1. Katër premisa: një treg atipik, që adreson pakicën
Tregu i punës në Shqipëri është atipik. Si sistemi i mirëqenies, ashtu edhe tregu i punës adresojnë pakicën e popullsisë, duke lënë jashtë shumicën e saj. Ja disa shembuj: i) Shqipëria është rast unik kur forca e punës që punon jashtë vendit është më e madhe se forca e punës në vend. Sipas burimeve statistikore të Greqisë dhe Italisë, në këto dy vende ndodhen më shumë se një milion emigrantë aktivë shqiptarë; ii) Një e dhënë tjetër atipike: pjesa më e madhe e popullsisë në moshë pune është jashtë forcës së punës. Asnjëherë niveli real i pjesëmarrjes në forcën e punës nuk ka rritur në 50 përqind; iii) Shqipëria është gjithashtu një rast unik ku të papunët janë më të shumtë sesa të punësuarit. INSTAT raporton së fundi se të punësuarit kanë arritur në 930 mijë persona, në një popullsi në moshë pune rreth 2.2 milionë; iv) Edhe brenda rezervuarit të papunësisë, kemi “çudira”. Papunësia e fshehtë është më e madhe sesa papunësia e rregjistruar, e cila sipas anketës më të fundit të INSTAT-it është vetëm 188.944 persona!
- Hapi i parë i reformës: diagnostikimi i formave të papunësisë
Papunësia në Shqipëri është shumëformëshe dhe ajo duhet të diagnostikohet si e tillë. Sa janë të papunët strukturorë, që nuk punësohen sepse nuk zotërojnë shprehi ose profesione dhe kërkojnë formim profesional shtesë? Këtë askush nuk e di, sepse askush nuk i numëron. Mos u habisni nëse të tillë gjenden edhe në rradhët e të diplomuarve nga universitetet. Një kompani e njohur IT-je punësoi para disa kohësh një grup inxhinierësh. Por ata kishin nevojë për formim profesional shtesë dhe iu nështruan një kursi teknik gjashtëmujor për tiu përshtatur nevojave të kompanisë. Një investim publik pesëvjeçar për ta shkoi dëm, ndërkohë që gjashtë muaj formim rezultuan më produktive. Sa janë të papunët ciklikë për shkak të cikleve të biznesit, karakterit stinor të punës apo falimentimit të sipërmarrjeve? Askush nuk e di. Sa janë të papunët friksionalë, të cilët kanë nevojë për shërbime ndërmjetësimi për tu rikthyer ne treg? Edhe këtë tregues e masim në mënyrë të pjesshme. Sa janë të punësuarit virtualë, të cilët quhen të tillë ngaqë kanë marrë një copë tokë? As këtë nuk e dimë sepse vetëgënjehemi duke “përkthyer” statistikat e ligjit 7501 në statistika punësimi. Në një kohë që studjuesit konfirmojnë se rreth 37 përqind e 7501-shave kanë më pak se dy dynim tokë, e pamjaftueshme për t’i zënë realisht me punë.
- “Manovrat” në tregun e punës si gjenerator punësimi
Përveç analizës, tashmë të njohur, mbi rishikimin e modelit të zhvillimit ekonomik si gjeneratori më i madh i punësimit, një ndikim të madh në hapjen e vendeve të punës mund të kenë edhe manovrat në marrëdhëniet e punës. Prej tyre, po ndalem në tre: i) manovrat me pagën minimale; ii) manovrat me kontratat e punës; iii) manovrat me orët e punës. Paga minimale është një e drejtë sindikale e fituar në Shqipëri. Por ajo nuk ka shërbyer, për fat të keq, si një nxitës për punësimin. Sidomos në disa sektorë, ku kosto e puëns është puthuajse e barabartë ose shumë afër shpenzimeve për pagat. Një rast të tillë përbëjnë fasonët. Paga minimale kombëtare mund të zëvëndësohet nga paga sektoriale si edhe pagat e diversifikuara sipas territorit, shkallës së varfërisë dhe moshës. Duke u dhënë sipërmarrësve një “pronësi” më të madhe në marrëdhëniet e punës, dhe një të drejtë më të madhe në përcaktimin e kostove të punës. Pra, kostot e punës do të përcaktohen më shumë nga tregu, sesa nga politikat rishpërndarëse. Këto të fundit, duke synuar të mbrojnë të dobtit, asfiksojnë sipërmarrjen dhe riciklojnë papunësinë e varfërinë. Kodi i Punës kufizon kontratat me afat të përcaktuar dhe kohë të pjesshme. Dhënia përparësi kontratave me afat të përcaktuar, edhe kur puna në sektorin përkatës nuk është me kohëzgjatje të kufizuar, mund të mbajë në treg më shumë punëtorë. Pra, kufizohet numri i të punësuarve që dalin nga tregu dhe përfundojnë në rezervuarin e papunësisë. Thithjen e punëtorëve të rinj nga jashtë tregut mund ta ndihmonte edhe kufizimi i orëve shtesë të punës për të punësuarit. Për shembull, në vend që 100 punëtorë të punojnë dy orë më shumë, do të ishte më e dobishme që në vend të shtimit të 200 orëve punë për të punësuarit, të punësohen 25 të papunë.
- “Pronësia” e sipërmarrjes dhe publikut në reformë
Zhvillimi i politikave të punësimit nuk duhet të jetë një ekskluzivitet i qeverisë, por një aksion i përbashkët me sektorin privat. Shqipëria ka një traditë negative në marrëdhëniet formale të qeverive me sipërmarrjen. Të cilën qeveria aktuale po e kapërcen. Njohja dhe programimi i shlyerjes së borxheve ndaj sipërmarrjes ishte një hap domethënës. Por partneriteti me sipërmarrjen duhet të presupozojë edhe bashkautorësinë e saj në reformën e tregut të punës. Sepse sipërmarrja është gjenmeratori kryesor i ekonomisë dhe punësimit. Reformën e sukseshme të tregut të punës në Gjermani dhe propozimin e formave të reja të punësimit, minijob dhe midijob (punë të vogla dhe punë të mesme), nuk e bëri qeveria gjermane. As organizatat apo konsulentët ndërkombëtar. Shreder vendosi në krye të komisionit të reformës menaxherin e famshëm të burimeve njerëzore të kompanisë Volkswagen, Hartz, të cilit Gjermania i është mirënjohëse për ndërtimin e një tregu pune dinamik dhe fleksibël. Ishin edhe reformat e punësimit që e ngritën Gjermaninë në lidershipin ekonomik të Europës. Përveç kësaj, reforma e tregut të punës është edhe një çështje që u takon të gjithë qytetarëve, prandaj duhet t’i nënshtrohet një proçesi të gjerë publik.

cfare po kerkoni reforma si ne gjermani,eshte e kote zotrinje,reforma te tilla mund te ndodhin ne shqiperi mbas 1000 vjetesh,nuk jap dote garanci do jen apo jo pozitive,por reforma te tilla mund te ndodhin si modeli gjerman,por sic e thash me larte mbas 1000 vjetesh,dmth ne vitin 3014.per suksesin e ketyre reformave te modelit gjerman mbas 1000 vjetesh dmth ne vitin 3014 eshte per tu pare,deri tani nuk ka gje ne terezi,ne kete gjendje qe eshte shqiperia me 23 vjet peudemokraci sipas mendimit tim,veshtire te kete hapa pozitive edhe mbas 1000 vjetesh,.