Dërguar me email
në adresën e redaksisë
E kam thënë dhe më parë që kofini pas të vjelash, historikisht nuk është mbushur kurrë. Parimisht më pëlqen pastërtia në të gjitha aspektet. Lustracioni apo pastrimi moral është teori e njohur tashmë prej mijëra vjetësh. Shumë filozofë kanë dhënë definicione me vlerë për këtë problem thelbësor në jetën personale apo sociale. Me pak fjalë është problem i njohur. Dikur hershëm më izoluan në një qeli për një poezi me titull “Djepi i ëndrrës time”. Ishte Migjeni në fjalët që më buronin nga shpirti në ato kohë të zymta kur ëndrrat vdisnin në shpirt pa e parë kurrë dritën e diellit. Një mik i imi në dukje bëri denoncimin apo spiunimin. Vdiq para 4 vitesh. Dy djemtë e tij i njoh personalisht. Janë shumë të mirë e të ndershëm. Njëri në punë shteti. Desha t’i bëj një pyetje të nderuarës Mensila. Si të veproj? Të urrej babanë e keq që më kallëzoi apo të dua djemtë e tij të mrekullueshëm? 8 vjet të gjatë kishte në dispozicion znj.Doda ta kryente këtë mision. Çudi që nuk e bëri. Mendoj që zonja në fjalë duhet ta japë këtë shpjegim para se të nxjerrë këtë “dëshirë të zjarrtë” për të pastruar shpirtin e kombit. Lojë e djallëzuar për të ngacmuar ato plagë që duheshin kuruar qysh në 92-shin. Është shumë vonë që Mensila të quhet e sinqertë dhe e besueshme. Në rast se shpreson për protagonizëm, është kohë plotësisht e humbur për të. Profeti.
