I nderuar z.Thano
Jam i ati i notares 11 vjeçare Sonja Kapedani.
Lexova në DITA shkrimin me titull “Eufori e çuditshme për notin” me autor trajnerin Bashkim Aliraj dhe po ju dërgoj një replikë të trajnerit Pavllo Kisi.
Të shkruash për sportin e notit në vendin tonë është një gjë e mirë, kur shkrimi ngre probleme që prej vitesh kërkojnë zgjidhje.
Mungesa e shtrirjes së tij në qytetet që në të kaluarën kanë pasur një kontribut të shkëlqyer në këtë sport është me të vërtetë problem themelor. Një organizim më i mirë i kalendarit të veprimtarive ndërkombëtare, që të hyjnë në lojë sa më shumë notar duke vendosur objektiva të guximshme, mendoj se është problem. Vënia në përdorim e pishinave që tani janë kosha plehrash, të ndërtuara para viteve ‘90-të, është problem themelor. Një sistem të mirëorganizuar për kualifikimin e trajnerëve, si dhe dhënia e lejes për ushtrimin e profesionit të trajnerit a instruktorit pa dyshim duhet të shihet me përparësi nga federata.
Pra probleme ka dhe për të përsosur zhvillimin më të shpejte të sportit të notit do të ketë gjithnjë, por të keqinformosh opinionin për rezultatet e arritura është një qëndrim që duhet dënuar.
E pra, ky shkrim nga një trajner i “merituar” keqinformon, rekordi i Sonja Kapedanit është 2.41.05 dhe është për kategorinë 11-12 vjeç, se rekordi i të rejave është 2.34.70. Shihet që niveli i rekordit të 200 m shpinë femra ka përparuar dhe jo pak, 2.43… Rekordi i të rriturave e të reja që na kujton, i vitit 1976 është lënë mbrapa nga një 12 vjeçare.
Të bëjmë kritikë për rezultatet e arritura këtë vit, kur pati jo pak që duhen përgëzuar, është një qëndrim jo i mirë për një trajner.
Po i kujtoj këtij trajneri që në 200 m lirë për meshkuj Klavio Meçe ka thyer rekordin e S. Hoxhës që është notari me rezultate më të mira për vendin tonë, tani në 100 m lirë për femra notohet poshtë 1 min dhe këtë na e dhuroi Nikol Merizaj. Franc Aleksi, Frenk Berdaku e Deni Baholli po sulmojnë 700 pikë fina që para pak vitesh quheshin ëndrra të guximshme, një grup i notarëve 12-15 vjeç me mjaft perspektivë që nga gara në garë përmirësojnë rekorde dhe përtërinë tabelën e rekordeve që ishin mykur.
Pra nuk ka vend për t’u lavdëruar, por fatkeqësisht një nihilist nuk i sheh dot. Ja pra pse nuk mund të rrija dot pa ju përgjigjur këtij shkrimi tendencioz që kërkon vetëm të injorojë përpjekjet e gjithë komunitetit të notit në vendin tonë që me mjaft sakrifica mundohen ta përparojnë këtë sport.
Pavllo Kisi
***
Në foto notarja Sonja Kapedani