Një rrëfim i shkruajtur me “zemër në kraharor”

redaktor

 

“Përjetë bashkë në të mirë e në të keq”. Cilido që lidh martesë, e deklaron këtë shprehje të dashurisë të përjetëshme para zyrës së gjendjes civile ose institucionit fetar. Por… vjen një ditë dhe para togave të zeza afro një e treta e çifteve që i premtuan njëri tjetrit kështu, kanë harruar gjithëçka dhe të vetmet shprehje që mundin të thonë është, nuk ndjej më për ty, mbaroi dashuria, “nuk të dua më!”

Një “kuriozitet”: për nga numri i divorceve, Shqipëria zë vëndin e 5-të në Europë dhe të 14-in në botë. Po pse ndodh këjo, pse ky qamet, si ndodh që për çdo vit jo më pak se 6500 çifte, pra në 12500 familje pësojnë një disfatë të tillë me pasoja pothuajse të pakthyeshme sociale? Përpiqen teoricjenë, sociolog e psikolog të japin përgjigje e të rekomandojnë terapi të ndryshme, por shumë pa sukses. Ja ç’thotë p.sh. një prej tyre, në përpjekje sidoqoftë për ta dhënë një recetë.

“Lidhjet martesore kanë nevojë të ushqehen pozitivisht, në mënyrë që të bëhet një fizarmonikë ndjenjash të qëndrueshme. Kemi detyrimin social të ndikojmë për të krijuar një kulturë të re martesore në vendin tonë. Sidomos tek të rinjtë, të cilët duhen mësuar të përgatiten me idenë pozitive se në jetën moderne është plotësisht e mundur që të ekzistojë suksesi martesor. Ndaj le të fillojmë të nxitim funksionimin e normave morale dhe sociale që dekurajojnë divorcin”.

E ç’mund të thotë më tepër se kaq “i mjeri” sociolog? Duajeni njëri tjetrin përpara se të kurorëzoheni! Ushqeni dashuri te njëri tjetri dhe këtë transmetoheni te fëmijët tuaj!… Me siguri do ta ndjente vehten keq në se do të vazhdonte më tej. Nuk mund të moralizosh aty ku “dashurija ka ngrirë”, apo aq më keq kur ajo ka mbaruar. Predha “nuk të dua më” ka vënë një kapak të rëndë mbi zemrën e atyre që mendonin se kishin gjetur dashurinë nëpër…pabe, klube, koncerte rep-i, apo kur janë goditur prej saj me një “colpo del fulmine”. Mposhtja e urrejtjes, duke e kthyer atë në një forcë që e kapërxen vet vehten, në një ndjenjë të përherëshme vetëkorigjuese, në një plasdarmë të re morale ku mund të ulet me siguri formë tjetër dashurije, ajo e përhershmja, ajo që e çon jetën përpara dhe e realizon atë me dinjitet, ky është misjoni që koha i kërkon shoqërisë tonë, Po si mund të bëhet këjo? Ja këjo është çështja.

download (2)Ç’problem i madh dashuria! Tharmi i jetës, lufta dhe paqja e saj, fillimi e mbarimi i çdo rendi shoqëror, kusht i ekzistencës të rracës njerëzore. Mungesa apo zbehja e saj janë në proporcion të drejtë me zhvillimin e një shoqërije. “Në fund të fundit, siç thotë edhe filozofi, dashurija nuk është gjë tjetër veçëse pasqyrimi te njerzit i vetë vlerave të njeriut”. Edhe kaq sa them më sipër në mënyrën më modeste të mundëshme, është krejt e rrezikëshme. Sepse të flasësh për dashurinë e të mos dështosh në qëllimin e mirë që i vë vehtes është e pamundur, veç në qofsh Shekspir, Pushkin apo gjeni të këtij rangu.

Por, ana e pasme e medaljes, ajo që si çdo gjë tjetër shpesh tenton të errësojë çfaqjen e parë, që e mjegullon objektin kryesor, në këtë rast dashurinë, të bën që gjithmonë të kërkosh, të zbulosh e të vërtetosh se si gjërat e shenjta e kthejnë këtë botë, të jetuarit në të, nga të përkohëshme në të përjetëshme. “Ç’është dashurija për ty”?… Asnjëherë e askërkush nuk e jep përgjigjen e duhur. Ajo që formulohet përherë mbetet shumë më larg se ajo që imagjinohet. “Eshtë gjëja më sublime…më e bukur…më e ëmbël…më…, e shumë e shumë karakteristika të tilla patetike, të cilat nuk afrohen aspak me atë që kërkon këjo pyetje lakonike. Shkrimtarja Mira Meksi, tashmë këjo shpresë e ngjitur dhe e gdhëndur në hapësirën e botës të lartë të shkrimtarëve të vërtetë, brënda 60 faqeve të novelës të saj “Pa zemër në kraharor”, të botuar këto ditë, ka tentuar të japi një përgjigje fare ndryshe.

Dhe pothuajse ja ka dalë në mënyrën si përherë të saj, gati magjepsëse. Pothuajse, pasi edhe ajo ja “heq” zemrën vehtes dhe e blaton atë për tu kthyer në një rishtare të Erosit. Për pasojë përgjigjen përfundimtare do të na duhet ta japim ne. Natyrisht me zemër, por vetëm pasi ti kemi lexuar këto 60 faqe të bekuara, brënda të cilave zonja Meksi ka mundur të kompozojë një hymn. Hymnin që arrin të shkrijë “ngrirjen e dashurisë” dhe që tenton ta kthejë atë në të përjetëshme.

Ç’është Erosi? Sipas miteve të lashta  është zot i dashurisë, vetë dashurija, biri i Afroditës i cili sundon mbi të gjithë dhe kudo, ngrihet me krahë të artë i armatosur me hark e shigjeta, nga të cilat kush goditet i nënshtrohet atij, dashurisë, e cila i sjell gëzim e vuajtje, apo të dyja bashkë. Një shigjetë e tillë e kishte depërtuar zemrën e piktores elegante, protogonisten e novelës “Pa zemër në kraharor”, e cila përpiqej më kot ti “vinte” zjarrin e pasionit dashuror qytetit me të kuqen e përflakur të tabllove të saj, ndërkohë që atë vetë e kishte ngërthyer pa mëshirë, “ngrirja e dashurisë”, hiri i të cilës lundronte në varkëza letre drejt rikrijimit, “për të përjetuar pafundësisht shkëndijën e fillimdashurisë, apo të vegimit të fillimdashurisë dhe gjithë shijen që ajo sillte”.

Pas aventurës të saj në kryeqytet, në Ciudad de Mexico, pikërisht në ditën e të vdekurve, shpirti i gjallë e i pezmatuar i piktores të re vendos të bëj veprimin e jetës të vet, “kundër moralit hipokrit të një shoqërije që ishte lëshuar në një shthurje morale nga më të ethëshmet, në emër të demokracisë, por që mundohej me çdo kusht dhe mjet të ruante paraqitjen e saj të moralshme dhe godiste për vdekje ata që guxonin të rebeloheshin kundër kësaj dukjeje të gënjeshtërt”. Aztekët (periudha parakolombiane), e quanin vdekjen si një rilindje dhe fillim të një udhëtimi të ri, ku shpirtërat pasi jetojnë në një vënd të shenjtë, pas 4 vitesh qëndrimi, ju krijohej mundësia e kthimit në tokë, kthim që shndërohej në një festë popullore sa të çuditëshme aq edhe madhështore, në brëndëmëninë e të cilës njerëzit e kësaj bote, shpirtrat e tyre komunikojnë me shpirtrat e të vdekurve.

E ky është momenti më i përshtatshëm për shpirtrat e gjallë, për të premtuar njëri tjetrit dashuri të përjetëshme. Ja këtë moment gjen pra piktorja jonë, të cilën shkrimtarja plot talent Mira Meksi, nën influencën dhe “shoqërinë” e kujtimit të dy meksikanëve të mrekullueshëm, piktores surealiste Frida Kalho dhe shkrimtarit të shquar polivalent Carlos Fuentes, nëpërmjet imagjinatës të saj të “hatashme” që arin të depërtojë kaq natyrshëm në lashtësinë e largët, e dërgon atë në botën e misterëshme të aztekëve, për të rikuperuar dashurinë e saj të djegur, të hirtë.

Shkrimtarja që ka ditur të përshkruaj aq bukur e me aq elegancë dashurinë e Frosinës të Janinës dhe atë të Teutës famëmadhe, megjithëse nuk e ka kursyer talentin e vet, të cilin nëpërmjet një gjuhe të pastër kristal, e ka derdhur si një burim të praruar mbi fletët e gdhëndura me stilin e saj karakteristik, nuk është mjaftuar.  Ka “sakrifikuar” zemrën e saj, duke ja blatuar, dhuruar atë hyjnisë. E ka shkulur nga kraharori i krijesës të vet dhe e ka flakëruar, duke e kthyer atë në një simbol të sakrificës përmes vuajtjes,torturës dhe dhembjes njerëzore. “Fati im kishte ndryshuar, e mbyll novelën e saj këjo rrëfimtare e stërholluar e dashurisë të vërtetë njerëzore. Tani isha rishtarja e Erosit të aztekëve, nuk kisha zemër në kraharor dhe i falesha Quetzalcóatl-it të përjetshëm, Gjarpërit me pendë”.

Nuk janë të shpeshtë libra të tillë si ky “Pa zemër në krahharor”, i cili të duket sikur të le pa frymë e të përpin brënda shtjellave të tij plot mister. Në kaq pak faqe, të arrish të përshkruash përmbysjen e një bote ku dashurija njerëzore përditë e më tepër konfondohet keqas me tërheqjen seksuale, e në vënd të saj të fillosh të ringresh atë botë ku dashurija seksuale të marë kuptimin e vet të vërtetë duke qëndruar në krahë të dashurisë shpirtërore, botës të pa anë të ndjenjave, respektit e dinjitetit njerëzor, këjo është një forcë e madhe analitike dhe talenti, që rrjedh aq bukur nga maja e mprehtë dhe e temperuar e penës të shkrimtares punëmadhe Mira Meksi. Lum ai që e fillon së pari leximin e kësaj novele.

 

Bardhyl Ermini

 

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *