Një takim i pazakontë për historinë e Vatikanit është zhvilluar sot. Papa Françesku vizitoi në mesditë paraardhësin e tij, ish-kardinalin Ratzinger, tashmë Papa Emerito. Dhjetë ditë pas zgjedhjes në postin e tij, Papa Françesku I u nis me helikopter nga Vatikani, për të mbërritur një çerek ore më pas në oborrin e Kastel Gandolfo, ku Papa Emerito është vendosur pas largimit nga posti. Dy papët janë përqafuar ngrohtë dhe më pas janë ulur në të njëjtën bankë për t’u lutur. “Jemi vëllezër”, është cituar të ketë thënë Papa Françesku I.