Në Tiranë po zhvillohet takimi nënrajonal i vendeve anëtare të rrjetit shëndetësor të Evropës Jug-Lindore (SEEHN) për përshkallëzimin e zbatimit të konventës kuadër të OBSH-së për kontrollin e duhanit.
SEEHN është një forum ndërqeveritar rajonal i ministrive të shëndetësisë të Evropës Jug-Lindore, themeluar në vitin 2001, në kuadrin e Iniciativës për Kohezion Social të Paktit të Stabilitetit për Evropën Jug-Lindore. SEEHN përbëhet aktualisht nga 9 anëtarë: Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Bullgaria, Izraeli, Mali i Zi, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Serbia.
“Njëra prej arsyeve që kemi zgjedhur të mbajmë këtë takim në Shqipëri, i detyrohet përkushtimit të fuqishëm të Ministrit të Shëndetësisë për të bërë realitet Shqipërinë pa duhan. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka mbledhur përfaqësues të 11 vendeve për ta dëshmuar këtë me sytë e tyre, sepse në besojmë se kjo është mënyra më e mirë për të mësuar nga përparimi i bërë,” thotë znj. Kristina Mauer-Stender, Drejtuesja e Programit të Mbrojtjes nga Duhani në Zyrën Rajonale të OBSH për Evropën.
Sipas kreut të shëndetësisë shqiptare, “puna e bërë në zbatim të ndryshimeve të fundit në ligjin antiduhan, si dhe masat komplekse të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, pas rishikimit të ligjit, që lindi si rrjedhojë e situatës problematike të zbatimit të tij, në aspektin më të prekshëm, atë të dobësisë në ndalimin e duhanpirjes në mjedise publike të mbyllura, kanë luajtuar një rol të dorës së parë për suksesin në realizimin e objektivit të një Shqipërie pa duhan”.
Me gjithë rezultatet deri më sot, përfshirë 32 603 inspektimet e kryera që nga krijimi i ISHSH-së dhe 505 masat e marra administrative, mbetet ende shumë punë për të bërë lidhur me ndryshimet e sjelljes dhe mentalitetit, forcimin e strukturave inspektuese, vazhdimin dhe thellimin e fushatës antiduhan, forcimin e zbatimit të ligjit për ndalimin e shitjes së duhanit personave nën 18 vjeç, apo edhe zvogëlimin dhe ndalimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit, kontrollin dhe rregullimin e shitjes dhe përdorimit të cigareve elektronike. /Dita/
