Një sugjerim postfaktum për të gjithë aktorët e tragjedisë natyrore

Leda Hysa

Tmerri psikologjik pas tërmetit

Miltiadh Mata*

Shqipëria dhe shqiptarët patën fatin e keq që këtë fund viti ta kalojnë me mort nëpër këmbë  dhe shok psikologjik duke përjetuar fatkeqesinë natyrore të radhës si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit. Pra aktualisht ne jemi në situatën postfaktum që shoqërohet me shuarjen graduale të fenomenit sizmik dhe përjetimin e traumës psikologjike e cila ka prodhuar sindromin e “termetit psikologjik”. Ky i fundit ka gjeneruar një fuqi inerciale, e cila është shndërruar në një lokomotivë gjigande që mban në lëvizje shokun psikologjik të tmerrit të tërmeteve.

Pikërisht bazuar në këtë realitet dhe kontaktet që kam pasë me grupe banorësh, si qytetar dhe specialist, ekspert dhe studiues në fushën e bazamenteve, gjykova të përpiloj me logjikë të ftohtë jashtë teorive akademike, këtë prononcim si një vaksinë modeste ndaj shokut psikologjik.

Së pari i drejtohem opinionit publik për të theksuar faktin që vendi ynë pesoi një goditje sizmike sikurse ndodh në të gjithë globin dhe veçanërisht vendet e rajonit ballkanik e më gjerë si Greqia, Maqedonia e Veriut, Turqia, Italia, Kroacia etj etj. Bazuar në vëzhgime dhe studime afatgjata, ju shpreh bindjen e qartë që vendi ynë nuk është më i rriskuar se vendet e tjera të ketij rajoni, ndërkohë që jemi nën nivelin agresivitetit të tërmeteve në raport me disa vende fqinje.

Tërmeti që ndodhi më 26 nëntor, pavarësisht numrit të viktimave, nuk kapërceu asnjë nga kufijtë e tërmeteve në rajon aq më tepër në vendin tonë të ndodhur më parë, nga pikpamja e intensitetit në qendër dhe energjisë në siperfaqe. Pra ai nuk solli asnjë risi në raport me historikun afatgjatë dhe kategorinë e sizmicitetit të vendit tonë.

Shqipëria në aspektin gjeografik është atje ku na e kanë lënë të parët dhe aktualisht nuk ka asgjë të vëçantë në raport me rajonin ku përfshihet prej shumë shekujsh. Në se aktualisht për shpjegimin e këtyre fenomeneve akademikët përdorin teorinë e pllakave, thyerjet tektonike apo neotektonike, këto nuk kanë ndodhur as brenda një shekulli as brenda këtij mijëvjeçari. Thyerja Adriatiko–Joniane u perceptua si linjë sizmiologjike gjatë shekullit që shkoi, por ajo nuk lindi në atë kohë, konfigurimi i saj daton qysh në periudhën që u individualizua rajoni ballkanik. Në kuadrin e shpjegimit të fenomenit të tërmeteve një hipotezë e rëndomtë dhe me pasoja psikologjike më është dukur lidhja e aktivizimit të tërmeteve me ujërat sipërfaqësorë nga profesori i cili e paraqiste atë si të vërtetuar shkencërisht. I nderuar profesor Shkupi, nëse dinamika e reshjeve sipërfaqësore influencoka në dinamikën e tërmeteve, po ato që ndodhin me epiqendër në det apo oqean çfarë lidhje kanë me reshjet sipërfaqësore? Jua bëj këtë pyetje sepse pas prononcimit tuaj për këtë problem, në kokat e njerëzve sa herë që bie shi shfaqet gogoli i tmershëm i tërmeteve.

Për të gjithë kategoritë mediatike dëshiroj të theksoj faktin që, në këto momente prononcimi nuk është garë dijesh apo ekspoze hipotezash, ai është një mision human me motive profilaksie ndaj fenomenit fizik dhe kurativ ndaj shokut psikologjik. Më tërheq vëmendjen fakti që profesorë të nderuar në fushën e sizmikës (me të cilët kam pasur bashkëpunim në disa studime dhe ruaj respekt të veçantë për ta), paraqiten në panelet mediatike me një stil ndrojtjeje dhe vetmbrojtjeje, duke thënë hollësira fare pa vlerë per opinionin publik. Për të qenë më konkret, pas prononcimit në Top-Channel të sizmoprofesorit të ftuar në panel para disa ditësh, kam pasur një seri telefonatash nga miq, shokë e të afërm të cilët më pyesnin se si duhet ta kuptojmë thënien e profesorit që: “Në botë ka raste nga më të ndryshmet të serisë tërmeteve të fortë, që nuk përjashtojnë edhe mundesinë e ndonjë goditjeje të tretë”.

Të nderuar kolegë, specialistë apo profesorë, në këtë moment opinionit publik nuk mund t’i thuhet që në botë ndodhin dhe kataklizmi. Ajo nuk shërben për asgjë se edhe pa thënë ju, ju as e diktoni dhe as e parandaloni dot. Pra qartë dhe shkurt pse bien tërmete në Shqipëri ju nuk keni asnjë përgjegjësi, madje shkalla e sizmicitetit në Shqipëri përgjithesisht dihet dhe njgjarja e ndodhur solli dëme katastrofike, por asgjë të veçantë në kategorizimin sizmik të vendit tonë në raport me vetveten dhe rajonin. Roli juaj specifik ka të bëjë me funksionimin e logjistikës dhe mirëmenaxhimin e informacionit. Nëse sedra dhe përgjegjesia profesionale ju bën të shpreheni edhe për kataklizmat botërore, së paku duhet t’i thoni opinionit publik, sa është propabiliteti në raport me pozicionin gjeografik, sipërfaqen dhe historikun sizmik që ka Shqiperia? Dua të them që propabiliteti i këtij fenomeni është aq i vogël sa në rastin konkret është më mirë të mos i referohemi fare.

Për ju drejtues të mediave që jeni të shumtë në numër dhe mbi të gjitha keni misionin e arkitektit për formatimin e opinionit publik, keni dhe përgjegjësinë për kurimin e traumës së tërmetit psikologjik. Së pari respekt dhe mirenjohje për prezencen dhe sakrificën tuaj në ndjekjen nga afër të zhvillimeve post faktum që në momentet e para të kësaj tragjedie që po përjeton vendi ynë. Sidoqoftë, kur ndodh një tragjedi me përmasa kombëtare, dy janë pushtetet kryesore që vihen në shërbim dhe provë për përballimin e situatës: pushteti ekzekutiv dhe ai i mediave. Përsa i përket pushtetit të mediave, gara për të qenë më i shpejti por dhe më interesanti, ju imponon që të nxirni edhe produkte asimetrike, në raport me diversitetin dhe gravitetin e ngjarjeve madhore. Duke ju kërkuar ndjesë për adresimin dhe nëse ju dukem subjektiv, dëshiroj t’ju shpreh bindjen time se aktualisht ka mbaruar koha e thirrjes së akademikëve dhe specialistëve për të berë leksione për termetet, sizmicitetin e Shqipërisë dhe rajonit ballkanik, linjat e zjarrta dhe thyerjet tektonike. Veçanërisht skenike dhe komerciale më është dukur thirrja butaforike e “nastra-damusit” Gurguri në emisionin Zonë e Lirë, ku me cinizëm dhe këmbëngulje i kërkohej të përgjigjej nëse do bien prapë tërmete tek ne. Ky “parashikues mbinjerezor” filozof pa filozofi, shkencëtar pa shkencë, vëzhgues pa histori, terrorizon opinionin publik duke mbajtur gjallë sindromin e tërmetit psikologjik me përgjigje pa inventar në hapësirë dhe kohë, me një injorancë që e ka të vështirë të bëj lidhjen gjeografike midis fqinjësisë dhe anëve të horizontit. Në këndvështrimin e frenimit të shokut psikologjik mediat duhet të shtojnë dozën e prononcimeve dhe emisioneve të cilat kanë si objekt solidaritetin dhe optimizmin e rindërtimit të vendit me aksione dhe kontribute konkrete. Parandaloni prononcimet e karakterit politik si “kur ishim ne apo po te ishim ne”, pasi ky popull i njeh mirë ata që ishin dhe këta që janë, se të dy palët janë të provuar dhe stërprovuar ndaj tij. Gjithashtu per momentin mos e mbysni foshnjen e solidaritetit duke e ushqyer atë me biberonin e mosbesimit “alla politik”, pasi në këtë mënyrë do të toksikojmë vullnetin dhe tkurrim potencialet e kontributeve të solidaritetit, kaq të nevojshëm në këtë moment.

Për ju drejtues te pushtetit ekzekutiv ka ardhur ora e sakrificës dhe e sprovës për kapërcimin e situatave të jashtëzakoneshme. Kalvari i mundimeve dhe testi i vlerave sapo kane nisur startin e tyre, por gara është e gjatë dhe kërkon forcë karakteri, mund dhe sakrifica. Pasi kemi parë mosseriozitetin tuaj për shumë çështje dhe abuzim me pushtetin, të paktën tani tregohuni sëeriozë. Përndryshe, ky popull nuk ka për t’ua falur kurrë pëpërgjegjshmërinë. Padyshim në se vërtet do të ndodhë se do të tregoheni të papërgjegjshëm, ndëshkimi do të jetë historik.

Për ju ndertues spekulativë, që çadrën e abuzimeve ua shkuli tërmeti, në panoramën postmortum të inspektimeve të deritanishme, ekspozohet një trekëndësh përgjegjësish që përfshin (sipas gjykimit tim) konstruktorin, supervizorin dhe zinxhirin e certifikimeve teknike deri tek leja e shfrytëzimit. Ju e dini mirë që çdo gërmë e rregullores së sigurimit teknik është e shkruajtur me gjak. Që jetët e humbura nga kjo tragjedi të mos shkojnë kot, gjaku i derdhur duhet shndërruar në një vaksinë profilaktike, për parandalimin e gjakderdhjeve të tjera në të ardhmen. Në këtë aspekt dua që qartësisht dhe teknikisht të sqaroj faktin, se në të gjithë demtimet katastrofike të ndodhura në ndërtesa, në shumicën absolute të rasteve, nuk kemi të bëjmë me kapacitetin mbajtës të truallit as me fenomenin e lëngëzimit në formacioneve ranore, por me dobësine sipërfaqësore të konstruksioneve të banesave  si pasojë e shkeljes skandaloze të kushteve teknike. Pavarësisht nga natyra ranore e formacioneve për ndertimet në bregdet, nuk ndodhi asnjë zhytje godine për efekt të fenomenit të lëngëzimit. Qartësisht dallohet fakti që në serinë e ndërtesave pranë njëra tjetrës, në të njëjtin terren dhe distancë nga vija bregdetare, gjen godina të pa cenuara si dhe të shkërmoqura nga ndërtimi pa cilësi. Investitorë dhe ndërtues që veproni jashtë kushteve teknike, ju mund të bleni me lekë firmën certifikuese të një zyrtari apo  institucioni, dijeni se shpejt a vonë, me këtë para të zezë, keni blerë dhe certifikatën mortore,  që mund ta kthejë ndërtesën tuaj në një arkivol masiv.

*Specialist në Agjencinë Kombëtare Bërthamore

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *