Një balerinë shqiptare do të bëhet së shpejti pjesë e trupës së baletit të Vjenës. Xhesika Gjonikaj është vetëm 16 vjeç, por duket se ka përpara një karrierë të suksesshme në balet. Nxënësja e Shkollës së Baletit në Tiranë ka arritur jo vetëm të fitojë konkursin për të hyrë në shkollën e Wiener Staatsoper, por të meritojë edhe bursë. Pas një viti, ajo do të jetë pjesë e trupës së Baletit të Vjenës. Skenat e mëdha botërore janë synimi i saj. Sapo është kthyer nga një konkurs në shkollën e Operës shtetërore të Vjenës, ku jo vetëm është përzgjedhur në 2-3 më të mirët, por e vlerësuar si një nivel sipëror, ka merituar edhe një bursë për shkollimin e saj. Një vit shkollë dhe pastaj e pret skena e Wiener Staatsoper. Më parë këtë ëndërr e ka prekur balerini Eno Peçi, i cili sot është solist në Teatrin Shtetëror të Vjenës. Në familje askush nuk është marrë me balet. “Shihja shumë televizor. Kur shihja se si lëviznin balerinat… më lindi dëshira të bëhesha dhe unë si ato, të dilja në skenë.. Dhe prej klasës së tretë merrem me balet”, thotë për “Panoramën” Xhesika, e cila sot është nxënëse e klasës së 10-të në Shkollën e Baletit në Tiranë.
Xhesika tregon emocionet e konkurrimit mes kandidatëve nga shkolla të forta baleti si ajo ruse.
“Kur u thashë se vij nga Shqipëri, ata qeshën. Ata flisnin gjermanisht, por nuk ishte e vështirë të kuptohej se po qesëndisnin. Duke qenë një vend i vogël, atyre nuk ua merrte mendja se Shqipëria mund të kishte balet, por kur po bëja ushtrimet në audicion, ata nuk thanë më asnjë fjalë”, tregon Xhesika, e cila arriti të spikaste mes 10 më të mirëve të përzgjedhur ndër 200 kandidatë që garonin fillimisht përmes DVD-ve.