Gazeta Dita me botimet e saj të forta ka marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin. Edhe shumë djem të rinj blejnë gazetën. Jo vetëm se pëlqejnë debatin e luftës NAÇL, po ka shumë dashamirës që pëlqejnë poezitë e Arben Dukës. Unë pata një gëzim familjar në lagjen Çelepias në Berat. U befasova nga këta djem çapkënë të apasionuar për gazetën Dita dhe të gjitha shkrimet e saj, e sidomos për poezitë e Dukës. Ata me pasion bënin propozime në atë gëzim familjar që poeti të zgjidhej nga populli president i vendit në 2017-n. T’i shikoje e t’i dëgjoje këta djem të rinj dhe punëtorë në ndërmarrjet e qytetit, biznesmenë që flisnin me pasion për vjershat e Arben Dukës… Po u them emrat: Sali Begaj, Ago Agalliu, Xhevair Agalliu, Behar Dushku, Astrit Agalliu etj. Sali Begaj që i ruan me kujdes poezitë e poetit, me humor, duke marrë leje nga të gjithë, lexoi dy strofa nga vjershat e poetit: “Më 44 ende të pa dalë/ Gjermanet ikën me bisht në shalë/ Edhe ballistët shumë keq bitisën/ Tok me gjermanët u arratisën…”
Në mesin e këtij humori u ngrita me gotë në dorë, u thashë se kërkesa juaj nuk varet nga mediat e shkruara, por ligjet që nxjerr Parlamenti. U premtova se këtë propozimin e tyre do ta dërgoj tek gazeta Dita.
