Sa herë që ka diçka që nuk i funksionon në skemën e tij politike lidhur me Perëndimin, Sali Berisha rikthehet gjithnjë tek e njëjta lojë. Ajo është përpjekja për të ndarë qëndrimet e SHBA-së dhe BE-së në lidhje me të. Kur ka qenë President i Shqipërisë në vitin 1996-1997 dhe po hynte në krizën më të thellë që ky vend ka pasur me SHBA-në, ai iu fut lojës së diferencimit të qëndrimit europian me atë amerikan kundër tij.
Në gjithë deklaratat dhe qëndrimet e tij politike, ai filloi të ndajë SHBA-në nga BE-ja, duke u përpjekur të relativizojë qëndrimet e tyre të ashpra kundër manipulimit të zgjedhjeve të 26 majit dhe më pas mënyrës, sesi po përpiqej të menaxhonte krizën e firmave piramidale dhe krizën e gjithë demokracisë në Shqipëri. Pak nga pak ai krijoi prototipin e “amerikanit” që kishin inat Berishën dhe europianëve që e donin, por s’kishin çfarë tu bënin amerikanëve. Humbja e tij më 1997-ën dhe izolimi ndërkombëtar ishte finalja e këtij iluzioni. Në rikthimin e tij të dytë në pushtet, ai e bëri disa herë të tjera këtë skenar. E bëri kur u konfliktua me ambasadorin Withers, për shkak të aferës së Gërdecit.
E bëri më pas me ambasadorin Arvizu, të cilit i vuri në shpinë lobistët që paguheshin me parat e qeverisë shqiptare për ta denoncuar dhe dëmtuar në karrierën e tij politike, ndërkohë që tentonte të mbante të vetët të ngrehur, me idenë se miqtë e tij në Perëndim ishin të fortë. Kështu pas një marrëveshje klienteliste për helikopterë të shtrenjtë me Francën, Marrëveshjes për Detin me Greqinë, koncesioneve eulike të Berluskonit dhe pazarit me kryeministrin çek për ÇEZ, ai arriti të marrë leje të dorëzojë në Prag, dosjen për Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit, për të krijuar idenë se me Europën e kishte punën mirë. Edhe në kulisat e brendshme të raporteve me ambasadorët, ai përdorte shpesh pamundësinë e një ambasadori të BE-së, për të pasur qëndrime aq të qarta sa ai SHBA-së, për të krijuar idenë se me një palë e kishte mirë me tjetrën keq, por për inate personale.
Në fakt kjo nuk është shkollë tipike e Berishës. Gjithë liderët autoritarë në botë e përdorin këtë taktikë për të tentuar përçarjen dhe relativizimin e qëndrimeve ndërkombëtare kundër tyre. Milosheviçi e luajti këtë kartë deri në fund dhe ishte një mrekulli dhe meritë e padiskutueshme e Tony Blair dhe Bill Clinton, që e mbajtën të bashkuar Europën me SHBA-në kundër tij për Kosovën. Tani që ka dy vite në opozitë dhe që nuk ka asnjë mekanizëm për të ngjallur shpresë në opozitë, Berisha po rikthehet tek loja e vjetër e “përçarjes” së BE-së dhe SHBA-së, por duke ndryshuar portat. Tani tenton të thotë, që ka me vete ambasadorin amerikan dhe ka kundër ambasadoren “flokëkuqe”, siç e ironizon ai, të Bashkimit Europian. Madje këtë lojë e shtrin dhe tek raportet mes BB dhe FMN-së me qeverinë e Tiranës.
Lavdëron FMN-në, që po heziton të lidhë marrëveshje me qeverinë për shkak të rezultateve të ulëta fiskale dhe sulmon Bankën Botërore që nuk ulet të flasë me Berishën për këto punë. Ironia është se Berisha është i vetmi armik zyrtar i FMN-së në Shqipëri, të cilët i ka zbuar dy herë dhe dy herë e ka kthyer shtetin në Piramidë, më 1997-ën dhe 2013-ën. Por le të kthehemi tek përpjekja e tij banale për të krijuar idenë që SHBAja dhe ambasadori Lu është pro tij dhe opozitës, ndërsa BE-ja dhe ambasadorja e saj “kokëkuqe” është me qeverinë. Përveçse është një banalitet, që nuk aplikohet nga asnjë ish-kryeministër normal, është dhe diçka joproduktive, pasi askush nuk mund të lejojë as opozitën as qeverinë, të përdorë emrin e një shteti apo një përfaqësie si BE-ja për qëllime politike. Ambasadori Lu ka ardhur në Shqipëri si përfaqësues i SHBA-së dhe Presidentit Obama dhe është ndoshta ambasadori më aktiv dhe më i drejtëpërdrejti që SHBA-ja ka pasur ndonjëherë në Shqipëri.
Kjo është një meritë e tij, që nuk ia përton askujt për t’ia thënë në sy çfarë mendon, por ideja banale e Berishës për të ndarë qëndrimet e tij nga qëndrimet e ambasadores së BEsë, vetëm sa mund t’i detyroj të dy këta të fundit, të shkojnë ndonjë ditë sërish në oborin e SHQUP-it për t’u takuar me Bashën dhe nëse shikojnë Berishën të ndërrojnë vendtakimin, siç bën herën e fundit që shkuan bashkë. Jo Berisha që është një kartë e djegur, por as Rama, as Basha dhe askush tjetër nuk mund të përdorë diplomatët e Perëndimit sikur të jenë Aldo Bumçi, për të bërë politikë vulgare ditore. Dhe i bëjnë dëm opozitës dhe vetes, kur tentojnë t’i përdorin në mënyrë banale, pasi thjesht provokojnë sqarime dhe qëndrime ndaj tyre.