Ndonëse për publikun suedez tashmë është një figurë e mirënjohur, për publikun shqiptar në të gjitha trevat ku jetojnë, mbetet ende e njohur vetëm si një nga vajzat mërgimtare por jo edhe si artiste filmi. Duket se tashmë është koha më e mirë që ajo të njihet më nga afër edhe në vendin ku ka rrënjët e gjakut të saj. E ku tjetër pos në Drenicë, Prishtinë, Tiranë e më gjerë.
Fortesa Hoti, aktorja e re nga Kosova do të ketë rolin e protagonistes në filmin ‘Orion’, premiera e të cilit do të jetë me 25 tetor të këtij viti në Suedi. Ky film paraqet një histori dashurie të një të riu me emrin Toni, i cili është në vitin e fundit të shkollës së mesme.
Por krahas kësaj, Toni është duke kaluar një periudhë të vështirë në jetën e tij. Babai i tij ndodhet në burg, për shkak të dhunës që ka shkaktuar në familje. Ndërkohë në klasën e tij vjen një nxënse e re me emrin Ana (Fortesa Hoti), e cila e bën t’i harrojë problemet që po përjeton.
Mirëpo, kjo qetësi nuk zgjat shumë, sepse me të liruar babin e tij nga burgut fillojnë të rikthehen problemet.
Filmi është bërë nën regjinë e Elias Kababa; producentë: Johan Pour, Henry Seaman, Thomas Aziz, skenari: John Pour; si dhe Rolet: Philip Berg, Fortesa Hoti, Victor LINNER, Johannes Brost, Jessica Zandén, Dogge Doggelito, Freddy Åsblom, Samuel Haus, Erik Johansson, David Boati, Kalled Mustonen, Isabella Löëengrip, Gunvor Pontén, Tommy Sporrong.
Por kush është Fortesa Hoti? Gazeta “Zëri” shkruan se ajo ka lindur, më 6 dhjetor 1988 në Polac të Skenderajt. Aktualisht jeton me prindërit, vëllanë dhe dy motrat në lagjen Angered, që ndodhet në periferi të Goteborgut. Ishte vetëm katër vjeçare kur së bashku me prindërit erdhi ne Suedi. Fortesa vijon studimet për ‘Art Skenik’.
Dashurinë për teatrin dhe skenën ajo e ka treguar qysh si e vogël, përmes imitimeve të ndryshme që bënte në rrethe të ngushta familjare. Më vonë, diku në klasën 6-7 të shkollës fillore aktivizohet në grupin dramatik të shkollës, ku edhe ka luajtur role të ndryshme në shfaqjet shkollore.
Mirëpo, suksesin e njëmendët e arriti kur televizioni suedez kishte hapur një audicion për një seri televizive. Fortesa Kjo vajzë e re shqiptare, përmes talentit dhe punës së saj arriti të klasifikohet ndër tre më të mirët, e pastaj fiton të luaj rolin kryesor në serinë televizive ‘Avenyja tjetër’, që konsiderohet si një ndër serialet për të rinj më të ndjekur në Suedi.
Në këtë serial, Fortesa luante rolin e Roxana Nilsson-një vajzë problematike, e cila jetonte me nënën e saj narkomane. Problemi i saj ishte se nuk e dinte cili ishte babai i saj. Ky interpretim edhe konsiderohet si një nga rolet e vështira që ka interpretuar Fortesa, duke marrë parasysh se ajo në jetën private dallon shumë nga Roxana, rolin e së cilës pati rastin ta interpretojë.
Megjithatë, kritika suedeze e ka vlerësuar shumë lartë interpretimin e Fortesës në këtë serial të suksesshëm të televizionit suedez SVT, me gjithsej 180 episode te realizuara.