Që politika shqiptare është në krizë nuk është diçka e re, por çalimi i disa elementeve të saj si përfaqësimi, legjitimiteti, mirëbesimi, etj. dhe përsosmëria e disa elementeve të tjera si demagogjia, populizmi, mungesa e komunikimit (të njëmendtë) me shtetasit, etj. pikasen ndonjëherë edhe nëpërmjet vogëlsirave komunikative si sloganet; Mjafton një dozë e vogël mosbesimi o çiltërsie – ashtu si tek përralla e veshjes së perandorit – për t’i parë sloganet krejtësisht transparente, boshe, lakuriqe.
Por nëse slloganet që mund të imagjinoja për fushatën elektorale të qeverisë së zezë shqiptare ishin të shumëllojshme, kurrë nuk ma priste mendja të dëgjoja sloganin: Ne jemi ndryshimi!!! Çfarë është kjo që e njëjta parti që ka 8 vite që qeveris me rekorde të llahtarshme si Gërdeci e 21 janari, të dalë në zgjedhje me sloganin “Ne jemi ndryshimi”?? Cili popull do pranonte të tallej kështu publikisht?! Në këtë rast slogani nuk është as bosh, as jo i bukur etj. Është tallje kriminale, është sfidim i logjikës njerëzore të shoqërisë, njësoj si një i çmendur sfidon rojet e tij në spital. Analizojeni këtë fenomen, nga pikëpamja socilogjike, mua do më pëlqente shumë të shihja një nga kopertinat tuaja mbresëlënëse, me një temë të tillë.
Opinion i nënshkruar: Alket Dakollari