Letër e nënshkruar,
Albert Manasterliu
Pas dy viteve të qeverisë Rama, normalisht shtrohet pyetja, a mund të performojë më mirë kjo qeveri në dy vitet e ardhshme nga ç’ka qeverisur deri më tani? Ky ekip qeverisës nuk mundet të japë më shumë. A do i shërbente vendit një ekip i ri, me pamje të re dhe më me dinamikë? Sigurisht që po. Ndoshta Kryeministri është skeptik për ndryshimin e qeverisë pasi druhet se mund t’i merret për dobësi, por kjo frikë e tij nuk qëndron. Përkundrazi, ndryshimi tregon integritet dhe dëshirë për progres.
Kjo mazhorancë mori bekimin e një milion shqiptarëve dhe pavarësisht vështirësive në shumë sektorë te vendit as opinioni publik dhe as opozita nuk ka kërkuar, të paktën seriozisht, largimin e qeverisë, pasi ajo ka legjitimitetin të qeverisë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por rifreskimi i ministrave apo drejtuesve të drejtorive më me peshë në vend, sikurse edhe hartimi i një strategjie të re për zhvillimin e vendit është mëse e nevojshme.
Roma nuk u ndërtua në një ditë. As Shqipëria nuk ndryshohet brenda dy apo katër viteve. A trashëguam kaos nga qeveritë e kaluara? Absolutisht që po! A po kalon mbarë bota kriza ekonomike dhe sfida gjeopolitike? Absolutisht që po. Por asnjëra prej tyre nuk ka lidhje me shpresën e qytetarëve për një jetë dhe të ardhme më të mirë. Kjo mazhorancë u votua të mbante premtimet. Por pavarësisht pritshmërisë shqiptarët e dijnë fare mirë që mrekullitë nuk ndodhin brenda ditës, dhe i kuptojnë vështirësitë që do hasë çdo qeveri. Ata kërkojnë shpresë dhe një shenjë që qeveria e tyre është vërtetë e tyre dhe punon seriozisht për ta.
