Një rast për Republikën e Shqiptarëve

redaktor

Me 17 shkurt, u manifestua angazhimi popullor më intensiv dhe masiv në Kosovën e pas luftës. Në mbrojtje të Republikës dhe për sovranitetin e saj, opozita e bashkuar sëbashku me popullin shqiptar nuk po dorëzohen në rrëzimin e qeverisë për zgjedhje të parakohshme. Po bëhen 6 muaj që Republika dhe ardhmëria e saj është rishtruar si temë në çdo tryezë shqiptare falë angazhimit parlamentar të opozitës dhe qindra tubimeve çdo muaj në popull organizuar nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Si gjithmonë, sa herë do marrim vesh ndonjë lajm për aktualitetin në Kosovë, gjithmonë do dëgjojmë se bëhet fjalë për “Luftë (popullore, ushtarake a parlamentare) për Republikë”. E vërteta e kulluar e situatës. Një koncept politik dhe një popull i angazhuar në mbrojtje të tij, aktualiteti i Republikës.

Nuk bën ta mendojmë kombin shqiptar si konçesionin që ua morëm ambasadorëve të huaj në 1913.

Ndodh që një shqiptar në Shqipëri pyet një shqiptar në Kosovë: “Si është situata andej?”. “Serioze, por jo katastrofike” – përgjigjet i dyti dhe kthen pyetjen – “Po nga ju?”. “Katastrofike, por jo serioze!” – përgjigjet i pari. Kjo është çarja brenda shqiptarëve. Muajt e fundit, Kosova po përjeton seriozitetin e fatit të kombit, ndërsa Shqipëria vazhdon me katastrofa qesharake.

Aktualisht, në Kosovë, historia zhvillohet si mbrojtje e Republikës; ndërsa në Shqipëri si konçesionimi i vazhdueshëm i saj. Dikush do nxitonte të thoshte: “Atje, tragjedi. Këtu, komedi.”

Por tragjedia dhe komedia nuk janë të ndara; ndarja është kufiri. Dy përkufizime: 1) Tragjedia është hakmarrja e situatës ndaj heroit që po tenton ta ndryshojë atë; 2) Komedia është përqeshja e situatës me heroin, pasi heroi është dorëzuar. Tragjedia dhe komedia janë ndjekëse të njëra-tjetrës. Tek e para, subjekti humb. Me të dytën, subjekti gëlltit humbjen. Në fillim qajmë, e pastaj qeshim… me veten, dhe pastaj na duhet të durojmë veten përjetësisht. Sepse jemi të përjetshëm, edhe pse nuk duam; sepse mbetemi shqiptarë, edhe pse vazhdimisht po duam me e shit këtë barrë vërtetësie. Sepse e vërteta është pafundësia brenda fundësive.

Republika është koncept politik. Drama, tragjedia dhe komedia, si koncepte artistike, politikës i shërbejnë si ndërmjetësuese, por jo zëvendësuese. Konceptet artistike nuk kanë për detyrë me u marrë me koncepte politike. Me konceptin e Republikës e ka për detyrë të merret një popull. Kështu mund ta kuptojmë edhe Albin Kurtin kur thotë se “nuk ka Republikë pa Popull, dhe nuk ka Popull pa Republikë”. Republika dhe populli janë përcaktime të ndërsjellta të njëra-tjetrës. Brenda secilës mbahen të dyja, dhe brenda të dyjave mbahet secila. Ata që i mendojnë të ndara, nuk kanë arritur në lartësinë e konceptit, dhe kanë mendim të jashtëm, mendim kolonizatori.

Prandaj historikisht secilën na e kanë çarë nga jashta. Në Kosovë, na kanë ça Republikën. Në Shqipëri na kanë ça popullin. Në Kosovë, populli po i rikthehet detyrës së tij primordiale me rithemelu Republikën. Në Shqipëri, populli është i zhgënjyer nga shkatërrimi që i ka shkakuar Republikës duke idealizuar organizimet private (partitë e interesit). I pari po e shpalos veten në shesh me guxim; i dyti po e përjeton atdheun si kamzhikimin e përjetshëm të vetes, sidomos kur i thotë vetes: ”këtij populli mirë t’i bëhet!” Po cilit popull?

Më 17 shkurt, populli shqiptar aktualizoi, përtej ndarjes të kufirit cinik, në sheshet dhe rrugët e Prishtinës, idealin e Republikës së Shqiptarëve. Republika e Shqiptarëve është guximi i shqiptarëve.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *