Përballë hyrjes ku banoj, në njërin ndër pallatet e ngritura mes një kopshti të veçantë për të moshuarit, jeton një çift i vjetër , vërtet i vjetër. Nuk i kam pyetur deri më sot asnjëherë për moshën e tyre dhe as nuk do i kisha pyetur, nëse sot nuk do i takoja ndërsa po kthehesha në shtëpi nga një rrugë e gjatë.
I kam parë çdo ditë kur dalin me njëri-tjetrin. Ecin ngadalë, si pleq që janë, por kurdoherë të kapur për dore, me një lidhje që duket sikur është që prej fillimit të botës ashtu si e shoh unë. Natyrisht të thinjur, ajo, tepër fisnike në të gjithë pamjen e saj, mban mbi supe një shall kashmiri të bardhë dhe duket sikur ka hedhur mbi shpatullat e saj një fill reje. Ai, pak më i gjatë, paksa i kërrusur, ecjen e ka më të rëndë, ka një shikim të butë dhe jam i bindur se ecën rrugës duke e parë drejtimin nga sytë e saj.
Nganjëherë i shoh kur ecin sëbashku nëpër rruginat e kopshtit që thashë më sipër, një oaz qetësie në mesin e gjithë qytetit, dhe pastaj i kundroj që përtej perdeve kur qëndrojnë të ulur në njërin nga stolat. Herë pas here, mbi supet e njërit bie ndonjë gjethe e vockël dhe tjetri ia heq me një përkushtim të veçantë, dhe më kujtojnë një varg të De Radës në Milosao, pastaj ngrihen ngadalë, ashtu të lidhur për dore dhe drejtohen nga qendra tregtare afër pallatit ku banojmë.
Zakonisht, kur nisen për të blerë, ajo mban në dorë një shportë të vogël, si e kanë zakon amvisat gjermane, dhe në kthim shporta e mbushur me atë që kanë blerë është në duart e të dyve.
Kështu ishte edhe sot, në një ditë të pazakontë me diell, por në mesin e shportës ishte një tufë e madhe trëndafilash.
Mendova t’i ngacmoj, ndoshta edhe nga një farë afërsie si komshi prej 11 viteve dhe i urova ditën e Shën Valentinit.
Përnjëherë në fytyrën e tyre ra një buzagaz i mrekullueshëm dhe më falënderuan. Filluam të ecim së bashku në rruginën drejt pallatit, shikoja shportën e mbushur me trëndafila dhe vazhdova të pyes, ndoshta edhe për një kureshtje njerëzore që e kisha pasur në vete që nga ditët kur i pashë me duart e lidhura në ecjen e tyre.
– Në secilën ditë të dashurisë bleni lule apo është një rastësi?
U thashë kështu sepse edhe herë të tjera i kam parë të ktheheshin në shtëpi duke mbajtur lule.
Zonja buzëqeshi. I them zonjë sepse nuk mund ta quaj plakë, ndërsa komshiu im, ndoshta me një gaz të brendshëm, më tha se lule blejnë shpesh, por në dy ditë nuk i harrojnë kurrë.
– Në cilat ditë, – nuk e di pse ngulmova unë.
Ai si duket e kishte pritur pyetjen time, ndoshta kishte dëshirë të ndante me dikë tjetër përgjigjen e tij, dhe buzagaz tani, ashtu shpenguar më tha:
-Kemi ditë të veçantë 27 tetorin e vitit 1947, kur jemi dashuruar për herë të parë, kemi edhe 14 shkurtin, ditën kur bekojmë zotin se jemi ende të dashuruar. Unë isha djalë i ri atëherë, 21-vjeçar, kisha qenë në luftë, isha ende i shokuar, gjithë stres, kur pashë për herë të parë Kristinën. Ajo ishte 19-vjeçare, prindërit i kishin vdekur në një kamp përqendrimi. E pashë dhe e dashurova. Prej asaj dite dhe deri tani…
Atë ditë ajo kishte veshur një pallto në ngjyrë vishnje të mbyllur, kishte në flokët një fjongo të bardhë, e mbaj mend se kishte rënë një borë e paktë, dimrat ishin të ftohtë…
Zonjës Kristinë i qeshnin sytë.
Desha të bëj një llogari të thjeshtë për moshën e tyre, por do të kishte qenë e kotë. Ata e sfidonin kohën.
Ecëm bashkë shkallëve dhe kur po ndaheshim, Erwini, kështu quhet ai, më tha lehtë si për një gjë që është plotësisht e kuptueshme:
– Është e lehtë të biesh në dashuri. E vështirë është të rrish aty. Unë kisha fatin tim. Isha i lumtur që isha aty….
Nuk e di se çfarë do të ndodhë kur njëri prej tyre nuk do të jetë më. Jeta është e vrazhdë edhe në raste të tilla. Nuk dua të mendoj sepse nuk i përfytyroj dot duke ecur pa njëri tjetrin, me atë dorën e boshe që do i tundet në erë duke kërkuar dorën e tjetrit që nuk është më.
Nuk dua të mendoj. Sot është dita e të dashuruarve.

E Mrekullueshme !!
Ky tipi rrezik ka qene ushtar ne kampin e perqendrimit ku kishin vdekur vjehri dhe vjehra e ardhshme…
Nje shkrim qe me mallengjeu. E uroj z. Islamin per shkrimin. Mendoj qe ai duhet me shume te shkruaje per keto tema. Shkrimet me teme politike qe ai i ben nuk me pelqejne. Eshte i njeanshem sepse “ngjyra e kuqe ia mjegullise mendjen”.
komplimenti bedri si gjithmone i sakte
komplimenti bedri si gjithmone i sakte p
Ky ish spiun i sigurimit nga Fush Arrzi kur ishte korrespodent te Jeta e re ne Shkoder tregon engjullin.