Partizanët e Brigadës së 5-të, më 15 shkurt e filluan sulmin nga të gjitha anët, nga jugu, lindja e perëndimi. Mua më takoi të isha në Kallarat me një grup forcash të përbërë nga reparte të ndryshme të brigadës. Ato ditë binte shumë shi dhe bënte shumë ftohtë. Ujët zbriste me rrëke nga malet e Bogonicës, kullonte nga pemët e shkurret, rridhte nga toka, nga gurët. Çdo gjë ishte e qullët. Edhe njerëzit e kafshët kullonin ujë. Megjithëkëtë, përgatitjet për kundërsulm vazhdonin. Shumë punë kishin sidomos skuadrat e zbulimit, të cilat duhet të përcaktonin ku ndodheshin armike.
Atë mëngjes të 19 shkurtit, në një aksion zbulimi do të nisej edhe Kadri Hazbiu me nja 7-8 partizanë për të zbuluar dislokimin e forcave gjermano-balliste në zonën e Smokthinës. Midis tyre ishte edhe një vajzë e re, Rakibe Dervishi. Të vëllanë, Bakon, e kishim një nga komandantët e shquar të Brigadës së 5-të.
Kadriu nuk donte ta merrte me vete. Ajo i lutej dhe ai e kundërshtonte, duke i thënë se këtë radhë do ta linte me shokët, se ashtu ishte puna, kurse herën tjetër ajo do të ishte e para që do të sulmonte.
Po Rakibeja s’bindej. Ashtu e urtë, e ndrojtur dhe e dëgjuar siç ishte, si të gjitha vajzat fshatare, ajo u tërhoq disa metra më tutje nga grupi i shokëve që po niseshin dhe filloi të qante pa zë me kokën varur. Kadriu e pa dhe i shkoi pranë.
– Pa dëgjomë një çikë, – i tha, – lufta nuk mbaroi sot. Deri sa ta çlirojmë Shqipërinë atë punë do të bëjmë, do të luftojmë natë e ditë. Mos u bëj e padëgjuar. Nesër do të shkojmë bashkë në Smokthinë dhe do t’i fshijmë ata zagarë.
– Dua të vij me ju, – iu përgjegj ajo me zë të ulët dhe duke iu lutur.
Kadriu përpiqej me të gjitha mënyrat që ta bindte me fjalë të mira e të urta, por ajo qëndronte në të sajën. Më në fund, para dëshirës së saj të zjarrtë, ai u dorëzua.
– Mirë, – i tha ai me një ton komandues, – eja të shkojmë!
Ajo i fshiu lotët me dorë, i ndriti fytyra sikur po shkonte në dasmë.
Skuadra u nis. Ajo ktheu edhe njëherë kokën prapa, si për të na përshëndetur me buzëqeshjen e saj fëminore e të ëmbël.
Pa mbërritur në Smokthinë, skuadra ra në një pritë, në të cilën Rakibeja mbeti e plagosur rëndë. E kishte marrë një plumb në bark. Në Kallarat e prunë shokët, me të cilët ishte nisur. Binte shi qamet. Aty nuk kishte as doktor, as infermier, as barna. Vetëm sa ia kishin lidhur plagën me një fashë, që do t’i ishte ndodhur ndonjë partizani në xhep e përzier me fishekë e me thërrime buke misri. E shkreta vajzë! As qante, as bënte zë. Rënkonte lehtë dhe i dukej sikur kishte bërë diçka që s’duhej ta bënte, sikur ishte në faj se po pengonte shokët të luftonin. Po vinte nata dhe përgatitjet për sulmin që do të fillonte atë mbrëmje duheshin mbaruar shpejt. Kadriu më ngarkoi mua të merresha me Rakibenë.
– Dëgjo këtu, – më tha, – merre dhe çoje te nënë Duzja. Ja ku është shtëpia, e sheh?Ti do të rrish me të deri nesër në mëngjes. Ti je përgjegjës dhe ty po ta lë amanet. Nesër në mëngjes do të shihemi patjetër.
Me Kadriun u ndamë menjëherë. “Hej bela, thashë me vete, ç’të bëj unë me këtë vajzë, ku ta shpie e ku të ngrysem?” Asnjeri nuk e kishte mendjen tek ne. Na shikonin me keqardhje, thoshin ndonjë fjalë dhe largoheshin me nxitim në punët e tyre.
I pezmatuar e i drobitur, bashkë me dy partizanë e Rakibenë të shtrirë në një vig të ngushtë, mbuluar me ca rroba krejtësisht të qullëta e që nuk kuptohej çfarë kishin qenë e përse kishin shërbyer, u ngjitëm te shtëpia e nënë Duzes, e ndërtuar në një çukë mbi rrugë. Shtëpia duhet të ishte ndërtuar e re, por kishte mbetur e pasuvatuar nga brenda e nga jashtë.
Të vetmet mobilie që unë vura re atë natë, ishte një sënduk i nxirë nga koha e përdorimi dhe përballë, përdhe, një shtroje që nuk përcaktohej dot nga çfarë shtrese e mbulese përbëhej. Varfëri e plotë. Nuk e di nëse nënë Duzja përjashta shtëpisë kishte ndonjë haur që nuk e vura re, në kish ndonjë dhi a ndonjë kafshë tjetër.
Kur hymë brenda, nënë Duzja, që mua atëherë m’u duk plakë, por që nuk duhej të ishte më shumë se 50 vjeç, na priti qetë, pa asnjë habi, pa asnjë turbullim. Dukej se ajo u përkiste atyre nënave labe, që plumbat, plagët e vdekjet ishin pjesë e pandarë e jetës së tyre.
Sa u futëm brenda, ajo na tha që vajzën, korbën, rrënjëdalën e derëzezën, siç zuri ajo ta thërriste, ta vendosnim mbi shtrojën e gatshme e të paluajtshme e që ishte shtrati i saj për ditën e për natën. Ajo mori ca shkarpa e ca dru të holla nga fundi i dhomës dhe filloi të ndizte zjarrin, por “i shuari”, siç i thoshte ajo, nuk mund të merrte. Drutë ishin të njoma dhe oxhaku nuk hiqte. Dritë në shtëpi nuk kishte dhe tymi i madh na nxori sytë.
Rakibeja s’kërkonte gjë, por edhe unë e nënë Duzeja pas largimit të dy shokëve s’kishim çfarë t’i bënim. I jepnim nga një çikë ujë, i lagnim ballin që i digjej flakë dhe i jepnim dorën që na e shtrëngonte fort për të larguar dhimbjet. Përpiqeshim t’i jepnim kurajë, por fjalët tona nuk ishin bindëse. Ne e shihnim që Rakibeja po mbaronte dhe ajo e kuptonte se jeta e saj po shuhej.
Jashtë frynte e binte. Era që përshkonte gryka e përrenj, që përplaste pemët e tundte gërxhet, krijonte një zhurmë e uturimë llahtarisëse. Përreth s’dëgjohej frymë njeriu. As blegërimë bagëtish e as lehje qensh. Sikur të gjithë kishin ikur dhe na kishin lënë vetëm ne të treve, mua që rrija pa folur mbi sëndukun e vjetër, një plakë, e cila shtynte urët për të mos u fikur zjarri dhe një vajzë e re që po shuhej ngadalë. Nënë Duzja, për të dalë nga kjo gjendje zymtësie e dëshpëruar, zuri të më pyeste mua me një ton pak si të rëndë, si qortues e si akuzues.
– E kujt është kjo vajzë, me ju ka qenë apo e keni gjetur mb’udhë?
Kuptohej që nënë Duzja nuk ishte e mendimit që gratë duhet të dërgoheshin nëpër fronte. Për të, ato kishin punë të tjera.
– E di, e di nëno,- fillova të flas, duke thënë me vete shyqyr që po fillojmë të llafosemi, se tërë kjo natë nuk gdhihet dot.
Doja t’i thosha nënë Duzes se kohët kishin ndryshuar. Recitimin standard lidhur me nevojën e domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së grave e vajzave në luftë e kisha gjithnjë të gatshëm..
– Është nga Smokthina, – iu përgjigja, të atin e të ëmën nuk i njoh, por i njoh të vëllanë, është partizan me ne këtu në brigadë.
Por ajo ma preu fjalën duke mos ua vënë fare veshin atyre çka i thosha unë.
– Mirë, mirë biro, po ti nga je?
– Jam nga Vunoi, nëno.
– Nga Vunoi the, po i kuj je?
Si i thashë i kujt jam e ku kisha qenë, nënë Duzja heshti për pak dhe m’u duk sikur po përgatitej të më drejtonte ndonjë pyetje të vështirë, sikur mendonte në bënte a s’bënte të m’i thoshte ato fjalë që i erdhën në mend.
– Ke qenë në Tiranë, më the?
– Po, – iu përgjigja thjesht..
Por e gjeta veten në faj. Si nuk e pyeta në kish pasur burrë, në kishte fëmijë dhe të kuptoja pse të gjithë e njihnin dhe e thërrisnin nënë Duze? Kjo plakë, thashë me vete, duhet të ketë një histori tragjike, se plakat e vetmuara te ne, vetëm tragjedi kanë njohur. Duhet t’i ketë ndodhur diçka e rëndë në jetë. Nuk ka se si shpjegohet gjithë ai respekt i përgjithshëm për të. A nuk më tha Kadriu, çojeni te nënë Duzja, i sigurt se unë duhet ta njihja, se patjetër duhej të kisha dëgjuar për të?
Ndërsa po mendoja nga ta nisja e si ta nisja fjalën, ajo me një ton pak si serioz, pak si solemn, më pyeti:
-Kam pasur një djalë në Tiranë, e ke njohur?
-Nuk e di për cilin e ke fjalën, mbase edhe e njoh, por përse thua kam pasur?
-Ehe, – psherëtiu ajo thellë, ndërsa bëhej gati të më rrëfente për të birin.
– Kam pasur, po tani s’e kam. Ma vranë italianët në Vlorë. Ishte partizan si ju, ti duhet ta njohësh. Mumin e quanin, Mumin Selami.
-Po si nuk e njihja, më fal nënë Duze që nuk të ngushëllova. Nuk e dija dhe njeri s’më tha, luftë e madhe këto ditë, shumë shokë na janë vrarë, shumë kanë vdekur. Nuk e kemi mendjen në vend. Po ne do t’ua marrim hakën. Durim nënë Duze, durim.
Muminin e kisha njohur vërtet në Tiranë. Ishte pranvera e vitit 1941 dhe sapo kishte mbaruar lufta italo-greke. Ishim takuar ne korridoret e zyrave të Gjykatës së Tiranës, ai – sekretar tek av. Suat Asllani, unë – tip ndihmës sekretari te noter Kokalari. Aty me orë të tëra bisedonim për punët dhe hallet tona djaloshare….
Ishte një djalë i ëmbël me flokë të verdhë e të dredhur, tipike për shumë të rinj kurveleshas, një djalë i ndrojtur, por i mprehtë dhe inteligjent. Shkruante vjersha dhe ëndërronte të bëhej poet. Më kishte dhënë të lexoja disa prej tyre që i kishte daktilografuar pastër dhe fletët i kish lidhur bukur e bërë si libër….
…Pas dy-tre muajsh me Muminin u ndamë… Por, nga fundi i vitit 1942, kur unë gjendesha në burgun e Vlorës, edhe Mumini ndodhej në Vlorë.
Një natë vonë ne dëgjuam të shtëna të zgjatura armësh. E kuptuam menjëherë se duhej të ishte një përpjekje midis policëve italianë dhe aktivistëve të Lëvizjes. Atë natë ne, të burgosurit politikë, nuk fjetëm fare. Prisnim me padurim të merrnim vesh se ç’kishte ndodhur. Dhe herët në mëngjes një shoku ynë erdhi tek ne e na tha se në Tophana ishin rrethuar e vrarë katër shokë. Midis tyre përmendi edhe emrin e Mumin Selamit.
Këto ngjarje po rikujtoja me dhimbje atë natë të egër e të tmerrshme dimri, duke ndenjur me një nënë zemërzhuritur dhe një vajzë heroinë që po jepte shpirt nga plagët e marra në luftë. Nënë Duzja priste që djali i vetëm të mbaronte shkollën, të punonte në qytet, të bënte karrierë, të bëhej i famshëm e të martohej, të ngrinte shtëpi e të rriste fëmijë. Por ja që të gjitha ëndrrat, të gjitha dëshirat, të gjitha shpresat iu shuan përnjëherësh, si një dritë që fiket nga era. Ajo tani ishte vetëm, krejtësisht vetëm, e varfër, e dërrmuar, e gjallë, por pa jetë.
I shkreti Mumin! I këndoi lirisë dhe u ngrit kundër skllavërisë. Luftoi për një ideal dhe u vra për dheun e tij, për fshatin e tij midis maleve, për atë shtëpi të pambaruar mbi çukën e vogël përmbi lumë, për nënën e tij që rronte vetëm për të, për shokët e miqtë e tij, për të gjithë ne që e njihnim dhe e donim.
Ja dhe Rakibeja që të këpuste shpirtin. Ajo po jepte shpirt pa u ankuar as për dhimbjet e as për jetën e saj që po i ikte. As kërkoi gjë, as pyeti për njeri. Ne dëgjonim vetëm rënkimin e butë e gati më të shuar të saj, si dhe të vetmet fjalë, “një çikë ujë” ose “ujë”, që përsëriteshin pothuaj pa ndërprerje e të shoqëruara me një “ah” të mekur.
Ajo erdhi në brigadë atë ditë që u inaugurua. Ishte një vajzë akoma fëmijë, tejet e turpshme. Rrinte me ndonjë shoqe dhe nuk i dëgjohej fare zëri. Edukata që kishte marrë, klasike e familjeve të mira, nuk e lejonte të fliste me zë të lartë përpara burrave dhe të bënte ndonjë gjest që mund të tërhiqte vëmendjen e të pranishmëve. E duroi operacionin e dimrit dhe u bëri ballë stërmundimeve të atij muaji të tmerrshëm, sikur të ishte burrë dhe jo grua dhe duroi të gjitha vuajtjet e mundimet fizike. Për një muaj ajo qëndroi pranë nesh, por ne nuk e vumë re. Ajo ishte e bindur, e heshtur dhe detyrat luftarake i kryente pa fjalë, pa u përpjekur që të dukej ose të tërhiqte vëmendjen.
E tërë jeta e saj “e ndërgjegjshme” zgjati një muaj. Sigurisht, ajo kishte dëgjuar në shtëpinë e saj bisedat e të vëllait e të shokëve të tij për Shqipërinë e lirë, për jetën e re, për të drejtat që duhet t’u jepeshin grave, për shkollat dhe u bashkua me partizanët që kjo jetë të vinte sa më shpejt, mundësisht menjëherë, nesër. A ishte një ëndërr? Në atë kohë jo. Ishte një shpresë, por edhe një bindje, e cila të shtynte të luftoje e të sakrifikoheshe. Dhe Rakibeja fjeti me këtë ëndërr dhe iku nga kjo jetë me këtë shpresë. Jeta e vet i ngjante asaj të një fluture që ditën endet në hapësirë tërë hijeshi e bukuri dhe që në mbrëmje vdes. Të gjithë atyre që e kanë parë fluturën, ajo u ka ngjallur një ndjenjë gëzimi e çlirimi të brendshëm, por kur kanë shkuar të flenë, nuk kanë menduar se flutura e vogël nuk rron më. Kështu ka ndodhur edhe me “fluturat e luftës”.
Duhet të ishte natë e thellë kur Rakibeja u shua. Ne nuk kishim orë dhe nuk dëgjuam as ndonjë kokosh të këndonte që të merrnim vesh nëse agimi po afronte apo ishte akoma larg.
– U ftoh, biro, mbaroi e shkreta vajzë, – më tha nënë Duzja, që i mbante vazhdimisht dorën në ballë.
Unë mbeta si i ngrirë, mbasi nuk dija edhe çfarë të thosha, e çfarë të bëja.
Nënë Duzja, pasi i mbuloi fytyrën, hodhi një dru në zjarr dhe filloi ta qante me ligje. Kishte qarë tërë jetën dhe e tërë jeta e saj kishte qenë një vaj. Në fillim qau Rakibenë, pastaj të birin, Muminin dhe një djalë tjetër të saj, që siç thoshte ajo në ligje, duhej të ishte vrarë diku gjetkë, por që unë nuk e kuptoja se ku e kur. Kur qante Muminin u trondita shumë, mbasi ajo në ligjet e saj se si më plekste edhe mua me të. Më nxirrte sikur isha vrarë ose sikur do të vritesha e do të veja tek ai dhe më jepte porosi që t’ia thosha. Një skenë surrealiste do të thoshim sot. Unë kisha parë, sidomos gjatë operacionit të dimrit, shumë të vrarë, të plagosur e të sakatuar. Me ngjarje të tilla isha mësuar, ato më ishin bërë të zakonshme. Edhe vetja nuk më dhimbsej. Mendoja se në mos sot nesër, kjo mund të ndodhte. Isha i bindur ashtu si edhe të gjithë shokët e tjerë se të vriteshe nuk ishte ndonjë gjë e madhe. Po shpëtove, mirë, po nuk shpëtove, s’ka gjë. Të parët do të vriten, por do të ngrihen të tjerë. Populli nuk soset, nuk mbaron. Vetëm për nënat mendonim, si do ta duronin ato humbjen tonë dhe si do të pajtoheshin me të.
Nuk e di se si u gdhi ajo natë ferri. Sapo zbardhi, erdhën disa partizanë bashkëfshatarë të Rakibesë ta merrnin e ta çonin për ta varrosur në vendlindjen e saj.
Unë zbrita poshtë dhe u bashkova me shokët që po bëheshin gati për të sulmuar e çliruar Vranishtin, ku qenë grumbulluar mjaft forca armike. Nuk isha në terezi. Isha i hutuar nga ajo natë e llahtarshme. As kisha fjetur, as kisha ngrënë. Ecja, por nuk e dija se ku i hidhja këmbët. Bile nuk dija ku shkoja e përse shkoja. Betejat në luftë janë si garat sportive. Përveç gjendjes së mirë fizike, ato kërkojnë një kthjelltësi të madhe të mendjes dhe një përqendrim të fortë të brendshëm. Atë mëngjes mua më munguan të gjitha këto. Ndoshta edhe nga kjo e pësova.

I dine Ballistet keto vuajtje ? Shkruani te verteta te tilla se Ballistet flasin ndryshe sot… Respekte per ata qe nuk kursyen jeten per lirine e ketij vendi…
Ballistet le te lehin sa te deshirojne.Zagaret e kane per prfesion.Eshte e pamundur qe te ndalin lehjen.Aq pune na prish.Lavdi dhe perjetesi nder breza Luftes Nacional Clirimtare.
LAVDI TE PERJETSHME PARTIZANVE!
kujt partizaneve atyre qe shtinin ne ajer kur gjermani ishte duke ikur vete.
kur dolen malit at a nuk e dinin komunizmin por njihnin atdheun per te cilin dhane gjithecka.Ne shqiperi ne ate kohe trimat u vrane,dredharaket u larguan dhe ne krye ngelen horrat qe drejtuan te ndershemit dhe budallenjte.Lavdi deshmoreve te luftes.
Ajo lufte ka qene dhe mbetet e shenjte. Ata qe e mohojne nuk jane shqipetare, nuk e duan kete vend!
Ajo qe lexova me lart nuk kishte asgje makbethiane.
Eshte vec nje nga episodet e panumerta te luftes heroike Nacional-clirimtare.
Sot,me njohjen qe kam,jam e bindur se ne kete lufte rane vajzat dhe djemte me te mire,,,,,per t’ua lene udhen e pushtetit atyre qe u fshehen pas gaxhoit.
Lavdi te perjeteshme Deshmoreve te kesaj lufte.
Nënë Duzja është stërgjyshja ime, më vjen mirë dhe e falenderoj z. Lazri që pas 70 vitesh e kujton këtë nënë heroinë , të cilën pas luftës krahina e nderoi duke votuar pikerisht atë Nënën e Heroit si Deputete që ti përfaqsonte në Kuvend.
Nderime për Rakibenë fatkeqe dhe për të gjithë dëshmorët dhe të mbijetuarit në Brigadën e V Sulmuese, e te gjithë partizanëve anemban vendit për luftën e tyre heroike.
Mirnjohje pa fund për ta, nga ne të brezave të rinj,
Faleminderit
Keta fshatare akoma na mbajne me rrena se ishin keta qe munden nazizmin.Superfuqia e botes mundet nga fshataret shqiptar,sa qesharake.Ne clirimin e Tiranes mbeti ne fund nje bunker me nje ushtar gjerman dhe ai luuftoi kunder nje brigade fshataresh ne fund u vet vra se mbaroi fisheket.Respektoni armiqet mos u vetmburruni se e bête gjoksin grope 45 vite,sot njerezit jane me te lexuar.