Një simbol për varfërinë. Dhe maskarallëkun!

anazapta

Të bëjnë shumë përshtypje idetë e disa analistëve, teksa shpalosin suksese të qeverisjes, duke zbërthyer me kompetencë e mjeshtëri zhvillimin si Gjermania, si dhe duke i thurur lavde direkt e indirekt punës së kryeministrit. Disa prej tyre kanë në pronësi universitete,të tjerë firmë ndërtimi, kolazhi plotësohet me disa syresh tek hedhin   4-5 firma në borderotë e institucioneve shtetërore. Kuptohet, janë shumë larg realitetit e nuk mund të shkruajnë për varfërinë. As ato me bindje të majta nuk mund të shkruajnë për këtë fenomen,ndoshta këtij fenomeni i afrohen më shumë shkrimet e lexuesve të përditshëm të kësaj gazete. Por edhe këto nuk mjaftojnë, sepse të shkruash për varfërinë është një gjë, e ta kesh mbi lëkurë është gjë tjëtër.

Atyre që e ngrejnë lavde për qeverisjen duke marrë aty këtu ca shifra do u bëja një thirrje; të bëjnë një xhiro në periferinë e Tiranës. Sigurisht nuk mund ta bëjnë sepse kjo do trondiste gjendjen e tyre me ndonjë opinion dyshues. Unë banoj në ato zona. Disavantazhi  ndaj analistëve  është se nuk mund të ndjek stilistikën e tyre, as nuk mund t’i pretendoj vehtes leximin nga “të fuqishmit”, si edhe as nga të varferit, se këto të fundit ndoshta nuk u bie në mendje të blejnë gazeta. Gjithkund ka varfëri, në çdo vend ka lagje të pasura e të varfëra, por këtu ndryshon puna; ata njerëz të cilët kanë emrin në atë fletoren e famshme të borxheve përbëjnë shumicën dërrmuese të banorëve të Tiranës,e këtu po flasim vetëm për kryeqytetin.

Unë jam me fat që kam gjetur një punë, i gëzohem asaj rroge në fund të muajit. Puna  në qendër të Tiranës më jep të qartë tablonë e rrugës, të jetës nga periferia drejt qendrës, nga njerëzit e varfër të lagjes sime deri tek të kollarisurit e të pushtetshmit e bulevardit, nga polici i thjeshtë i cili në të ftohtë e në të nxehtë i jep pedaleve të biçkletës për të kapur turnin e punës e deri tek ministri i brendshëm në rehatinë e një Mercedesi Slass S, prodhim i 2010-ës. Natyrisht kapitalizmi nuk pretendon të zhdukë përfundimisht varfërinë, por ama siguron konkurrencën. Kjo varfëri e zonës së Paskuqanit nuk erdhi vetvetiu, pa u ushqyer nga korrupsioni, nga keqqeverisja nga harresa e qeverisë, apo për shkak të besimit se kjo zonë është “e djathtë” dhe sido të vejë puna këto janë me ne, mendon pushteti…Kjo varfëri ishte këtu dhe nuk kërkon ndonjë ide të veçantë për ta shpalosur, edhe pse kërkonte maskarallëk pushtetar për t’a ushqyer.

Fatos Lubonja para disa ditësh ngriti  kujtesën e komunizmit, të vrasjeve, të interrnimeve, të ndarjes, duke e formësuar në bunker e beton ndarës. Por edhe kjo “periudhe tranzicioni” duhet të ketë dikur simbolin kryesor  të saj: Varfërinë! Dhe maskarallëkun.

 

Letër e nënshkruar: Benard Ago

Share This Article
1 Comment
  • Shume interesant shkrimi juaj. Sa mire qe kane mbetur akoma njerez te ndjeshem per problemin me madhor te vendit tone. Jemi te gjithe te varfer, edhe ne qe pretendojme se marrim nje cope rroge, nuk del per gje. Po njerezit qe i shohim perdite ne rruge te veshur keq dhe te vuajtur qe jane vetem nje pjese e vogel e te gjithe mjeraneve qe nuk i sheh dhe nuk i llogarit njeri dhe qe si te vetmin faj kane se kane lindur ne nje shtet te kalbur rrjepacakesh, ku atyre u bie per pjese te jene te rrjepurit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *