Një shqiptar fiton Oskarin në karikaturë

redaktor

Fituesi i edicionit të 32-të ndërkombëtar për karikaturën “Aydın Dogan International Cartoon Contest”, i organizuar nga fondacioni “Aydin Dogan” është artisti shqiptar, Agim Sulaj.

Veprat e 50-vjeçarit Sulaj, i cili jeton në Itali, janë publikuar në Itali, Britani, Greqi dhe Turqi. Në karikaturat e tij, kryesisht ai fokusohet në tema, si varfëria, problemet e mjedisit dhe jetës së refugjatëve.

Në punimin me të cilin u shpall fitues i garës, përshkruan frikën dhe shpreh pikëpamjen se, terrori mund të godasë cilindo vend dhe cilindo person, pavarësisht vendndodhjes gjeografike dhe gjithçka e ka zanafillën te varfëria.

Në vend të dytë dhe të tretë u zgjodhën artistët iranianë, Mohsen Nouri Najafi dhe Jalal Primarzabad, respektivisht. Fituesit u përzgjodhën mes 237 veprave nga 205 artistë pjesëmarrës nga 46 vende.

Presidenti i fondacionit u shpreh se, “cilësia e karikaturave në garë dhe vështirësia në përzgjedhjen e tyre, tregoi edhe një herë për seriozitetin dhe rëndësinë e këtij konkursi. Artistë ndërkombëtarë kanë përshkruar problemet më të rëndësishme të botës – migrimit, luftës dhe terrorit. Në karikaturat e tyre shprehej qartë shpresa për paqe”, citon Daily News.

Është hera e tretë që Agim Sulaj vlerësohet në një konkurrim mjaft prestigjioz, siç është ekspozita ndërkombëtare për karikaturën “Aydın Dogan International Cartoon Contest”.

I pyetur nga “Dita” në lidhje me këto rezultate Sulaj tregon: “Në këtë konkurrim, i cili mbahet dhe vlerësohet më i rëndësishmi në botë kam fituar dhe tre çmime më parë: në vitin 1989 një çmim nderi me valixhen e emigrantit, e cila për çudi “parandjeu” largimin tim nga Shqipëria. Dy çmime në vitin 2008, çmimin e dytë e një çmim tjetër që fliste për mjekësinë e korrupsionin e saj. Kam pasur fatin të njihem me artistë të mëdhenjtë ndihmës në artin tim si Ralph Steadman nga Anglia, Anita Kunz nga Kanadaja, i ndjeri Georges Wolinski i cili u masakrua në zyrat e Carlie Hebdo në Paris etj. etj. Ky çmim më gëzon për faktin se ngre në një nivel dinjitoz artin tim, por njëkohësisht dhe artin shqiptar të karikaturës, i cili ka nxjerrë nga “bankat” e revistës “Hosteni” një kualitet të mrekullueshëm krijuesish të satirës humorit e karikaturës në përgjithësi”.

Agim Sulaj
Agim Sulaj

Çmimi me një vlerë prej 8000 mijë dollarësh do t’i jepet artistit shqiptar gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve.

Agim Sulaj, i cili jeton në Itali që pas viteve ‘90, ka fituar dhjetëra çmime anembanë botës, ku në punimet e tij është fokusuar shpesh tek problemet sociale; tek varfëria, tek problemet e ambientit dhe jeta e refugjatëve.

Ai ka punuar si piktor dhe në një nga revistat më prestigjioze të kohës së diktaturës në Shqipëri, në “Hosteni”. Në lidhje me këtë çmim Sulaj shprehet se: “Mendoj se vepra ime është pëlqyer për mesazhin e drejtpërdrejtë e për realizimin e duhur. Në motivimin e këtij çmimi, sipas jurisë ishin vlerësuar detajet e mënyra hiper-realiste e ndërtimit të veprës që e bëjnë të çuditshme dhe të vërtetë një ide timen për të cilën flas”.

Pavarësisht se ku ka arritur ai nuk harron asnjëherë se nga ka ardhur. “Cilësitë e veprave të mia janë ideja e realizuar në mënyrë artistike plot detaje e mesazhe, të cilat bëhen të kuptueshme e domethënëse për atë që e sheh, karakteristikë kjo që në hapat e mi të parë në revistën “Hosteni”. Gëzimin për këtë çmim e ndaj me vendin tim si i pari laborator ku unë u formova artistikisht”- tregon mjeshtri shqiptar.

31303_1356786291201_1263651_nMe tej Agimi jep pak më shumë detaje mbi njohjen që ka patur me një nga kolegët e revistës Charlie Hebdo, e cila u sulmua nga terroristët disa muaj më parë, në Francë.

Jam njohur me Georges Wolinsky, pikërisht në Aydin Dogan, në Turqi, në këtë eveniment, i cili organizon Çmimin Oskar për karikaturën, e ku unë u vlerësova këtë vit me çmimin e madh. Kujtimi me të më qe në atë kohë normal, por më kthehet shumë mbresëlënës pas humbjes së tij tragjike e të padrejtë. Them tragjike e të padrejtë për vetë faktin që ai kurrë nuk kishte bërë karikatura kundër fesë, por ka qenë një karikaturist personazhesh erotike”.

Duke i kërkuar një shpjegim, se çfarë ka dashur të thotë me karikaturën fituese, Sulaj na thotë se çdo njeri mund ta lexojë ndryshe, në përgjithësi ai nuk u vë diçitura veprave sepse ato flasin më mirë vetë, por në këtë rast e ka një mesazh dhe dëshiron të shpreh revoltën ndaj varfërisë dhe botës. Sipas tij: “Derisa të ketë varfëri njerizimi nuk do jetë kurrë i qetë”.

 

Gara

Konkurrimi i përvitshëm “Aydin Dogan 2015” vlerëson këtë vit me çmimin e madh ose ndryshe OSCAR KARIKATURE 2015, veprën e artistit shqiptar Agim Sulaj, juria vlerësoi mbi 2000 karikatura nga mbi 40 vende të botës. Juria seleksionoi për ekspozitën e madhe, e cila do të mbahet në hotel Hilton të Stambollit në muajin tetor 237 vepra nga këto 32 u vlerësuan me çmim. Karikatura e Sulajt përcjell pak a shumë mesazhin e kontradiktës midis dy shtresave të shoqërisë, midis të varfërve e të pasurve, kontradiktë kjo e cila merr forma të dhunës, që shpesh kthehet dhe në forma të terrorit e të përplasjes sociale. Megjithatë, gjithsekush e lexon sipas gjendjes së tij emocionale. Këtu qëndron edhe sekreti i mjeshtërisë së autorit.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *