Ai është një ndër futbollistët më të dashur të skuadrës së Kukësit. Sa herë ka ndeshje, emri i tij thirret njëzëri në stadium. Përveçse një futbollist i talentuar, ai është edhe një djalë i pashëm. Po flasim për Ylli Hoxhën, mesfushorin e skuadrës veriore bardheblu, e cila vitin e kaluar ka surprizuar çdokënd me rezultatet e saj. E kemi ftuar të jetë pjesë e faqeve të “Ditës” për sot, jo më shumë për futbollin se sa për një zhvillim thelbësor në jetën e tij. “Ylli” i Kukësit është fejuar më një “yll” nga Prishtina. Juristja Artena Dobova dhe Ylli Hoxha kanë shkëmbyer këto ditë unazat e fejesës, duke e zyrtarizuar në këtë formë lidhjen mes tyre. Artena është bukuroshja që i ka rrëmbyer zemrën kosovarit të Kukësit këtu e gjashtë vite më parë. Në një ceremoni private në Prishtinë, ata kanë prezantuar njëri-tjetrin në familjet përkatëse, duke kaluar tashmë në një stad tjetër të jetës së tij. Në një bashkëbisedim me ne, shqiptari nga Kosova i “Kukësit”, ka treguar anën tjetër të tij, larg fushës: atë të kurorëzimit në fejesë me juristen Artena.
Ylli, si jeni njohur me Artenën?
Po, jemi takuar nga një shoqëri e përbashkët, rastësisht . Më pas gjithçka ka ardhur dhe është zhvilluar me kalimin e kohës. Që herën e parë më ka pëlqyer. Këtë gjë kuptoja dhe nga ana e Artenës, filluam të frekuentoheshim. Por dua të theksoj se që në fillim i kisha qëllimet e qarta.
Ka kohë që njiheni?
Po, tashmë janë bërë gjashtë. Që do të thotë është një lidhje e konsoliduar me kohën. E kishim menduar fejesën edhe më parë, por përfitova nga fundjava duke pasur dy ditë pushim dhe bëmë një ceremoni të përbashkët familjare.
Ju jeni një futbollist që jetoni në Tiranë, ndërsa Artena në Prishtinë, e konsideroni pengesë?
Normalisht që është e vështirë, por për faktin se kemi vite bashkë, e kuptojmë njëri-tjetrin. Largësia ka qenë njëra nga pengesat dhe fakti që Artena ndjek studimet e larta për juridik. Por ia kemi dalë!
Realizuat ceremoni të madhe për fejesë apo gjithçka ishte private?
Private. Nuk ka qenë ndonjë propozim special. Ne kishim kohë që e kishim menduar, por duke qenë se isha pushim, vendosëm që të shkëmbenim unazat. Festa ishte familjare, por ia kaluam shumë mirë.
Ju ndjek Artena në stadium?
Më ndjek, por më shumë ndeshjet i ndjek nga televizori.
Përveç faktit që ajo ndjek studimet për juridik, ne pamë disa foto të saj si modele…
Po, Artena e ka hobi modeling-un. Kështu pozon për qejf.
Martesa është e afërt?
Nuk e kemi menduar ende, kur të jetë kismet… As këtë nuk e kemi diskutuar.
Së shpejti vjen sezoni veror, keni menduar për pushimet tuaja?
Kjo do të jetë shumë e vështirë. Ne sigurisht që do të hyjmë në Europë dhe impenjimet këtu ndoshta do të na detyrojmë të mos pushojmë. Gjithsesi, në rastin më të parë me Artenën do të shkojmë për pushime në ndonjë vend special, që nuk e kemi vizituar më parë.
Keni ndeshjen e kthimit me Teutën, si e parashikoni?
Unë kam 5-6 ndeshje që jam në një formë mjaft të mirë. Personalisht premtoj se do të jap gjithçka në fushën e lojës për të kontribuar për fanellën kuksiane. Duhet të kalojmë me çdo kusht pengesën Teutë. Do të jetë një sfidë e vështirë, por kam besim se do të jemi ne ata që do të kalojmë në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në rast se shënoj, goli do të jetë për Artenën!
E synoni kombëtaren?
Padiskutim që po.
Hoxha një “ambasador” në Kukës
Futbollisti Ylli Hoxha nuk ishte aspak jashtë vëmendjes së opinionit sportiv në qytetin e vogël të verilindjes shqiptare, që tashmë ka marrë famë. Pjesëmarrja në Ligën e Evropës, por dhe vendi i dytë, që e bën njëkohësisht nënkampion të Shqipërisë, Kukësin, janë dy arritjet e kësaj skuadre. Atje ku protagonist është dhe 25-vjeçari kosovar, Ylli Hoxha, i cili suksese të tilla i kishte provuar dhe me Prishtinën, apo dhe me TPS Turkun e Finlandës. Në 2007-n spikati talenti i tij, teksa është shquar në fitimin e titullit të parë kampion me Prishtinën. Dhe këtë sukses me skuadrën kryeqytetase nga Kosova, ai e përsëriti për katër sezone radhazi. Kurse një vit më parë, përpara se të vinte te Kukësi, pati zënë vendin e tretë me skuadrën finlandeze.
Si mbërriti Hoxha në Kukës dhe si është ndier në këtë kampionat?
Jam ndier mjaft mirë, pas atij fillimi të vështirë. Ne ishim një grup djemsh, që erdhëm nga Prishtina, me njohjen e dy gazetarëve, Milaim Krasniqit dhe Jonuz Hallaçit. Unë dhe Musolli mbetëm besnikë të skuadrës kuksiane dhe sot them që kam bërë zgjedhjen më të mirë. Pas dy-tre ndeshjeve të para dhe asaj faze përgatitore, e cila natyrisht që kishte vështirësitë e veta, gjërat rrodhën vetë dhe bashkë me rezultatet pozitive doli në pah edhe loja ime dhe e Musollit. Veçmas, faza e dytë pati ngritje si për skuadrën, ashtu edhe për ne të dy, teksa spikatëm si me gola, ashtu dhe në lojë, duke shërbyer për kolegët tanë, veçanërisht sulmuesin serb, Popoviç.
Kam dëgjuar që tifozët ju quajnë “ambasador” në Kukës. Sa është e vërtetë?
Ata janë të mrekullueshëm me mua dhe më vlerësojnë kaq shumë, saqë tashmë janë bashkudhëtarë të ecjes sime në këtë sport. Me Kukësin kam një përvojë shumë interesante, madje më të bukurën në jetën time. Tifozët më duan dhe më thërrasin emrin shpeshherë në stadium dhe duket sikur më japin më shumë zemër dhe vlerë. Më vjen mirë që edhe nofkën “ambasador” e kanë vënë. Rëndësi ka që unë jap një “Kosovë” të vogël në Shqipëri.
Keni shënuar disa gola për ngjyrat e Kukësit. Cilit do t’i jepnit më shumë rëndësi?
Them se goli me Tiranën, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ishte më i bukuri dhe më i rëndësishmi. Aty shpalosa talentin tim dhe goditja jashtë ishte e kalibruar. Tifozët morën zemër dhe ne fituam atë ndeshje historike 2-1 në Tiranë. Ishte vërtet diçka e bukur në jetën time. Mbaj mend që kam mbetur në krahët e tifozëve pas ndeshjes. Ky është futbolli, të jep sadisfaksion, por edhe të lë pengje.
“Lojtari më i mirë nga Kosova”
Ylli Hoxha ka qenë ndër befasitë e Kukësit. I afruar pas një përvoje në kampionatin kosovar, pa ndonjë bujë të madhe, ai shpejt arriti të bëhet lider i skuadrës. Në muajin maj të vitit të kaluar, mesfushori ka marrë dhe çmimin e “Lojtari më i mirë nga Kosova”. Hoxha, i njohur për vërshimet e fuqishme në krahun e majtë, ka qenë shpesh çelës i suksesit për verilindorët.
I lumte Yllit dhe kuksianeve te dashur e atdhetare qe dine te cmojne me te miret.