Të shkosh tek dentisti në Shqipëri paska leverdi! Me këtë parim numri i italianëve që po vizitojnë vendin tonë vitet e fundit ka ardhur gjithmonë e në rritje.
Mediat përtej Adriatikut shkruajnë se si shumë qytetarë italianë zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë jo vetëm për të shijuar disa ditë pushime në bregdet, mal apo edhe nëpër qytetet e njohura të vendit tonë, por edhe për të rregulluar dhëmbët.
Sipas tyre, shërbimin dentar në Shqipëri mund ta përfitojnë deri në 70 për qind më lirë sesa në Itali.
Ky nuk është një fenomen i ri për italianët. Para Shqipërisë ata udhëtonin masivisht për në Kroaci e Hungari për të rregulluar dhëmbët e tyre, përveç pjesës së të bërit pushime.
Por çfarë e favorizon Shqipërinë? VadoinAlbania.it rendit afërsinë gjeografike, mundësitë që ta gjesh këtë shërbim në një qytet bregdetar si Durrësi apo Vlora, por edhe në Tiranë, pasi distanca nga bregdeti për ata që preferojnë plazhin është e vogël.
E njëjta gjë vlen edhe për një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që jetojnë jashtë vendit, të cilët shprehen se vijnë në Shqipëri për të takuar familjarët, për të parë vendin dhe … për të rregulluar dhëmbët.
j.l./ dita