Letër e nënshkruar, Gjin Musa
Politika shqiptare mjerisht në këto 23 vite vetëm na ka zhgënjyer, të majtë dhe të djathtë janë brumi i gatuar në magjen e Partisë së Punës. Një lojë e turpshme në sy të gjithë opinionit publik dhe ndërkombëtar… Tashmë është e kuptueshme se nuk kemi politikanë, nuk kemi burrështetas, tërhiqemi zvarrë nga diplomatët e huaj të akredituar në Shqipëri. Në cilin vend të botës demokratike ambasadori bëhet zot shtëpie në shtëpinë e huaj? Jo, ambasadori ka vendin e vet, vëren dhe vëzhgon, po kurrë nuk ndërhyn në punët e brendshme të shtetit. Cili ambasador i Shqipërisë kudo në botë, ka tagrin të veprojë kështu siç veprojnë diplomatët e huaj në vendin tonë? Po vendi i joni nuk është, të tjerët po luajnë teatro me Shqipërinë. Lirimi i Fullanit është turpi i turpit për drejtësinë dhe shtetin shqiptar. Çfarë kërkojnë në burgje mijëra shqiptarë o z.Kryeministër, që janë dënuar për krime të rëndomta? U dashka të boshatisësh bankat e vendit që të mos qëndrosh në qeli? Qeveria dhe parlamenti kurrë të mos mendojnë se janë të pandëshkueshëm, populli tashmë po shkon drejt një zhgënjimi të pakthyeshëm.
Politika ka dalë jashtë binarëve, rrena dhe mashtrime, njerëz të paaftë në parlament dhe në qeverisje, pse kjo gjendje z.Edi Rama? Po i frikësohesh Berishës? Kështu do zbardhen ngjarja e Gërdecit, 21 Janari e mijëra dosje të tjera të pushtetarëve? Ku po e çoni Shqipërinë? Drejt perëndimit apo drejt mjerimit dhe korrupsionit? Shqipëria pa shtet dhe pa drejtësi! Sot drejtësia shqiptare është groposur përfundimisht, tani duhet një mobilizim total i shqiptarëve të ndershëm, për të përmbysur diktaturën që po na mban peng.
