Ndërveprimi me një kafshë shtëpiake si qeni mund t’i ndihmojë fëmijët autikë të jenë më të shoqërueshëm dhe më pak agresivë. Një studim i kryer në Itali dhe i publikuar në “Journal of alternative and complementary medicine” del në përfundimin se një qen në familjet që kanë fëmijë autikë do të ndikonte pozitivisht te gjendja e këtyre të fundit. Sipas ekspertëve, ndërveprimi me qenin ul ankthin, agresivitetin dhe shpërthimet emotive të këtyre fëmijëve. Për më tepër, në aspektin fiziologjik, është vënë re se prania e një qeni ul nivelin e kortizolit, i njohur ndryshe si hormoni i stresit. Gjatë testimeve u konstatua se niveli i këtij hormoni ulej në momentet e pranisë së qenit dhe rritej në mungesë të tij.
Hipotezat shkencore
Rezultate të njëjta janë marrë edhe gjatë vëzhgimit të këtyre fëmijëve në seancat me psikologët. Në prani të qenit, ata flisnin më shpesh, manifestonin më rrallë sjellje të tipit obsesiv ose agresiv, bënin gjeste dashurie dhe ishin më të buzëqeshur. Ekspertët thonë se pavarësisht përfundimeve, gjithçka mbetet në kuadrin e një hipoteze shkencore, pasi jo të gjithë fëmijët autikë kanë të njëjtat sjellje.
Megjithatë, ata sugjerojnë që lloji i qenit të zgjidhet në varësi të secilit fëmijë. “Zgjedhja duhet bërë me ndihmën e mjekut apo psikologut që trajton këta fëmijë. Për shembull, një fëmijë agresiv ka nevojë për një qen që nuk reagon keq ndaj sjelljeve të tij, duke pasur parasysh këtu shmangien e keqtrajtimit të kafshës.
Studiuesit thonë gjithashtu se shoqërimi i fëmijës me qenin u jep edhe prindërve një ndjenjë sigurie. Familjet me fëmijë autikë shpesh vetëizolohen, pasi duan të shmangin vështrimet e të tjerëve, që e konsiderojnë fëmijën e tyre si “ndryshe”. Por qeni mund të bëhet një burim socializimi dhe ndihmon fëmijët në ushtrimet që nxisin komunikimin. / Përgatiti: Gazmira Sokoli

Vertet?
Atehere une sponsorizoj pagesen per nje qen per Artan Hoxhen, ate notarin kandidat per President se si autik me duket ai mua. 🙂