Një shefe femër…

anazapta

Ndodh që në profesionet ku mendohet se “mbretëreshat” janë gratë realiteti të ofron të kundërtën. Në pjesën më të madhe të rasteve shefat e kuzhinës janë meshkuj, por është dikush që e ka thyer këtë rregull, dhe e ka bërë këtë në një vend të huaj, Itali. Ajo sot mban postin e shefes në një nga restorantet më në zë të Firences, mediat atje po flasin për të.

Ishte vetëm 16 vjeçe kur la pas krahëve qytetin e lindjes, Beratin dhe u nis drejt Italisë, në tokën ku e prisnin të afërmit e saj. Asokohe ishte thjesht një adoleshente e viteve “90, që ëndërronte të bëhej avokate ose gazetare, ndërsa tani është një ndër shefet duararta të kulinarise italiane. Entiana Osmënzeza është shqiptarja që prej më shumë se 20 vitesh jeton dhe punon në Itali. Edhe pse në një rreth tepër mashkullor, ajo ka dalë mbanë të spikas dhe të përshkruhet si një shefe e re në moshë, dinamike dhe tepër profesioniste, e rritur nën tutelën e mjeshtërve botërorë të kuzhinës.

unnamed (3)Pjatat që mbajnë firmën e Entianës janë të famshme. Mediat italiane e promovojnë dhe e vlerësojnë punën e saj. “Gatimi i saj është fryt i një kapaciteti siç është Entiana, shefi i kuzhinës me origjinë shqiptare, që edhe pse në moshë të re mban mbi supe një kurrikulum me punë në restorante të famshëm”, shkruajnë ata. Por, pavarësisht klasit të pjatave që gatuan tani, vajza nga Berati nuk e ka të lehtë të ndahet nga e kaluara, duke kujtuar me ëndje gjellët e gjyshe Ylvies. Ajo çka nuk mungonte kurrë në shtëpinë e tyre ishte gatimi i larmishëm i patëllxhanëve, që në ato vite zëvendësonte mishin që gjendej shumë rrallë.

Recetat e tyre i ka ende të ruajtura mirë në kujtesë. Aktive në televizione dhe emisione gatimi, Entiana ofron pjata të kuzhinës mesdhetare, duke përdorur produktet e freskëta të stinës, shoqëruar me verërat italiane dhe ndërkombëtare. Sipas saj, gjatë procesit te gatimit duhet të ndërthuren thjeshtësia, dashuria dhe argëtimi. “Nuk duhet të harrojmë kurrë se nga vijmë. Duhet një jetë për t’u bërë të mirë, por vetëm një çast për t’u bërë të këqinj”, – përsërit shpesh Entiana në intervistën dhënë nga përtej detit. Më poshtë, po ju sjellim një bisedë të sajën me Ditë-n.

 

Entiana, cili ishte kontakti i parë me Italinë?

Ka qenë herët, kur unë isha ende një adoleshente. Jam lindur e rritur deri në moshën 16-vjeçare në qytetin e Beratit. Jam larguar nga Shqipëria në vitin 1993. Tashmë më janë bërë më shumë se 20 vite këtej, sa shumë kur e mendoj. Kontakti i parë me Italinë, pozitiv, ndoshta pak e frikësuar nga madhësia e qyteteve, e rrugëve, po me ide të qarta. U përshtata shumë shpejt, më pëlqente të jetoja në Itali.

 

Cilat ishin vështirësitë e para?

Po ato që ka çdo njeri kur del për herë të parë jashtë: Gjuha, theksi i huaj, kultura, mënyra e jetesës, marrëdhënia me moshatarët këtu. Për mos të folur pastaj për vështirësitë ekonomike, edhe pak racizëm, por kjo ndodhi vetëm në fillim. Në ato vite kishim një reputacion të keq. Shumë gabime ishin herë atëherë nga ana jonë.

 

Sot jeni një emër i njohur në Itali në fushën e kulinarisë, por cili ka qenë kontakti juaj i parë me kuzhinën?

Po, më kujtohet që, menjëherë, puna e parë që gjeta ishte në restorant, kameriere e ndonjëherë ndihmoja në kuzhinë. Dhe besoj ky ishte shkaku themelor që unë më vonë u fokusova në këtë pjesë. Më pëlqente të punoja në kuzhinë, me vitet që kalojnë vlera e punës rritet.

 

Sa kohë po bën që punoni në këtë fushë?

Po vitet kanë ikur dhe tanimë janë bërë plotë 22 vjet. Megjithatë, jam e kënaqur për rezultatet, e dija që të gjitha mundimet e sakrificat kishin për të marrë shpërblimin një ditë.

 

Po aktualisht, cili është vendi juaj i punës?

Punoj në qytetin e Firenzes,  Executive Chef  “Fine-Dining” restaurant  Sesto On Arno, Ëestin Exelsior Starëood Hotels e Resorts.

 

Dashurinë për gatimin e keni të trashëguar apo ka ardhur thjeshtë si nevojë?

Tani jam e bindur që e kam trashëguar nga gjyshja ime Ylvie, më përpara mendoja që kisha një teknikë të mirë, perfekte, më vone ndjeva që e kisha brenda meje.

 

A realizoni përdorni gatim shqiptar në restorantin ku punoni në Itali?

Padiskutim, Shqipëria, nëpërmjet gatimit është në çdo recetë kuzhine që realizoj. Gjithçka e rishqyrtuar. S’mund të them që kam një recetë në restorant të veçantë, por element të kuzhinës shqiptare përdor kudo. Në gjithçka.

 

Shpesh kuzhinierët janë edhe të preferuarit e shumë njerëzve të famshëm, ju keni gatuar për ndonjë personazh të “rëndësishëm” në Itali?

Kam gatuar për shumë njerëz të famshëm e të rëndësishëm, po për mua të gjithë janë njësoj. Kur kalojnë pragun e restorantit janë të gjithë klient të veçantë.

 

Cili është specialiteti juaj?

Kur mbërrin në këtë pozicion duhet të dish të bësh gjithçka. Në kuzhinë duhet kohë për t’u formuar, duhet të mësosh të jesh i zoti në çdo seksion.

 

Ju jeni e angazhuar edhe në programe televizive, si arritët deri këtu?

Të them të vërtetën, më kanë kërkuar ata. Është një pjesë tjetër që po më pëlqen shumë dhe ndihem e vlerësuar.

 

Ndodh që shpesh shefat e kuzhinës janë meshkuj, e keni vënë  re këtë?

Jo vetëm e kam venë re po edhe e kam paguar shtrenjtë. Nuk ka qenë e lehtë të punosh vetëm me meshkuj që mendojnë që s ‘jemi të afta e nuk kemi rezistencë fizike. Por ja dola. Sot jam një shefe kuzhine, ndoshta ia kam dal edhe për shumë femra të tjera që do të donin të ishin në këtë pozicion.

 

Nëse nuk do të ishit kuzhiniere sot, çfarë do të ishit?

Ëndrra ishte, gazetare o avokate. Zëri i të pambrojturve.

 

Aktualisht, cila është familja juaj?

Nëna ime.

 

 

Share This Article
3 Comments
  • femra te tilla te bejne te buzeqeshesh me krenari. bravo entela qe je nga gazetaret e pakta ne shqiperi qe na sjell lajme te bukura si je vet.

  • Me pelqen shume. Suksese vajzes qe ka arritur ne nje vend te huaj te bej suksese, se nuk eshte pak, e kemi provuar te gjithe te jemi emigrant

  • Ja keta shembuj pozitive shqiptaresh neper bote sfumohen nga bandat e vrasesve, hajduteve dhe trafikanteve.
    Suksese Entianes dhe urojme qe lajme te tilla te zvendesojne ato per operacione te medha te policise se shteteve fqinje ku ne pranga gjithmone bien shqiptaret.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *