Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi 51 viktima, plagosi qindra të tjerë dhe la të pastrehë mijëra familje në Durrës, Fushë-Krujë, Tiranë dhe Laç.
Gjurmët e tij janë ende të dukshme në Likmetaj, një nga nëntë fshatrat e zonës së Ishmit.
Së largu, në rrugën e vetme që e përshkon mespërmes fshatin duken disa çadra dimërore, një banesë njëkatëshe ende në kolona dhe një tjetër e lyer me gëlqere të bardhë, si dhe një kontejner dyngjyrësh.
Godinat gjithfarësh ndodhen në një lartësi të vogël, nga ku duket fusha e Thumanës deri në kryeqytet, ndërsa më përtej gjiri detar i Drinit spikat në formë gjysmëharku.
Ky është vendi ku ka lindur Ibrahim Kodra, piktori shqiptar me famë evropiane. Njëri prej kontejnerëve shërben për të strehuar 94-vjeçarin Sabri Kodra, i afërm i piktorit.

Kontejneri është vendosur në themelet e shtëpisë ku ai ka lindur.
Nga dera prej xhami shihet një shtrat si dhe një ngrohëse me korrent. Por vetë Sabriu nuk ndodhet brenda tij, pasi dikush e ka shoqëruar për një vizitë mjekësore në Fushë-Krujë.
Gëzim Qevani, një mësues në pension dhe fqinj i Sabriut, tha për BIRN se këto ditë të ftohta kanë qenë të vështira për Sabriun e moshuar, i cili ende jeton në kontejner.
Dita e parë e shkurtit është e ftohtë dhe plot lagështirë, por komshiu i familjes Kodra, ngre kapuçin e xhupit dhe ofrohet të na tregojë shtëpitë e rrënuara nga tërmeti, por edhe ato të ndërtuara rishtazi nga shteti apo nga vetë familjet që kanë njerëz në emigracion.


“Ne po presim që banesat të kompletohen dhe banorët të rikthehen në shtëpitë e tyre,” tha Gëzimi.
Mësuesi në pension thotë se fshati është braktisur.
“Likmetaj tani ka më shumë shtëpi dhe më pak njerëz,” tha ai, duke shtuar se fshati ka patur 130 shtëpi, ndërsa tani ka dyfishin falë punës së banorëve në emigracion, por shumica e tyre janë të zbrazura.
n.s. / dita

KABINA mundet me thene shqip
dhe pse ‘kabine’ prap e huaj esht