Një reflektim për “teatrin”…

redaktor

Letër e nënshkruar,

Naim Muha

 

Falënderim për z. Viktor Malaj. Porsa lexova dhe rilexova shkrimin “Teatri i maskarenjve”, mora lapsin e po shkruaj për të shfaqur disa mendime.

Z. Viktor, nderime për seriozitetin, guximin dhe sinqeritetin që pasqyron, aq real e të qartë për politikën shqiptare. Për të gjitha ato që trajton në këtë artikull madhor, shumica e shqiptarëve i njeh, por duke lexuar se si i keni radhitur e zbërthyer ju, mendjet tona kthjellohen më mirë.

Z. Edi Rama, të dhamë një milion vota se i meritoje, me gjithë PS-në dhe aleatët. Vlerësojmë maksimalisht punën tënde të deritanishme. Por në këtë rast e moment jam dakord me mendimet e z. Malaj. Së pari, për Bunkerin. Ta sqaron shumë drejt e qartë autori i shkrimit. Si ky janë me qindra të tillë. E sqaron shumë qartë edhe ish-presidenti Moisiu. Dëshmitar okular jam edhe vetë, pasi kam punuar shumë vite në ndërtim tunelesh.

Së dyti, kërkon të hapësh shtëpinë e gjetheve. Ç’do të ndodhë? Do të shuhen disa kuriozitete. Nga ajo nuk vjen asgjë e keqe për qeverinë e shqiptarët. Aty kryheshin të gjitha përgjimet. Pse nuk bën transparente vilën e SHISH-it dhe Visho Ajazi Likën që kryen përgjime duke ju përfshirë dhe Juve e Kryetarin e Parlamentit? Ata varen e paguhen nga ju, marrin urdhra e i raportojnë Berishës. Po dëgjojmë se do të hapësh dosjet e Sigurimit të Shtetit. Do të plotësoni një kërkesë 24 vjeçare. Po ç’do të fitohet nga kjo? Zoti Rama, shqiptarët presin me padurim hapjen e dosjeve 1997-98, Gërdecin, rrugën e Kombit, shitjen e detit, 21 Janarin, krimin e korrupsionin. A ke guxim t’i hapësh këto?

Së treti, libri për Zogun. Përveç atyre që trajton autori, dua të shtoj: mirë se vendin e promovimit e ka caktuar presidenti i PD-së, por më habit pjesëmarrja e Ramës dhe Metës. Në prill të këtij viti libër për Zogun botoi edhe profesori i nderuar Kristo Frashëri. Juve nuk u pamë asgjëkundi. Kjo do të thotë se ju besoni dhe vlerësoni më shumë një gazetar maskara se sa babain e historisë K. Frashëri.

Akademikë! Zgjohuni nga gjumi! Mos lejoni Fevzon të tallet e të nëpërkëmbë shkencën e akademinë e saj.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *