Një poet si Ali Podrimja (Në 3 vjetorin e vdekjes)

redaktor

Në ditët përvëluese të korrikut 2012 – pikërisht 3 vjet më përpara – ndodhesha në qytetin Sete në jug të Francës, në vendlindjen e poetit Paul Valery. Ishte një qytet i çuditshëm, i ndërtuar mbi një ishull dhe i lidhur me kontinentin me ura, pra me një strukturë që më kujtonte Atlantidën e Platonit ose Venedikut.

Gjatë një udhëtimi me anije në det, në bordin e të cilës ishin shumë poetë nga vendet mesdhetare që recitonin poezitë e tyre, midis tyre edhe unë, pata një bisedë të beftë me një nga detarët e anijes.

– Ju jeni shqiptar? – më pyeti ai.

– Po.

– Sapo kam marrë vesh nga media që një poet shqiptar nga Kosova është gjendur i vdekur tetë kilometra larg qytetit Ludeva, që është disa dhjetëra kilometra larg qytetit Sete.

-Një poet shqiptar? Si e kishte emrin?

– Nuk e mbaj mend emrin.

Ndjeva një ankth të jashtëzakonshëm. Nuk e kisha fare idenë se për cilin poet shqiptar bëhej fjalë.

Anija u ankorua në mol.

Zbrita me shpejtësi për t’u futur në një kafe internet. Befas mora vesh se poeti dhe miku im Ali Podrimja ishte gjetur i vdekur në mënyrë misterioze buzë një lumi. Nuk e dija që Ali Podrimja ndodhej në Francë. Nuk kisha asnjë informacion tjetër.

M’u krijua një pështjellim i paparë. Si ka mundësi të vdiste Ali Podrimja?

Të gjithë jemi të vdekshëm.

Por Ali Podrimja nuk e kishte ende këtë status.

Solla ndërmend tërë kalendarin e gjatë të viteve të njohjes sime me të dhe të takimeve të shumta. Ali Podrimen e kam njohur për herë të parë në vitin 1979 kur ai së bashku me gruan e tij të nderuar Fitoren erdhi të vizitonte Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

Atëherë unë punoja si arkeolog dhe takimi im me Aliun ishte një ngjarje emocionuese. Më vonë jam takuar me të në Tiranë, në Prishtinë, madje dhe në Skrapar, në malin e Tomorit etj. E kam të vështirë të them disa vlerësime me një stil epigramatik për krijimtarinë e këtij poeti të shquar. Fillimisht kam lexuar në vitin 1971 librin e tij “Torzo”. Ky libër më bëri përshtypje për modernitetin poetik. Më pas lexova kryeveprën e tij “Lum Lumi”.

Duke mos e besuar ende vdekjen e tij fizike, gjë që është një realitet i pamëshirshëm por edhe i patjetërsueshëm dot, mendoj se Ali Podrimja po përjeton tani jetën e tij të dytë, atë që lidhet me shpitin e poezisë.

Duke mos dashur të bëj asnjë apologji, apo mbivlerësime të kota mbi figurën e tij si poet, të cilat në shumicën e rasteve janë krejt të pasinqerta, dua të artikuloj idenë se vlerësimi shkencor dhe serioz i kontributit poetik të Ali Podrimes mbi poezinë shqipe kërkon hulumtime, studime si dhe një shkallë të krahasimtarisë në rrafshin estetik, që është rrafshi më i epërm i artit në lidhje me zhvillimet e poezisë shqipe në shekullin XX, por të pashkëputur edhe nga poezia rajonale ballkanike dhe ajo evropiane.

Për të qenë i qartë në ato që po them jam mëse i vetëdijshëm se klasifikimet e shpejta po edhe diletante nuk kanë të bëjnë fare me krijimtarinë substanciale të një poeti.

Për mendimin tim, Ali Podrimja është një nga poetët e shquar shqiptarë, pjesë e një konstelacioni të ndritur poetësh të Kosovës me emra të tillë si Rahman Dedaj, Fahredin Gungaj, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Beqir Mysliu, Mirko Gashi etj.

Kjo është poezia që unë do ta quaja si një tipologji iluminuese, përndritëse të viteve 70 të shekullit XX.

Në substancë kjo ishte një poezi e nivelit të lartë, një poezi e dallueshme dhe në reliev që poetët e Kosovës e bënin si një afirmim të vetëdijes etnike, por edhe të estetikës së mirëfilltë. Kjo poezi e viteve ’70 ishte me të vërtetë superiore dhe e pazakontë në raport me të kaluarën. Pikërisht brenda këtij konstelacioni, poezia e Ali Podrimes pati profilin e saj origjinal dhe shpesh të beftë dhe disa herë provokues dhe plot pretendim.

Ali Podrimja e konceptualizoi poezinë në atë që quhet esenca ekzistenciale, ku dimensioni i tragjedisë etnike ishte e gjithëmbarshme, plot simbolika të mëdha. Poezia moderne e Ali Podrimjes ka shpërthime, herë-herë në dukje të shkujdesura, por gjithmonë të pafrikshme. Për poetin Ali Podrimja etnikja është universi i tij, me gjeografinë dhe njerëzit, me birin e tij të simbolizuar kaq thekshëm, është lirika e një shprese të pakufishme që parakupton një ndryshim të domosdoshëm dhe jetik.

Kështu, ekzistencialiteti poetik i Ali Podrimes e ka një motiv qendërzues që është ankthi, projekti dhe sendërtimi i lirisë. Interesante është të vë në dukje se poezia moderne e poetëve të Kosovës në vitet ’70 të shekulli XX e pati dhe një paralele të tillë në Shqipëri.

Duke qenë një nga përfaqësuesit e poezisë moderne të viteve 70 në Shqipëri e kam shqisuar dhe ndjerë deri në thelb këtë dukuri ku paralelizmi nuk është aspak një veçim, por është domosdoshmërisht një sintezë. Në tekstet diletante të historisë së letërsisë shqipe (mendoj se ende nuk kemi një tekst serioz në këtë rrafsh) nuk i është vënë fare rëndësi rëndësisë konceptuale të poezisë së viteve ’70 në Kosovë dhe në Shqipëri. Mendoj se kjo ishte poezia më moderne në raport me paraardhësit dhe se studimi jo më i mëvetshëm po në një shkrirje dhe në një perspektivë historike i kësaj poezie, do të zbulonte vlerat e mëdha dhe ndryshimet e mrekullueshme që mbart kjo poezi për ta integruar poezinë shqipe me poezinë e madhe evropiane dhe botërore.

Poezia e viteve ’70 në Kosovë ishte ndryshimi më i madh konceptual dhe shkëlqimi më i lartë estetik në përgjithësi. Po kështu edhe në Shqipëri. Është hera e parë që poezia shqipe harmonizohet me koordinatat e bashkësisë së poezisë moderne. Është hera e parë që poezia shqipe universalizohet, duke sublimuar jo vetëm teknikat dhe poetikat e përparuara, por duke artikuluar fuqishëm dhe kredencialet kombëtare dhe shpirtërore. Është për t’u habitur që këtë zenit poezia shqipe nuk e ka tashmë fjala vjen në këto njëzet vjetët e fundit.

Në këto njëzet vitet e fundit poezia shqipe zotërohet nga një teknicizëm formal poetik, nga mjeshtëri artizanale të sofistikuara, po për fat të keq pa shpërthime poetike të mirëfillta ndikuese dhe stimuluese. Në këtë optikë mund të rivlerësojmë sot ç’rëndësi të madhe pati poezia shqipe e viteve ’70, dhe në suazën e saj të ndritshme edhe protagonizmin poetik të poetit Ali Podrimja.

E pra, Ali Podrimja me individualitetin e tij tejet të shqetësuar, në dukje naiv, por të thellë, është një nga prijetarët e çmuar dhe të dalluar të kësaj poezie novatore, me konotacione universalizuese.

Ali Podrimja mund të vdesë fizikisht (si të gjithë ne) por shpirtërisht ai është poeti që nuk mund të vdesë dot.

Mos e besoni se ai ka vdekur diku në Francë për t’u varrosur në Prishtinë. Ky është thjesht një fakt biografik dhe asgjë më shumë. Ai është ende midis nesh, bisedon dhe debaton me ne. Rrallë kam njohur një njeri kaq shumë të lidhur ekskluzivisht me poezinë. Nuk dua që këto rreshta të mi të jenë thjesht epitafikë. Jam i bindur se rileximi dhe rikthimi te poezia e Ali Podrimes është një kënaqësi e veçantë. Kjo do të ndodhë përherë, sepse gjeneratat e reja do ta kenë përherë këtë mundësi të mrekullueshme. I paharruar qoftë kujtimi i tij.

Share This Article
1 Comment
  • Ali Podrimja eshte nje nga poetet brilante te shpirtit shqiptar dhe te atij europian. Poetet nuk vdesin kurre sepse ata jane misionaret divine ne planetin e njerezve te vdekshem. Ata jane shpirtra ‘te porositur’ nga Inteligjenca Supreme qe vine nder ne per te na inkurajuar ne luften tone te perditshme me veshtiresite dhe me absurditetin e jetes dhe pastaj largohen te veshur me tiisin e qetsise se tyre hyjnore, shpesh here te pa-kuptuar nga shumica derrmuese e njerezve te vdekshem.
    Me kalimin e viteve dhe te shekujve figura dhe vlera artistike e vepres poetike te Ali Podrimjes do te fitoje permasat dhe bukurite e verteta. Ai do te jete poeti i brezave te ardhshem te Shqiperise europiane, andrres se Tij te perjeteshme.
    I ndritet shpirti ne perjetesi ketij shqiptari te madh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *