuria e çdo shteti.

10481717_754215111287582_5456836935700808445_nCila është kënaqësia që ju sjellë kjo punë dhe a besoni ju tek njerëzit idealistë?

Edhe pse kjo punë është shumë e lodhshme, dhe kërkon shumë udhëtime dhe kohë nga jeta ime, unë e adhuroj atë pasi dëshira për të bërë diçka të mirë për të ardhmen e të rinjve, është një kënaqësi e pashpjegueshme. Idealizmi është i lidhur ngushtë me pasionin dhe pasioni është katalizatori që na nxit të realizojmë objektivat tona. Mendoj se çdo njeri në mënyrën e tij ka të fshehur brenda vetes idealizmin, madje edhe në ato raste kur nuk e pranon se e ka një të tillë. Sigurisht që besoj dhe i vlerësoj njerëzit idealistë, por nga ana tjetër besoj fort se idealizmi duhet të ketë si pjesë të pandarë të tij realitetin. Idealja bëhet më e prekshme kur e vendosim në realitetin të cilin jetojmë.

Puna që ju bëni është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejt me politikën, ju ka shkuar në mendje të bëheni pjesë e politikës, p.sh si ligjvënëse në parlament apo anëtare e kabinetit qeveritar?

Sikurse ju e përmendni, puna që ne bëjmë është e lidhur drejtpërdrejtë me politikën, pasi ne kemi partnerë qeveritë e vendeve anëtare dhe në mënyrë të veçantë bashkëpunojmë me ministritë e rinisë. Në mënyrë jodirekte ne luajmë rolin e ligjvënësit duke hartuar rregulla dhe dokumente të ndryshme të cilat kërkojmë të implementohen nga qeveritë përkatëse. Në protokollin ndërkombëtar pozicioni që unë mbaj, ai i Sekretares së Përgjithshme, është ekuivalent me atë të Ministrit. Megjithatë për të ardhur tek pyetja juaj, duke njohur veten dhe angazhimet e mia në rang ndërkombëtar, ideja e të qenurit një ligjvënëse apo anëtare e kabinetit të ministrave është shumë larg.

pashollariJeni 33 vjeçe drejtoni një organizatë kaq prestigjioze, cila janë objektivat për të ardhmen?

Unë sapo u riemërova në Asamblenë e Përgjithshme si Sekretare e Përgjithshme e WAY-t, dhe jam e lumtur të pranoj se udhëtimi im në këtë organizatë do të vazhdojë edhe këto 4 vite të ardhshme. Përpara shtrihen një sërë programesh ambicioze që do të trajtohen dhe realizohen, megjithatë dua të theksoj se unë në çdo rast do të punoj me rininë për rininë.

Në bisedën paraprake që patëm na thatë se jeni nga Përmeti. Kur jeni larguar nga ky qytet dhe çfarë kujtimesh ruani prej qytetit të lindjes?

Unë jam një vajzë përmetare! E ndjej me zemër këtë fjali, e përmend gjithmonë. Kudo që udhëtoj apo këdo që takoj me qetësinë dhe buzëqeshjen që e karakterizon një vajzë përmetare, e shpreh që ndihem krenare që jam shqiptare dhe vij nga një qytet i vogël, ai i trëndafilave, traditës dhe kulturës.

Largësia ime e ka bërë lidhjen me Përmetin edhe më të fortë. Për mua, por besoj si për çdo njeri fëmijëria është pjesa më e çmuar e jetës dhe fëmijëria ime është Përmeti. Qyteti ku lindën ëndrrat e mia të para! Gjithçka aty, njerëzit, natyra, ajri, meloditë përmetare, mirësia, mikpritja, zhurma e lumit të Vjosës buzë qytetit, shtëpitë karakteristike, sofrat e mbushura me gatimet më të mira, rrugicat e vogla e sokakët ku luanim etj, vijnë tek unë si një copëz e mrekullueshme e jetës që e mbaj gjithmonë me vete, në mendje dhe në shpirt. Është copëza më e bukur e jetës që do doja ta rijetoja sërish.

Ktheheni shpesh në vendlindje dhe çfarë keni trashëguar nga temperamenti i butë i zonës suaj?

Gjatë këtyre 15 viteve që unë jetoj dhe punoj jashtë Shqipërisë, jam munduar që të kthehem këtu të paktën çdo 2 vjet, dhe të kaloj disa ditë pushimi me të afërmit e mi në Përmet, si edhe me shoqërinë time në Shqipëri. Përmeti është destinacioni i parë në Shqipëri që unë i rekomandoj çdo të huaji, bashkëpunëtori apo të njohurve jashtë Shqipërisë. Madje edhe përmes kësaj interviste i ftoj të gjithë të bëjnë Përmetin pjesë të pushimeve të tyre. Është një qytet i mrekullueshëm dhe për këtë besoj jemi dakord të gjithë!

Cila është familja juaj, si jetoni ju në një vend si Malajzia. Si është niveli i jetesës atje, cilat janë kushtet, a jetohet mirë?

Familja ime është im atë, nëna dhe vëllai, i cili është pak vite më i madh se unë. Familja ka qenë ajo që më ka mbështetur dhe inkurajuar në çdo hap dhe është ajo që përjeton çdo sukses apo shqetësim timin. Sa herë që unë udhëtoj jashtë Malajzisë, nëna ime nuk ngurron të më telefonojë të paktën dy herë gjatë ditës, pavarësisht se këshillat i kërkoj më shumë nga im atë, ndërkohë që dhe vëllai ka qenë një nga vullnetarët më të devotshëm të WAY-t.

10502409_1426976324248208_9115179321138895459_nMalajzia është një vend shumë i bukur ekuatorial, por mungesa e stinëve e bën ndryshe jetesën atje. Malajzia ka vetëm stinën e verës, dhe atje na merr malli të veshim palltot, por nuk na merr malli aspak për çadrat e shiut dhe për diellin. Niveli i jetesës është i mirë, duke qenë se Malajzia ka pasuri të shumta natyrore, dhe është një pikë e fortë e tërheqjes së turistëve.

Jeni ju njeri që bëni kompromise?

Po. Kompromiset janë pjesë e njohurisë, sakrificës dhe dashurisë. Kompromisi është rruga më e mirë drejt paqes, drejt përpjekjeve pozitive për të arritur një të mirë të përbashkët. Ndaj dhe unë jam e bindur se, sa më shumë kompromise të bëjmë aq më shumë lidhim e ndërtojmë ura bashkëpunimi mes njëri-tjetrit.

Fakti që keni arritur deri këtu me çfarë kosto është arritur. Ka qenë e vështirë, keni sakrifikuar…?

Arritja ime e deritanishme është rezultat i një pune me kohëzgjatje jo të vogël. 9 vite në WAY i kam përshkruar me punë të përditshme, orë të vona, takime dhe diskutime pafund, kërkime dhe publikime, shpesh herë pa pushime vjetore dhe pa pasur kohe as të sëmurem. Ka qenë sa e bukur të punosh si vullnetare e WAY-t po aq edhe e vështirë si Sekretare e Përgjithshme me gjithë përgjegjësitë që të ngarkon ky pozicion. Ka qenë një sfide të mbash këtë post edhe duke qenë një femër e re dhe sidomos kur e përfaqëson organizatën në vende delikate si Lindja e Mesme, apo Afrika. 9 vite janë gati një dekadë dhe mendoj se të gjithë sëbashku kemi arritur shumë, të paktën kemi arritur objektivat që kemi vendosur, dhe do të vazhdojmë kështu.

 

***

1619115_672590259500494_220921689956274505_nRëndësia dhe influenca e Asamblesë

Asambleja Botërore e Rinisë është krijuar në vitin 1949, dhe për 65 vite kjo ka qenë e vetmja organizatë që koordinon këshillat rinore kombëtare në botë. Gjithashtu, është e vetmja organizatë që trajton 21 probleme të të rinjve sipas përcaktimeve të Kombeve të Bashkuara, si p.sh.: të drejtat e njeriut, demokracia, edukimi, punësimi, mjedisi, shëndeti, etj. Duhet të theksojmë që WAY ka një status të posaçëm këshillimor me Kombet e Bashkuara si edhe me agjencitë e tyre. WAY e ka nisur misionin e saj duke bërë histori që në hapat e parë, pasi me vendime dhe programe strategjike ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm duke ndikuar në çlirimin e disa shteteve të pushtuara apo të kolonizuara. Gjithashtu WAY, ka zhvilluar/promovuar politika kombëtare rinore dhe ka influencuar në ndryshimin ose përmisimin e ligjeve që mbulojnë të drejtat e të rinjve. Të gjitha programet që organizohen nga WAY kanë si qëllim hartimin e dokumenteve, rregulloreve, etj (outcome document) që shërbejnë si direktiva për t’u implementuar nga çdo shtet anëtar.

Share This Article
2 Comments
  • Ndjehemi krenar kur lexojme per arritje te shqipetareve neper bote, e sidomos te te rinjve, qe megjithese kane kohe qe kane ikur prej ketej, megjithese kane arritur te jene kaq te sukseshem, nuk e harrojne Shqiperine.

    Te lumte moj vajze, se me diplomen e avokatit nga Anglia mund te kishe marre nje drejtim tjeter ne jete.

    • Një informacion të bukur na kini sjellë Entela? Unë nuk e dija fare që rinia paska një strukturë drejtuese në O K B? Megjithatë ja e mora vesh që e udhëheqka një përmetare!? Por nuk jam shumë i qartë për aktivitetet konkrete që kryejnë me rininë këta? Pa ardhur kjo përmetarja nuk kam ndjere kurrë qe okb të jetë marë këto 24 vjet me problematikën e rinisë shqiptare? Le që këtu te ne s’meret vesh cili forum rinor është jashte ombrellave partiake? Nejse,suksese kësaj përmetares dhe Juve në sjelljen e shkrimeve që bien erën e “të veçantës”! Nderime!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *