Një shqiptare drejt “Capitol Hill”

Elton Tafaruci

Një shqiptare mund të mbërrijë deri në Kongresin amerikan për herë të parë në histori. Nuk do të jetë aspak e lehtë për shqiptaro-amerikanen e cila nën logon e Partisë Demokratike do të kandidojë në një bastion të republikanëve, i cili dominohet nga konservatorët prej dy dekadash.

Por ndihmës-prokurorja nga Makomb, Suzana Shkreli, beson se do t’ia dalë. Ajo është emëruar si kandidatja e Partisë Demokrate për Distriktin e 8 të Kongresit, ku do të sfidojë kongresmenin aktual republikan, Majk Bishop.

Shqiptarët e njohin Suzana Shkrelin prej vizitës së saj të fundit, për të dhënë eksperiencën e saj në luftën kundër dhunës në familje, sepse Shkreli punon në Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve në Zyrën e Prokurorisë, në Kontenë Makomb.

“Prindërit e mi janë emigrant shqiptarë, klasë punëtore, që kanë punuar ditë e natë për të më ndihmuar motrën, vëllezërit dhe mua që të arsimohemi”, thuhet në deklaratën e saj.

“Në Kongres do të punoj që të krijoj vende pune, do përmirësoj shkollat dhe do mbaj armët larg duarve të terroristëve, do kujdesem për veteranët dhe do ndihmoj t’i japim fund varësisë nga drogat për të mbrojtur Sigurinë Sociale dhe Mjekësore”, thotë ajo në listën e premtimeve të fushatës.

Por Suzana duhet të kalojë disa etapa derisa të mbërrijë deri në “Capitol Hill”. Ajo duhet të sqarojë situatën e kandidimit brenda partisë së saj dhe më pas ka edhe detyrën e vështirë që të bindë elektoratin se ka ardhur koha për të ndryshuar.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *